English

Rrëfehet Silvana Braçe: Jeta ime, mes televizionit, Italisë sot dhe të ardhmes

INTERVISTA/ Flet gazetarja, drejtuesja e spektakleve dhe emisioneve televizive Silvana Braçe. Thekson se po të jesh e zgjuar, di ta zbukurosh vetë veten kurse siguron se “i pranoj njerëzit ashtu siç janë”. Thotë se e sheh “të bukur dhe me shpresë vendin tim”

Albert Zholi

Ka më shumë se një dekadë që Silvana, një nga drejtueset më të spikatura të spektakleve dhe emisioneve televizive jeton mes dy vendeve Shqipërisë dhe Italisë. Ajo mbetet gjithmonë e re, e freskët dinamike, në lëvizje. Spektatori shqiptar e kujton atë me shumë dashuri, pasi prezenca e saj në RTSH, përçonte mirësi, kulturë, surpriza duke qenë jo vetëm drejtuese e emisioneve specialë, por edhe e spektakleve më të spikatur shqiptar në sistemin monist dhe viteve të para postkomuniste. Ajo tashmë ka mbi tri dekada në drejtim spektaklesh televizive dhe sërishmi thirret në hapësirat mbarëshqiptare, për drejtime të tilla që kërkojnë profesionalizëm, saktësi, inteligjencë.

Znj Silvana, ju ende vazhdoni të drejtoni spektakle të ndryshme si televizive, po ashtu dhe të shoqatave apo institucioneve të ndryshme. Si janë vitet e fundit të Silvanës jashtë atdheut dhe larg ekranit?

E jetoj jetën çdo ditë, me intensitet maksimal dhe s’kam patur dhe as kam kohë të bëj përmbledhje, apo të shkruaj kujtime. Mendoj se çdo ditë ka patur momentet e vështira por dhe të bukura të saj, sepse zgjedhja ime ka qenë të jetoj e rrethuar me shumë njerëz, me shumë angazhime, përkushtime, emocione. Megjithatë, diçka di ta them menjëherë se s’ka qenë aspak e lehtë të mbijetoja në TV, por kam punuar shumë dhe kam qenë e pathyeshme në besimin tim, se e meritoja të isha aty. Por edhe jashtë televizionit unë punoj, lëviz, organizoj apo më thërrësin në spektakle të ndryshme. Muajt e fundit isha në Durrës në një spektakël, por edhe në Itali dhe Kosovë.

Pra vitet e fundit jeni dhënë më shumë pas spektakleve. Parë në këndvështrimin tuaj kush është primare tek një drejtuese emisioni, bukuria apo inteligjenca? -Për mendimin tim në këto të dyja duhet të ketë një unitet, Smendoj se njëra duhet të jetë primare. Pra një drejtuese, duhet të jesh e kompletuar me të dyja. Jo me bukurinë si “kukull”, por atë magjepsësen, që vjen nga një shpirt i dlirë, dhe edukimi i mirë. Im atë më pyeste, që fëmijë: “Më mirë të jesh e ditur apo e bukur?”. Dhe po vetë më përgjigjej: “Më mirë e ditur”. Potë jesh e zgjuar, di ta zbukurosh vetë veten, përveç shkëlqimit që ta jep vetë dituria. Dikur, me emër (që e gëzoni dhe sot), por e varfër si gjithë shqiptarët në sistemin monist. Atëherë ju pat shkuar ndonjëherë në mendje të ushtronit profesionin për të cilin mbarruat shkollën e lartë? Shumë herë edhe vetë e kam pyetur veten. Përgjgja ka qenë: Jo! Asnjëherë, sepse unë kam jetuar me pasion. Mund të kisha ndryshuar profesion, vetëm nëse do isha më e dobishme diku tjetër. . Shpresoj, puna që kam bërë të ketë vlejtur, ndërsa paratë shkojnë dhe vijnë.

Shumë gazetare i janë drejtuar politikës, për më shumë emër, për më shumë para. Silva e ka menduar veten në politikë? -Politika është e vështirë. Politikë do të thotë art, në drejtimin e shtetit. Politika kërkon angazhim, debat, kurajë, por duhet të suportosh edhe fyerje. Politika më pëlqen, është diçka shumë inteligjente dhe e domosdoshme për zhvillimin e shoqërisë. E ndjek politikën pikërisht për këtë pjesë, duke lexuar midis rreshtave. Ne në mënyrë shumë të papërgjegjshme, shpesh japim mend e bëjmë si më të zotë se ata që janë në krye. . . por s’është e vërtetë. Unë s’kam marrë kurajën të hyj në politikë, me gjithë ofertat, pikërisht se s’ndjej të kem atë formim, të gjithanshëm, që kërkon të qenit aty, përveçse ende e dashuroj profesionin tim dhe pozicionimi në politikë s’do i bënte mirë atij.

Një rrugëtim i bukur, plot suksese, plot duartrokitje. Në këtë rrugëtim a ke pasur personazhe që ju kanë ndihmuar në karrierë? -Në jetë çdo njeri ka dikë që e ka ndihmuar apo udhëzuar. Kur fillova punë si spikere në TV s’kisha modele, por kur hyra në këtë radhë, gjeta aty Raimonda Bellin, Flutura Çangun, Zerina Kuken, Fatbardha Krajën, Luljeta Laçin, Mimoza Tafajn, që ishin të gjitha një më e mirë se tjetra dhe kishe çfarë të merrje nga secila prej tyre. Ndërsa nga televizioni italian kisha idhull Rafaela Karranë. Preferencat tek miqtë apo njerëzit në përgjithësi? -Më pëlqejnë njerëzit e sinqertë që flasin, tregojnë, njerëzit me humor. Nuk mar qëndrimin e kritikes për të tjerët, por i pranoj njerëzit ashtu siç janë, ose maksimumi mund t’ju sugjeroj diçka me shumë kujdes, që kjo të mos i prek dhe ti largoj nga vetja ata. Sepse, respekti dhe afrimiteti që çdo njeri krijon me mua është shumë i shtrenjtë. Si e ndjeni veten në Itali? -Po e vazhdoj jetën si në Shqipëri. Jam njëkohësisht në të dy vendet dhe më duket se jam gjithmonë tek të dy. Punoj me koncerte për bashkatdhetarët siç bëja dhe më par e jam shumë e lidhur emocionalisht me gjithçka ndodh në Shqipëri. Më mungon vetëm studio e TVSH, por kam punuar aq shumë aty, saqë mbresat janë ende aq të forta, sa për ta ruajtur ende të freskët këtë marrëdhënie. Unë bëj pjesë tek ata shqiptarë që e shohin të bukur dhe me shpresë vendin e tyre, ndryshe nga një pjesë e konsiderueshme, që për fat të keq, hedhin baltë mbi Shqipërinë tonë të dashur dhe çdo përparim të saj e mohojnë ose ngjyrosin me politikë. Do të dëshiroja me gjithë zemër që fëmija im të edukohej në shkollat tona, megjithëse tashmë dhe ato janë si në perëndim, por unë si romantike e pandreqshme që jam, besoj se atje ka ende diçka prej toke, prej Shqipërie, që mua më pëlqen aq shumë, se është e imja, se jam rritur me të, se jam krenare për veten. Dhe këtu ndryshoj nga shumë bashkatdhetarë që mohojnë origjinën e tyre dhe nuk u flasin fëmijëve në gjuhën tonë. Jam përpjekur, me statusin që kam si njeri publik, të influencoj sado pak në rritjen e ndjenjës të shqiptarizmës, sidomos nëpër koncertet e shumta nëpër Evropë, ku jo thjeshtë prezantoj, por përcjell mesazhe të fuqishme, të cilat sjellin emocione, lot dhe shumë shumë shumë duartrokitje. Keni një djalë të mrekullueshëm që se lini asnjë çast vetëm. Ç’është familja për ju? - Familja për mua është gjithçka dhe çdo gjë tjetër bëhet në funksion të begatisë dhe gëzimit të saj. Kështu jam rritur tek prindërit ku çdo gjë diskutohej, tregohej, gëzohej, vajtohej, në familje e të njëjtën traditë dua të përcjell dhe në familjen e re që kam krijuar. Komunikoj shumë edhe me djalin, Fatjonin, që t’i krijoj atij mjedisin e përshtatshëm për të shprehur çdo dëshirë e mundim, të ndjej mbështetjen dhe ndihmën në raste të vështira, të kuptojë se shtëpia është e vetmja fole e ngrohtë dhe e sigurt. Pra Mendoj se kur punojmë për familjen tonë, punojmë dhe për një begati dhe harmoni të gjithë shoqërisë. Gjitmhonë me libra në duar dhe në çantë… -Blej ato që më duhen. Jeta tani është shumë dinamike dhe s’ka kohë për të lexuar volume, por në çdo mënyrë, përpiqem të informohem e të jem në rrjedhat e kohës. Leximi i romaneve më është dukur gjithmonë një luks, pasi unë që fëmijë kam rendur pas punës dhe i kam dhënë kuptim jetës përmes “action”, veprimit, komunikimit, përkushtimit dhe shumë gjëra që do të mi kishin rrëfyer ato, mi ka mësuar jeta, se kaq gjallë e kam jetuar atë. Kam mijëra njohje, kilometra pa fund udhëtime dhe ndodhi ekstreme. Jo se nuk lexoj, por përzgjedh me kujdes atë literaturë që më ndihmon konkretisht në jetën e përditshme, dhe plotëson filozofinë e jetës sime. Në momente të veçanta edhe librat romantik kanë patur shumë vlerë për mua pasi më kanë davaritur dëshpërimin dhe më ka ndezur dritën e shpresës.

Vitet e kanë lënë po me atë luk Silvanën….

-Besoj se fare pak. Vite më parë, rrija më shumë përpara pasqyrës, por e kuptova dikur, se sa më natyral, aq më e shëndetshme është për fytyrën dhe më bukur dukesh. Në skenë dhe ekran, sigurisht që kam një kujdes tjetër. Nuk frekuentoj qendrat e estetikës, jo se nuk kam dëshirë edhe unë të relaksohem dhe të më bëhet shërbim në to, por për veten nuk kam asnjëherë kohë, ndërsa për familjen apo miqtë, jam gjithmonë gati të përgjigjem edhe me sakrifica. Çështje karakteri! Si përfundim, nuk bëj as (zgjatje floku e masazhe, as pedikur e manikyr, por përdor nganjëherë ndonjë krem për fytyrën dhe kaq. Supersticioze? -Me raste. Ne të gjithë kur jemi në hall, kujtohemi për shenjat fatsjellëse, ose kthejmë sytë nga qielli e me “ahe” lusim shpëtimin tonë. Dhe unë nuk bëj përjashtim nga ky ritual i vjetër sa njerëzimi.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE