English

Kalimashi dhe Prevalla

Jam nga ata që besoj se lidhja e Kalimashit me Prevallën bën shenjën më të dukshme të perspektivës së kombit, mbase të vetmen shenjë ngushëlluese në kuadër të përpjekjeve shqiptare për ndërtimin e dy shteteve funksionale

Nga Bardh Frangu

Mbreti Dushan, perandori bizantin i kurorëzuar më 1346 në Shkup si mbret i serbëve, grekëve, arbanasve dhe vllehve, kishte nën pushtimin e tij dete, liqene dhe lumenj. Prapëseprapë, më së shumti e donte Prevallën. Kjo është arsyeja pse qytetin e tij e kishte ngritur në Prizren, në grykën e Lumëbardhit. Ai ngjitej për pushime në pikën e Prevallës, vendin me lartësi mbidetare mbi 1800 metra, ku bora e zë borën dhe ndeshen dy klima që krijojnë një ambient të veçantë. Ky vend u bë joshës edhe për liderët komunistë të ish-Jugosllavisë. Nga Beogradi me helikopter vinin personalitetet më të larta, kurse pushimin e shfrytëzonin edhe për gjueti, pasi pos derrit të egër mund ta gjuanin edhe dhinë briartë, që gjendet vetëm në malet e kësaj ane. Me bërjen e shtetit të ri të Kosovës, kësaj pike turistike ia mësynë liderët tanë politikë. Edhe vetë Presidenti i Kosovës ndërtoi shtëpi këtu, që veç vikendeve të mund ta kalojë edhe pleqërinë e tij të rehatshme prej politikani të karrierës. Në këtë pikë me klimë dhe pamje përrallore u dashurua edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Dhe mirë bëri, sepse në këtë mënyrë skajshmërisht i ironizoi kërkesat e atyre që në vend të negociatave me Serbinë kërkojnë të zhvillohen negociata ndërmjet shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Berisha veç sa nuk u tha se Kalimashi është ai që bën unazën e kurorëzimit dhe bashkimit të kombit, madje në përmasa edhe më të mëdha se ato që kërkojnë folkloristët kosovarë. Dëshmi për këtë është stina më e bereqetshme e Ulqinit, sepse në 20 vitet e fundit nuk ka pasur më shumë pushues. Kjo është fitorja e Kalimashit, fajin dhe meritat për të cilin ia faturojnë Sali Berishës. Politika është një e keqe e domosdoshme, por shumë nga ata që merren me këtë art të së mundshmes kanë lënë gjurmë në histori për të keq a për të mirë. Jam nga ata që besoj se lidhja e Kalimashit me Prevallën bën shenjën më të dukshme të perspektivës së kombit, mbase të vetmen shenjë ngushëlluese në kuadër të përpjekjeve shqiptare për ndërtimin e dy shteteve funksionale. Dihet se njerëzit mbahen mend për udhët që bëjnë, sepse në këtë mënyrë ua mundësojnë të tjerëve lëvizjen. Jeta mbase nuk ka më shumë se kuptimin e lëvizjes. Në këtë kontekst, në lidhje me pushimin e Berishës në Prevallë nuk më habisin komentet e lexuesve nëpër sajtet e të përditshmeve tona, që rolin e Kryeministrit të Shqipërisë e predimensionojnë në përmasat e një miti. Vitin e kaluar, një mysafir timin nga Zvicra e befasova shumë me një guidë. Pasi paradite bëmë plazh në bregdetin e Durrësit, i hipëm makinës dhe pasdite erdhëm në Prevallë, ku gjetëm borën e pashkrirë nëpër gropat e faqeve të majave të thepisura. Këtë surprizë e kishte bërë të mundur Kalimashi. Prevalla, pika më e bukur të turizmit malor në të gjitha hapësirat shqiptare, është pjesë e Maleve të Sharrit, njësoj si qendra e skijimit Brezovica, prandaj i ka të gjitha mundësitë që të shndërrohet në një qendër të njohur, para së gjithash dimërore, ku bora nuk mungon as edhe në muajin maj. Kjo gjë edhe do të ndodhë kur të privatizohet qendra në Brezovicë. Kështu, shqiptarët pos turizmit veror do të mund të zhvillojnë edhe turizmin dimëror, si dhe ta funksionalizojnë edhe Olimpin e tyre, majën e Lubotenit, ku edhe sot e kësaj dite për çdo 2 gusht vazhdon tradita e një procesioni, përkatësisht ngjitja këmbë në majën e lartë prej afro 2500 metra. Në këtë mënyrë, Kalimashi ia ka hapur perspektivën hapësirave shqiptare, madje edhe Prevallës së bukur, ku në vend të një Perandori të dikurshëm tash është vendosur Presidenti i shtetit më të ri në botë.

KOMENTE