English

Kola: Një kineze, si më solli në mend të bëj këngën “Bjeri gajdes gajdexhi”

INTERVISTA/ Flet këngëtari i talentuar mirditor Artan Kola. Kujton se “këngën “Bjeri gajdes gajdexhi”, ma çoi ndërmend një vajzë kineze”. Kujton edhe se si Tish Daia qau kur dëgjoi këngën e gajdexhiut. Tregon si ky album u bë mollë sherri për dy televizionet “Top Chanel” dhe “TV Klan”

Albert Zholi

Një djalë energjik, praktik, i dashuruar me këngën por dhe me studion e realizimit të CD-ve, gjithnjë në lëvizje, këto janë disa nga cilësitë e këngëtarit mirditor Artan Kola. Fillimet e tij në këngë i përkasin vitit 1981, vit prej të cilit, ai, këngën e ka bërë pjesë të pandarë të jetës. Por dhe pse është i ftuar në shumë aktivitete brenda dhe jashtë atdheut, në pafundësi dasmash dhe aktivitetesh, kënga e preferuar e tij, kënga që i dha fame, dhe u kthye në hit, mbetet kënga “Bjeri gajdes, gajdexhi”, këngë të cilën ja solli ndërmend një vajzë kineze.

Cili është mendimi juaj për “Maratonën e këngës popullore”?

Maratona mbetet maratonë. Është një nga aktivitetet më të rëndësishme të këngës popullore pavarësisht se këtë vit nuk mora pjesë. Ajo është një ndër aktivitete më të rëndësishme të këngës popullore, për vite me radhë, që ballafaqon këngëtarët e kësaj gjinie. Por do të thosha se këtë vit dominoi plotësisht kënga popullore jugore. Kjo duhet të kihet në konsideratë.

Cilat janë këngët më të preferuara të repertorit tuaj?

Janë disa por unë do të veçoja “Bjeri gajdes” dhe “Dasma malësore”.

Si erdhi tek ju kënga e gajdexhiut?

Erdhi fare rastësisht. Unë kam pasur një dyqan kasetash tek lagja “21 dhjetori”. Një ditë ë vjen në dyqan një vajzë kineze, e re dhe më flet në shqip. Zotëri dua këngën “Bjeri gajdes, gajdexhi dhe Dasma e malësorit”. Hapa sytë. ThaShë se mos tallej. Por nga mënyra e kërkesës ajo dukej shumë e sinqertë dhe shumë e prerë. Ngrita supet. Ajo duke parë habinë time më thotë se në Kinë, e para është një nga këngët më të dëgjuara. Thuajse një këngë hit. E shihja si i hutuar. Çuditë me atë femër s’kishin të sosur.

Po si i keni dëgjuar ju këto këngë e pyes?

Ajo duke qeshur më thotë. Në radion nacionale kineze çdo ditë jepet gjysmë ore këngë nga Shqipëria. Këto këngë që po kërkoj dëgjohen shumë. Unë I kam dëgjuar me dhjetëra herë më thotë. Fillova të kërkoj gjithandej në dyqan, por gajdexhiun se gjeta. Pas shumë kërkimesh në një cep gjeta këngën “Dasma e malësorit, të kënduar nga Sali Brari.

Po gajdexhiun si e gjete?

Më vonë kërkova në radio, kërkova në miq dhe e gjeta. I mora të dy këto këngë dhe fillova orkestrimet. Mendova të BëJA një punë serioze. Unë dikur i kasha dëgjuar këto këngë, por asnjëherë s’më kish shkuar ndërmend se do kishin sukses. Duhej punë për orkestrim dhe përpunim. Fillova punën në mënyrë shumë serioze. Pas ca ditësh në dyqan më vjen muzikanti Mond Mancaku e Tish Dain. Ishte viti 2002. U prezantuam. Ishte kënaqësi që takova këtë kompozitor të madh. Përfitova nga rasti dhe i thashë prof. Tish Daisë: Profesor, kam ripunuar një këngë, a mund ta dëgjosh?. Po , më tha. I vë këngën e gajdexhiut. Pasi e dëgjoi, më thotë, vendose dhe njëherë. E vendosa. Ai dëgjonte dhe filloi të lotonte. Pas pak më thotë: A e din se kush e ka bërë këtë këngë? Jo, I thashë. Kjo këngë është e imja. E kam kompozuar në vitin 1962. Në fund më thotë të lutem ma jep këtë CD me autografin tuaj. Ja dhashë. Iku i lumturuar.

Pastaj si e realizuat albumin me këto dy këngë? E bëra, ose më mirë të them e realizova në studion time, ku futa në një album që po përgatisja edhe këngët e diskutuara. I futa të dy këto këngë në album, që ishte albumi i dytë i imi. Kënga, ose më mirë u ripunua dhe orkestrimi ishte më i plotë. Ky album u bë mollë sherri për dy televizionet “Top Chanel” dhe “TV Klan”. Pra albumi “Bjeri këngës” u kthye në një hit. Ky album vinte pas albumit “Nata e fundit” që ishte me këngë greke dhe turke.

Përse e bëtë albumin e parë me këngë të huaja?

Për komercializëm. Po . Deri në vitin 2001, populli ato këngë dëgjonte. Shumë këngëtarë deri në atë vit, me kaseta dhe CD e këngë të tilla u bënë të njohur. Tani çdo gjë ka ndryshuar. Preferencat janë këngët popullore tonat. Edhe unë tashmë vetëm me këngë shqiptare punoj, por të Shqipërisë së veriut.

Sa albume keni realizuar gjithsej?

Plot 5 albume, kryesisht me këngë popullore të Shqipërisë së veriut. Një album e kam bashkëpunim. Një këngë e kam me këngëtaren Fatmira Breçani. “Oj mollë e kuqe”…”Shqipëri o nëna ime”.

Si do ta komentonit folkun e Shqipërisë së veriut?

Folku verior është një perlë. Mund të them e ky folk nuk është shfrytëzuar aspak. Së pari sepse nuk kemi orkestrues dhe kompozitor verior që të njohin mirë këtë folk. Edmond Zhulali s’mund ta bëjë dot aktualisht në kushtet e sotme kur është i vetëm. Mirdita, Tropoja, Pika, Dibra kanë një folk aq të pasur, sa duhen vite që ti eksplorosh. Është puna e kompozitorëve, detyra e tyre që të futen në këtë folk, që është si një minierë ari, për ti zbuluar nga pluhuri i harresës.

Kush i këndon tjetër këngët e veriut?

Remzi Osmani, motrat Mustafa, janë disa nga kosovaret që këndojnë folkun verior. Dhe i këndojnë bukur duke shtuar dhe audiencën.

Sot po flitet shumë për muzikën tallava. Çfarë rryme është kjo dhe a pëlqehet kjo lloj gjinie muzikore?

Tallavaja është muzikë e grave maqedonase në kufi me Bullgarinë. Këto këngë këndohen nga gratë në dhomat e shtëpisë, kur vishet dhëndri. Kjo lloj muzike është emigruar. Në fillim është marrë nga romët e Shqipërisë. Është një rrymë muzikore që edhe në Shqipëri në vitet 1994 deri 2002, pati përhapje. Ndërsa sot është në modë kryesisht në Kosovë dhe shqiptarët e Maqedonisë.

Si ju presin në Kosovë apo në trevat shqiptare të Maqedonisë apo Malit të Zi?

Si se merr me mend. Në këto vende artisti respektohet. Na presin sikur të jemi princër. Janë popull që ka emigruar dhe dinë të vlerësojnë. Këtu respektohet më mirë politikani. Artisti shihet si mjeran.

Kur ka kënduar për herë të parë Artani? Kam kënduar në Festivalin e 22-të, të Fëmijëve në Tirranë. Ishte viti 1981. Isha ende në shkollë 8-vjeçare. Vangjel Petushi dhe Robert Radoja ishin organizatorët e Festivalit.

Mendimi juaj për këngën çame?

Ka përhapje kohët e fundit. Unë si këndoj dot ato këngë. Kanë veçoritë e tyre. Vetë kjo krahinë ka këngëtarë të talentuar. Më vjen mirë që këto këngë po gjejnë mbështetje dhe këndohen nga profesionistë.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE