English

Qeveria e Kosovës – problem kryesor për bujqësinë

Analizë, nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Vreshtarët e Rahovecit kanë paralajmëruar qysh nga muaji gusht se do ta kenë problem plasmanin e prodhimeve të tyre. Rendimentet ishin të kënaqshme por tregu për to është ngushtuar. Prodhuesi më i madh i verës në këtë Komunë, NBI Rahoveci i cili pas privatizimit mori emrin Stone Castle, kishte deklaruar se sivjet nuk do të marrë asnjë kilogram rrush nga vreshtat e Rahovecit.

Kjo ka shkaktuar humbje të mëdha për ekonominë vendëse të Rahovecit, e cila varet kryekëput nga prodhimtaria e rrushit. Sipas Shoqatës së Vreshtarëve humbja e përkthyer në vlerë monetare është diku rreth 10 milionë euro. Kur këto shifra përkthehen në përditshmërinë e qytetarëve të Rahovecit, gjendja bëhet edhe më e vështirë. Nuk ka familje në Rahovec që në një mënyrë apo tjetër nuk varet nga të hyrat që i sjell rrushi. Pa këto të hyra cilësia e të jetuarit në Rahovec dëmtohet ndjeshëm.

Stone Castle e ka arsyetuar mosblerjen e rrushit nga vreshtarët me rezervat e mëdha dhe mungesën e vendit për deponim të rrushit, rakisë e verës. Sipas kësaj kompanie eksporti i verës nga Kosova është goditur rëndë nga bllokada që po na e bëjnë vendet përreth, më së shumti nga ajo e Serbisë që kishte shërbyer si rrugë transiti, por edhe nga Mali i Zi e Maqedonia. Ndërkohë që Kosova si treg vazhdon të importojë edhe verë edhe rrush nga vendet tjera, gjë që e përjashton nga mundësia prodhuesin vendor.

Në të gjitha këto raste, Qeveria e Kosovës nxjerr kokën si problemi kryesor. Këta nuk e ndihmojnë bujkun e as vreshtarin e Kosovës. Ia hapin tregun kujtdo të eksportojë çkado në Kosovë pa e çarë kokën fare nëse ky import po i varfëron qytetarët e vendit. Nuk ndërmarrin asgjë për ta promovuar eksportin, madje edhe në rastet kur të gjitha shtetet na bllokojnë. Sipas vreshtarëve të Rahovecit kontrata e nënshkruar mes AKM-së dhe Stone Castle për privatizim kishte specifikuar se kjo e fundit obligohet që lëndën e parë (rrushin) ta marrë nga vreshtat e vendit për vetëm dy vite. Këto dy vite kanë kaluar, dhe tash ndërmarrja e privatizuar nuk ka kurrfarë obligimi ndaj vreshtarëve. Qeveria e Kosovës, por të kishte qenë njëmend e Kosovës, menjëherë do ta revidonte këtë kontratë në të mirë të qytetarëve; do ta mbyllte tregun për sa i përket këtyre produkteve përderisa kemi mbiprodhim; do t’ua blente tërë rrushin vreshtarëve për ta shitur pastaj vetë në tregun tashmë të mbrojtur. Por kjo qeveri natyrisht se nuk e bën këtë. Për shkak se nuk është për Kosovën. Prodhimi bujqësor në Kosovë nuk rrezikohet aq shumë dhe aq shpesh nga katastrofat meteorologjike, sa rrezikohet nga Qeveria e vendit.

KOMENTE