English

PS: Nëse LSI mbështet qëndrimin e PS, të mbrojë e votojë propozimin në kuvend

Tiranë, 18 shtator, NOA – Pas reagimit përshëndetës të LSI-së, lidhur me deklaratën e një dite më parë të bërë nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, se opozita do t’i drejtohet Komisionit të Venecias, selia rozë deklaroi se nëse LSI mbështet qëndrimin e PS-së le ta votojë propozimin në fjalë në kuvend.

“Nëse LSI vërtet e mbështet këtë qëndrim të PS, pra hapjen e kutive të materialeve zgjedhore ndërkohë që për fletët e votimit pritet opinioni i Komisionit të Venecias, atëherë le ta mbrojë dhe ta votojë këtë propozim në Kuvend”, tha deputetja socialiste, Vasilika Hysi.

Sipas saj është e pakuptueshme përshëndetja e LSI-së, përmes sekretarit të Përgjithshëm Luan Rama, për një propozim që nuk doli sot, por është bërë publik që mot, tha deputetja Hysi.

Zonja Hysi tha sakaq se “Qëndrimi i PS-së dhe i kryetarit të saj, për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore ndërkohë që për fletët e votimit të pritet opinioni i Komisionit të Venecias, është një qëndrim i përsëritur dhe i shprehur publikisht qysh në vizitën e delegacionit të Këshillit të Europës në Tiranë”.

Andaj sipas deputetes Hysi, “I vetmi njeri që ende sot nuk e ka pranuar këtë propozim mbetet Sali Berisha”.

Deputetja socialiste garantoi se “Partia Socialiste është e gatshme ta fillojë që sot hetimin e zgjedhjeve nëse komisionit parlamentar hetimor i vihen në dispozicion për hetim kutitë e materialeve zgjedhore, ndërkohë që për fletët e votimit të pritet opinioni i Komisionit të Venecias”.

Por, deputetja Vasilika Hysi, ripërsëriti në këtë kontekst hetimi se “asgjësimi apo djegia e fletëve të votimit, do të ishte djegia e çdo ure bashkëpunimi përfshirë këtu edhe reformën zgjedhore”.

mit/NOA
KOMENTE