English

Haxhinasto-Mcllwham, vlerësojnë bashkëpunimin dhe kontributin në procesin e integrimit në BE

Tiranë, 18 shtator, NOA – Mbështetja që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit të Evropë dhe forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve evropiane ishin në qendër të takimit mes ministrit të ri të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto dhe ambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcllwham.

Ministri Haxhinasto vlerësoi frymën e shkëlqyer të bashkëpunimit, që ekziston mes dy vendeve, mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë në procesin e saj të integrimit evropian, dhe për rolin tejet aktiv të diplomacisë britanike për arritjen e një rezolute konsensuale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB për Kosovën, që duke respektuar mendimin këshillimor të GJND, konfirmoi përfundimisht pavarësinë e Kosovës dhe integritetin e saj territorial.

Ministri Haxhinasto evidentoi se prioritet i punës së tij do të mbetet përshpejtimi i procesit të integrimit evropian, veçanërisht liberalizimi i afërt i vizave me BE-në dhe marrja e statusit të vendit kandidat.

Në këtë kontekst ai propozoi që edhe mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe të nisë puna për përgatitjen e një plan-veprimi dypalësh për të lehtësuar dhe më pas liberalizuar sistemin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Sipas zotit Haxhinasto, ai do të ndjekë me përparësi konsolidimin e shërbimit diplomatik dhe në këtë kontekst, ministri shqiptar kërkoi që mes dy Ministrive të Jashtme të dy vendeve të nënshkruhet një protokoll bashkëpunimi për trajnimin dhe shkëmbimin e diplomatëve me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së trupit diplomatik shqiptar.

Ambasadorja britanike Mcllwham vuri në dukje se Britania e Madhe do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në procesin e saj të integrimit evropian.

Ambasadorja britanike kujtoi në kontekstin dypalësh vizitat e shumta që pritet të zhvillohen në muajt shtator-tetor në Tiranë nga personalitete të ndryshme britanike, si dhe takimin ndërkombëtar të Unionit të anglisht-folësve, që do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri në 21 tetor.

Aktivitet i rëndësishëm, sipas saj do të jetë dhe mbledhja e Forumit të dytë të Biznesit që do të zhvillohet në Londër në 7-8 tetor, për nxitjen e investimeve britanike në Shqipëri. Ambasadorja britanike Mcllwham u angazhua për të ndjekur me prioritet projektet e përbashkëta që synojnë forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE.

mit/NOA
KOMENTE