English

Kallëzim penal për ish zv/ministren e Shëndetësisë

ILDKP kallëzon 7 subjekte për “refuzim për deklarim të pasurisë”, si edhe evidenton 4 raste të konfliktit të interesave në pushtetin lokal

Tiranë, 18 Shtator 2010 - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka kallëzuar penalisht 7 zyrtarë, të cilët kanë refuzuar të dorëzojnë deklaratën e interesave private sipas përcaktimeve ligjore. Mes tyre gjendet dhe emri i zëvendësministres së Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri

Gjithashtu, ILDKP ka arritur të evidentojë dhe të zgjidhë katër raste me konflikt të interesave në pushtetin lokal.

“Refuzimi për deklarim të pasurisë”

Provat shkresore për dy punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, një ish-zv.Ministër dhe katër drejtues të pushtetit vendor, për të cilët është aplikuar fillimisht nga ILDKP masa administrative “gjobë” për “vonesë në deklarim të interesave private”, i janë dërguar organit të Prokurorisë për hetime të mëtejshme, mbështetur në nenin 257/a, paragrafi i parë, sipas të cilit: “Refuzimi për deklarim ose mosdeklarimi i pasurisë së personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë sipas ligjit, kur më parë janë marrë masat administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj”.

Zyrtarët, për të cilët ILDKP ka kërkuar nisjen e procedimit penal, janë:

1. Flamur Hysi Zv.Drejtori i Përgjithshëm, D.P. Doganave

2. Adrian Durmishllari Ish- doganier, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave

3. Zamira Sinoimeri Ish-zv.Ministër i Shëndetësisë

4. Sokol Hodaj Kryetar, Komuna Vllahinë, Vlorë

5. Mark Kulla Kryetar, Komuna Shosh, Shkodër

6. Bujar Skëndo Kryetar, Komuna Buz, Tepelenë

7. Agim Xhaja Kryetar, Komuna Përparim, Peqin

II. Evidentimi i katër rasteve me konflikt interesi

Po ashtu, si rrjedhojë e hetimit administrativ të zhvilluar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, tre zyrtarë të qeverisjes vendore në bashkinë e Sarandës kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet publike dhe drejtuesi i një ndërmarrje shtetërore në të njëjtën njësi administrative është tërhequr nga ushtrimi aktiv i profesionit të lirë privat, pasi kanë rezultuar në konflikt interesi.

Nga hetimit administrativ i kryer prej ILDKP, bazuar në informacioneve që u ofruan nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, u evidentua me prova konkrete se zyrtarët e administratës lokale gjendeshin në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm të interesit.

Krahas detyrës publike, tre zyrtarët ushtronin njëkohësisht edhe profesionin e “ekspertit kontabël” për disa shoqëri tregtare, një pjesë e të cilave kishin përfituar fonde publike në procedurat tenderuese të zhvilluar në institucionin e tyre.

Gjithsesi, nga hetimi rezultoi se asnjë prej këtyre zyrtarëve nuk ishte pjesëmarrës në proceset tenderuese, ku kanë dalë fitues shoqëritë, me të cilat kishin marrëdhënie financiare.

Në përfundim të hetimit administrativ, ndaj dy prej zyrtarëve u vendos masa administrative ”gjobë” për shkelje flagrante të ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Gjithashtu, edhe drejtuesi i një ndërmarrje shtetërore në të njëjtën njësi administrative, i gjendur në kushtet e konfliktit të interesave, ka zgjidhur në formën e duhur ligjore papajtueshmërinë mes funksionit publik dhe aktivitetit privat, duke u tërhequr nga ushtrimi aktiv si “ekspert i licensuar”.

Pas një serie të gjatë trajnimesh me zyrtarë të pushtetit vendor, Inspektorati i Lartë tashmë ka nisur hetimin në terren për të gjitha rastet e dyshuara të konfliktit të interesave në bashki dhe komuna. Nga informacionet e mbërritura në ILDKP, nëpërmjet formave të ndryshme të komunikimit, sidomos me anën e numrit pa pagesë 0800-9999, ekzistojnë dyshime për situata me konflikt interesi edhe në disa bashki kryesore të vendit, të cilat tashmë janë pjesë e hetimit administrativ nga ana e Inspektoratit të Lartë.

e.r/NOA

KOMENTE