English

PS: Kryeministri gënjeu, ekspozita, u ble nga pushtetarët, jo pronarët

Tiranë, 18 shtator, NOA – “Trualli i ish ekspozitës nuk është blerë nga pronarët, por nga pushtetarët”.

Kështu deklaroi sot nga selia rozë, deputeti Eduart Shalsi, i cili ka vazhduar akuzat e selisë rozë lidhur me privatizimin e ish ekspozitës “Shqipëria sot”, duke deklaruar se kryeministri Sali Berisha ka gënjyer në deklaratat e tij në një emision televiziv.

Deputeti Shalsi deklaroi në një konferencë për shtyp se “Ndërkohë që Genc Ruli ka dështuar t’i përgjigjet pyetjeve të ngritura në lidhje me privatizmin e ish-Ekspozitës ”Shqipëria sot”, nuk mund të mos ndërhynte për të mbrojtur këtë aferë edhe kryeministri Sali Berisha, i cili vetëm 2 ditë më parë, në emisionin “Opinion”, tha se Ligji e ka të qartë si drita e diellit, nëse 70% e sipërfaqes është pronë private 30% automatikisht i shitet pronarit. Automatikisht! Ky ligj është votuar nga socialistët””.

Duke iu referuar kësaj deklarate të kryeministrit, zoti Shalsi theksoi se “edhe në këtë rast kryeministri gënjeu rëndë, sepse e vërteta është krejt ndryshe, nuk është qeveria socialiste që e ka ndryshuar, por është pikërisht Sali Berisha, ai që e ka ndryshuar nga 80 në 70 %”.

Sipas Shalsit privatizimi i ish ekspozitës nuk do të mund të kryhej me ligjin e vjetër ndaj duhej të ndryshohej ky raport, pikërisht aq sa është trualli i ish ekspozitës 70 %.

Deputeti socialist ka evidentuar para kamerave vendimet e Këshillit të Ministrave, njëri i vitit 2003, i cili thotë tekstualisht, “Kur sipërfaqja e tokës ish pronë private shtrihet në mbi 80% të të gjithë tokës në objekt, e drejta e parablerjes shtrihet në të gjithë objektin”.

Ndërsa dokumenti tjetër i 11 tetorit të vitit 2006 thotë se “kur sipërfaqja e tokës, pronë e ish pronarëve shtrihet në mbi 70%, të sipërfaqes së truallit në objekt e drejta e parablerjes, shtrihet në të gjithë objektin”, një vendim që sipas Shalsit shërben si mbështetje për të justifikuar gllabërimin e 2900 metrave katrorë truall publik me një çmim 3 herë më të lirë se në zonat përreth.

“Kjo është e vërteta lakuriqe që tregon se si ky kryeministër gënjeu! Përse ndryshuan me vendimin qeverie, nga shkurti në nëntor çmimet e trojeve përballë Ekspozitës, në krah të Ekspozitës, dhe pas Ekspozitës, dhe tek Ekspozita mbeti i pandryshuar”?, nënvizoi deputeti Shalsi.

Ai tha se këtë truall e bënte të veçantë vetëm arsyeja se blerësit e tij ishin jo pronarët, por pushtetarët, ndaj ai truall u shit tri herë më lirë se trojet përreth tij.

“Berisha vuri një administratë të tërë në funksion të seksereve. Kjo është arsyeja pse kërkon të mbulojë veprimet dhe vendimet e qeverisë së tij, në shërbim të interesave personale të këtyre njerëzve dhe jo në interesin publik”, siguroi në fund të deklaratës së tij, deputeti Eduart Shalsi.

mit/NOA
KOMENTE