English

Nisja e gabuar e “Vetëvendosjes”

Fati i “Vetëvendosjes” në skenën politike kosovare është i shënjuar nga fati i Albin Kurtit si lider i saj. A do të mundet ai që mbështetjen popullore ndaj një lëvizjeje të lirë ta shndërrojë në kapital politik në zgjedhjet e ardhshme? Atij i duhet të zbresë nga lartësia e misionarit dhe të përballet me çështjet konkrete të politikës ditore

Nga Armand Shkullaku

Nëse në Kosovë do të mbahej një referendum ku qytetarët do të duhej të zgjidhnin mes bisedimeve me Serbinë dhe vetëvendosjes apo bashkimit me Shqipërinë, rezultati do të ishte shumë i qartë. Shumica dërrmuese do të preferonte opsionin e dytë. Mirëpo, një referendum i tillë nuk është një çështje që i përgjigjet sot realitetit dhe shqiptarët duhet të përballen me sfida të shumta të përditshme deri në njohjen e plotë të shtetit të tyre. Ata kanë në dorë vetëm të zgjedhin e të votëbesojnë njerëzit që do të drejtojnë e menaxhojnë sa më mirë këto sfida në interesin e tyre. Dëshirat apo aspiratat janë një gjë dhe rruga që ndiqet për t’iu afruar atyre është diçka tjetër. Albin Kurti rezulton të jetë lideri më i preferuar i shqiptarëve në Kosovë, sipas një hulumtimi të Klubit për Politikë të Jashtme. Kjo është një preferencë e kuptueshme, ashtu si zgjedhja në referendumin e supozuar më lart. Njerëzit janë të lodhur me negociatat që zgjaten pa fund, do të dëshironin të vendosnin vetë për fatin e tyre, ndihen të zhgënjyer nga politikanët dhe Albini thotë po ashtu të njëjtat gjëra. Njerëzit e duan Albinin për këtë arsye, por vështirë të votojnë për të po për të njëjtën arsye. Simpatia emocionale kërkon shumë më tepër për t’u shndërruar në mbështetje elektorale. Si në rastin e referendumit, edhe në këtë rast, diskutimi ndryshon kur bëhet fjalë për veprime që duhet t’i përgjigjen realitetit, që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, me zgjidhje që janë të mundshme e jo të dëshiruara. Albinin si simbol të qëndresës, të idealit kombëtar apo edhe të dinjitetit qytetar, do ta preferonin shumica e njerëzve në Kosovë, ndërsa Albini si politikan do të gjykohej nga të tjera kritere. Ai do të zbriste në terrenin prozaik të konkurrencës politike dhe do të duhej t’i bindte qytetarët jo më për diçka që shumica bie dakord, siç mund të jetë për shembull bashkimi kombëtar, por se është më i aftë se Thaçi, Haradinaj, Sejdiu apo Pacolli për të qeverisur çdo ditë jetën e tyre. E këtu, sondazhet me siguri do të jepnin të tjera rezultate. Fati i Lëvizjes “Vetëvendosje” në skenën politike kosovare është i shënjuar nga fati i Albin Kurtit si lider i saj. A do të mundet ai që mbështetjen popullore ndaj një lëvizjeje të lirë ta shndërrojë në kapital politik në zgjedhjet e ardhshme? Për ta bërë këtë, Albinit i duhet pikërisht të zbresë nga lartësia e misionarit dhe të përballet me çështjet konkrete të politikës ditore. Nisja e aktivitetit politik të “Vetëvendosjes” për këtë vjeshtë nuk ishte shumë premtuese në këtë drejtim, madje e gabuar. Përsëritja e shkrimeve refuzuese mbi muret e godinës së Qeverisë dhe deklarata e Albin Kurtit në Klinë se në vend të negociatave me Serbinë duhen negociata për bashkim kombëtar me Shqipërinë, janë dëshmi se forca më e re politike në Kosovë nuk ka një strategji tjetër nga ajo e mëparshme për t’u imponuar në elektorat. Për të patur sukses në zgjedhjet e ardhshme, nuk mjafton vetëm bashkimi me Shqipërinë si alternativë. Në takimet elektorale me siguri do të kërkohet shumë më tepër se shprehja e këtij qëllimi dhe akuzat ndaj qeveritarëve për shitje të interesave kombëtare. Në ballafaqimet televizive, në debatet publike, në mitingje e takime, nuk mund të shkohet vetëm me qëllimin maksimal, por me një program politik të detajuar. Për Lëvizjen “Vetëvendosje” - nëse synon të bëhet një forcë serioze politike - është koha të fillojë t’i bindë qytetarët se alternativa e saj është më e mirë se e partive të tjera edhe në planin qeverisës. Se ajo ka një program më të avancuar social, një plan të zhvillimit ekonomik më të mirë, një sistem arsimor më progresiv, etj. Veç denoncimit, “Vetëvendosja” duhet të bindë edhe për aftësitë e saj të ndërtimit. Ajo duhet të tregojë se vërtet është e aftë të sjellë ndryshim për kosovarët, madje se di ta bëjë këtë jo vetëm duke refuzuar, por edhe duke bashkëpunuar. Strategjia e deritanishme e “Vetëvendosjes” nuk mund të jetë efikase në zgjedhje edhe për një arsye tjetër. Njerëzit mund ta duan Albin Kurtin sepse nuk dyshojnë në sinqeritetin e qëndrimeve të tij, të dëshmuar me shumë sakrifica, si lider i një lëvizjeje të lirë dhe pa interesa të politikës ditore. Por në një garë politike, çështja ndryshon. Edhe Hashim Thaçi apo Ramush Haradinaj, ndoshta mund të mos duan fare bisedime me Serbinë e të pëlqejnë të vendosin vetë, por përgjegjësia politike dhe konjukturat ndërkombëtare nuk ua japin lirinë të flasin apo të veprojnë ashtu siç ndiejnë. E nëse Albin Kurti, përderisa i ka hyrë lojës politike, do të ishte nesër Kryeministër apo Ministër i Jashtëm i Kosovës, askush nuk mund të japë garanci se qëndrimet e tij nuk do të modifikoheshin. Ata që votojnë e kanë të qartë këtë rrethanë, prandaj strategjia e “Vetëvendosjes” duhet të ndryshojë duke filluar të mendojë dhe veprojë si një forcë me program të qartë politik dhe jo si një grup të rinjsh kontestatorë. Tani është koha që Albin Kurti ta ndërmarrë këtë transformim, për të shmangur zhgënjimet e mëvonshme. Ka patur shumë raste kur grupe apo individë me reputacion e mbështetje të madhe publike e kanë humbur atë kur janë bërë pjesë e lojës politike. Për shembull, zhgënjeu dhe nuk mori asnjë votë Lëvizja “Mjaft”, aq shumë me përkrahje në Shqipëri, kur u kthye në levë të Partisë Socialiste. Për Albin Kurtin nuk është e lehtë ta bëjë edhe liderin rebel dhe politikanin pragmatik, por të paktën ai duhet të fillojë ta orientojë partinë e tij të re drejt çështjeve dhe problemeve të politikës ditore. Preferenca e madhe për të është si ai referendumi i supozuar për bashkim kombëtar: nuk testohet në kutitë e votimit.

KOMENTE