English

Letër Prokurores së Përgjithshme Ina Rama

“Është në tagrin e Prokurores së Përgjithshme dhe detyrim moral dhe profesional i juaji personalisht zonja Prokurore, që të bëheni avangarda e luftës kundër krimit të organizuar me pronën që nuk po ju kthehet subjekteve të shpronësuar. Prandaj në të mirë të punës tuaj dhe të rivendosjes së drejtësisë ju kërkoj që të urdhëroni...”

Nga Rrapo Hajredin Danushi*

Prokuroria si organ akuze ka filluar kryesisht hetimet ndaj deputetes së PD-së, znj. Albana Vokshi në lidhje me çështjen e përfitimit të disa koncesioneve prej bashkëshortit të saj, z.Arjan Tartari. Për këtë çështje Prokuroria ka filluar hetimet kryesisht, duke regjistruar procedimin penal për akuzat e korrupsionit aktiv dhe korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike; shpërdorim detyre si dhe akuzat e tjera që mund të dalin nga hetimi. Këtë radhë prokuroria ka filluar procedimin kryesisht duke u nisur nga shkrimet e publikuara në gazetë dhe deklaratat e deputetëve të Partisë Socialiste.

Ju drejtohem publikisht juve znj. Ina Rama, dhe të gjithë prokurorëve përfshi edhe prokurorët që kanë filluar këtë çështje. Urime për këtë hap të parë, sepse tregon se po shkëputeni nga komandat e mafies dhe korrupsionit që deri tani ju të prokurorisë iu jeni nënshtruar, duke mos i hapur fare apo duke i pushuar hetimet. Rikujtoj se me 10 Dhjetor 1994 gazetat denonconin se për 30 muaj shtypi ka akuzuar mbi 50 politikanë... dhe se lista TETA mbi korrupsionin nuk është e plotë. Por prej asaj kohe prokuroria është përdorur nga politika dhe i është nënshtruar korrupsionit dhe situata ka ardhur duke u rënduar. Politikanëve që akuzoi i ndieri Perikli Teta nuk di tu ketë hyrë gjemb në këmbë dhe numri tyre çdo vit është shtuar Tregues i pa kundërshtueshëm i punës së dobët të prokurorisë është situata e korrupsionit me pronat veçanërisht në Qarkun e Vlorës. Për këtë situatë tejet të rëndë, unë ju kam vënë ne dijeni zonja Prokurore e Përgjithshme, por Ju nuk më jeni përgjigjur. Kam parasysh letrën që unë ju kam postuar rekomande me kartelë me 02.12.2009 ku ndër të tjera ju kam shkruar: “... Kush ka bërë shpërdorim të detyrës, prokurorja Vojsava Starova, që padrejtësisht pushoi dy kallëzime penale të paraqitur nga “Zyra Përmbarimore e Vlorës” (për kryerjen e veprës penale pushtim toke dhe pengesë për ekzekutim të vendimit të gjykatës) apo ata dy gjyqtarët e Vlorës, të cilët në një rikallëzim të dytë, të bërë nga unë i deklaruan fajtorë dhe i dënuan shtetasit M. A. dhe F.R.?”

Populli e di mirë se jo vetëm Vlora por edhe në qarqet e tjera, ka prokurorë si Vojsava Starova, që kanë mentalitetin e urrejtjes dhe luftës klasore ndaj të shpronësuarve dhe këtë e shprehin. duke pushuar ankimet e të shpronësuarve dhe këta nuk janë pak. Ka dhe nga ata që janë pjesë e lojës dhe e presioneve ndaj të shpronësuarve, që nuk veprojnë nëse nuk ju futet paraprakisht një gjë në xhep.

Në mbyllje të asaj letre ju kam shkruar: “... e përsëris kërkesën, ju lutem shumë të më përgjigjeni nëse jeni korrekt me detyrën të më përgjigjeni kush ka kryer shpërdorim të detyrës, prokurorja Vojsava Starova apo ata dy gjyqtarët”. Fakti që ju znj. Prokurore e Përgjithshme me ligj jeni e detyruar t’u përgjigjeni çdo qytetari dhe ju nuk më kthyet përgjigje, pra edhe Ju që duhet të jeni avangardë e zbatimit të ligjit në këtë rast nuk e keni kryer detyrën. Nuk e teproj aspak nëse ju them publikisht se për probleme prone si pronar i shpronësuar, nga pozita e të dëmtuarit akuzues kam qenë i detyruar dhe kam prishur me vendim gjykate pesë vendime të pushuara nga prokurorët e Vlorës. Kjo është tregues se prokurorët e Vlorës kanë tendencën të mos marrin në konsideratë ankimet e drejta dhe t’i pushojnë hetimet për ankimet e të shpronësuarve nga diktatura. Meqenëse në Qarkun e Vlorës anarkia e pronës është më e theksuar se kudo, sepse Kushtetuta dhe ligji që ja kthen pronën pronarit shkelet me të dy këmbët nga korrupsioni që ka molepsur zyrtarët, gjyqtarët dhe prokurorët, Ju lutem znj. Prokurore të bëni publik bilancin e punës së Prokurorisë Vlorë se sa është nr i ankimeve penale për probleme prone që kanë bërë pronarët e shpronësuar, sa është nr. i hetimeve të pushuara, cilët janë prokurorët që i kanë pushuar çështjet, sa është nr i hetimeve të nisura kryesisht nga prokuroria e Vlorës dhe sa është nr. I të ndëshkuarve për korrupsion me pronat. Ndjej detyrim moral të pohoj se ka punonjës të ndershëm dhe dëshiroj të bëj dallim për prokurorin Maksim Sota. Me këtë rast ju përgëzoj që së fundi Ju e keni vlerësuar këtë prokuror duke e ngritur në përgjegjësi zv. Drejtues i Prokurorisë Vlorë. Përsëri dëshiroj të ve në dukje para jush se në Prokurorinë e Vlorës, ka njerëz të përkushtuar dhe me ndershmëri profesionale si p.sh. Agron Nakollari, oficer i policisë gjyqësore, i cili ka mbi 10 vjet në këtë detyrë, por puna e tij nuk është vlerësuar sepse atij i mungon “miku”.

Njësia e përbashkët hetimore e task-forcës së Prokurorisë vlen të lavdërohet dhe të falënderohet publikisht, për fillimin e hetimeve kryesisht nga shkrimet në gazetë, kundër Albana Vokshit, por ju lutem kujdes që ky veprim të mos përfundojë me mbyllje të hetimeve. E themi këtë paralajmërim pasi janë me dhjetëra e dhjetëra ankime penale prej pronarëve për pushtim toke, për mos ekzekutim të vendimeve të gjykatave dhe prokuroria nuk fillon veprimet ose merren vendime për pushim të hetimeve. Kjo situatë është alarmante veçanërisht në Vlorë, Qark ku dhe anarkia e pronës është më e theksuar. Por çdo situatë ka zgjidhje, mjafton të ketë vullnet për të zbatuar ligjin dhe për ta ndëshkuar realisht korrupsionin.

Është në tagrin e Prokurores së Përgjithshme dhe detyrim moral dhe profesional i juaji personalisht zonja Prokurore, që të bëheni avangarda e luftës kundër krimit të organizuar me pronën që nuk po ju kthehet subjekteve të shpronësuar. Prandaj në të mirë të punës tuaj dhe të rivendosjes së drejtësisë ju kërkoj që të urdhëroni: rihapjen dhe rivlerësimin e të gjitha vendimeve për pushim të hetimeve që prokurorët kanë dhënë për kallëzimet penale të të shpronësuarve, për pushtim toke, pengim në ekzekutim të vendimeve të gjykatës; në të kundërt ky proces që keni filluar është një lojë e sajuar midis Qeverisë dhe Prokurorisë për të mashtruar opinionin se gjoja Prokuroria lufton korrupsionin kur në fakt korrupsioni mbrohet.

Në mbyllje urojmë ju dhe nëpërmjet jush prokurorët e Task forcës që kanë nisur këtë hetim, të ndëshkojnë korrupsionin që po mban të gjallë anarkinë me pronën dhe anarkinë institucionale në tërësi duke na renditur ndër vendet me korrupsion shumë të lartë.

(*) Dërguar nga autori, kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”

KOMENTE