English

Diplomati grek takon Berishën për vrasjen e minoritarit, kufirin detar dhe “vitin 2014”

Tiranë, 18 Shtator 2010 NOA – Kryeministri Sali Berisha priti sot, në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, ambasadorin Yannis-Alexios Zepos. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori grek në Shqipëri Nikolas Pazios.

Nga informacionet zyrtare të publikuara, del se tre ishin pikat më të rëndësishme të takimit mes palëve: Vrasja e minoritarit grek, çështja ende pezull e kufirit detar si dhe integrimi i Shqipërisë sipas planit grek për të përfunduar procesin pas katër vjetësh.

Çështja Guma

Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së greke i bëri me dije Kryeministrit Berisha për shqetësimin që ka shkaktuar ngjarja tragjike e vrasjes së të riut Aristotel Guma në rrethet politike greke, si një akt individësh të frymëzuar nga ndjenja nacionaliste.

Duke e dënuar këtë si një akt barbar, Kryeministri Berisha i rikonfirmoi ambasadorit Zepos qëndrimin e palëkundur të qeverisë shqiptare për arritjen në Shqipëri të standardeve më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.

Në këtë kontekst, Kryeministri e garantoi ambasadorin Zepos se akte të izoluara nuk përfaqësojnë ndjenjat e miqësisë dhe të vlerësimit që qytetarët shqiptarë, kombi shqiptar ruan ndaj popullit fqinj grek dhe ndaj kontributit dhe ndihmës që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në vazhdimësi.

Kufiri detar

Gjithashtu, ambasadori Zepos i shprehu Kryeministrit Berisha edhe një herë shqetësimin e qeverise greke për marrëveshjen e ujërave territoriale, duke e vlerësuar këtë si një marrëveshje shumë të mirë e rigoroze dhe se pala greke shpreson që edhe për këtë çështje të arrihet në një zgjidhje sa më të shpejtë.

Integrimi

Në këtë takim, Berisha e falënderoi ambasadorin Zepos për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në veçanti për integrimin në Bashkimin Europian dhe të gjitha proceset e lidhura me të.

Kurse Ambasadori Zepos falënderoi Kryeministrin për pritjen e përzemërt dhe i përcolli përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit grek Papandreu.

Zepos i rishprehu Kryeministrit Berisha qëndrimin e qeverisë greke në mbështetje të plotë të integrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE.

Greqia, u shpreh ai, mbështet fuqishëm heqjen sa më shpejt të vizave për qytetarët shqiptarë, e cila do të mundësojë lëvizjen e tyre të lirë në hapësirën evropiane, si të barabartë me qytetarët e tjerë të BE-së.

“Ne jemi shumë të lumtur për marrëdhënien e ngushtë që ekziston midis dy vendeve dhe ndjenjat e miqësisë që ruajnë të dy popujt fqinj e miq”, - ka thënë Zepos.

Në takim u vlerësuan Axhenda e Selanikut si platforma me e shkëlqyer e solide për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i përcjellëedhe një herë Kryeministrit Papandreu mirënjohjen për iniciativën e tij për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përcaktuar vitin 2014 si vit përfundimtar i këtij procesi.

Më tej,

Në fund të takimit, të dy palët rikonfirmuan angazhimin e të dy qeverive dhe vendeve për të konsoliduar dhe thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat në dobi të interesit më të mirë të të dy vendeve e popujve miq, si dhe vazhdimin e mbështetjes të qeverisë greke dhe vendit fqinj për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

e.r/NOA

KOMENTE