English

Vota taktike dhe interesi kombëtar

A mund të përfitojmë diçka nga zgjedhjet në Suedi ne si komb? Përgjigja, pa asnjë dyshim se është po. Konsideroj se nga kjo formë e reagimit qytetar dhe politikë, mund të përfitojmë ne si komb, në këto kohë kur jemi duke u konsoliduar si komb. Nga kjo filozofi kombëtare, mund të përfitohet dhe kjo është më se e dobishëm kombin shqiptar. Teksa lexoja artikullin në gazetë, menjëherë mendja më shkoj te kombi shqiptar, te shtetet tona, në të cilat politika është pikë e pesë, e në të cilat, e mira e përbashkët dhe interesi kombëtar nuk ekziston. Apo, është vetëm formë e jashtme me abuzua me lehtë më pushtetin

Ediga Kuci- Ukaj

Çfarë mund të mësojmë nga jeta politike suedeze?

Është muaji i zgjedhjeve ne Suedi dhe si rrallëherë më parë, jo vetëm opinioni suedez, por edhe ai ndërkombëtar, është shumë i përqendruar të kuptoj ecurinë e tyre dhe sidomos epilogun. Në traditën politike suedeze, zakonisht zgjedhjet janë shumë të qeta, pa zhurmë të madhe kombëtare e ndërkombëtare. Mirëpo, kësaj here, çështja është pak më ndryshe. Këto zgjedhje, si kurrë më parë, kanë sfiduar demokracinë suedeze dhe e kanë vënë para një rreziku. Prandaj, edhe thuhet se kësaj here, është një ndër betejat më të ashpra në historinë politike moderne suedeze, ku për Parlamentin e ardhshëm, luftojnë ashpër aleanca e djathtë, e përfaqësuar nga katër parti që qeverisin sot Suedinë dhe Bllokut të majtë opozitar, në të cilën janë rreshtuar tre parti. Ajo çka i bënë të veçanta dhe për shumëçka shqetësuese këto zgjedhjet, është rritja e ekstremit të djathtë, Demokratët suedez (Sverigedemokraterna), një lëvizje kjo që konsiderohet me rrënjë naziste, e tipit të lëvizjeve që kemi parë viteve të fundit Holandë, Danimarkë dhe Hungari, etj. Ky i quajtur rrezik, si asnjëherë më parë, ka unifikuar opinionin e gjerë suedez, në atë që është interes kombëtar. Në këtë aspekt, e gjithë fushata politike, sikurse në mesin partive të Aleancës së djathtë në pushtet dhe Bllokut opozitar të majtë, është e orientuar të rreziku që paraqet e djathta ekstreme në këto zgjedhje, e cila, sipas sondazheve të bëra në Suedi, duket se do të kaloi pragun zgjedhor dhe do të hyjë në Parlament. Ky fakt dhe këto lëvizje, kanë motivuar, sikur partitë e djathta që drejton qeverinë e tanishme dhe bllokun e majtë opozitar, që të mbajnë një qëndrim të prerë në raport me këtë ekstrem politikë, duke theksuar, të gjitha partitë, pa ekoivokte, se asnjë parti, në çfarë do rrethana qoftë, nuk do të bashkëpunoj dhe bisedoj me këtë parti. E gjithë kjo motivohet nga fakti se me forcimin e tyre, rrezikohet stabiliteti kombëtar, zhvillimi dhe mirëqenia kombëtare suedeze.

E mira e përbashkët dhe interesi kombëtar

Ky reagim kaq i mençur i politikës suedeze, popullit dhe inteligjencës, tregon sa i rëndësishëm është interesi kombëtar dhe si duhet tejkaluar dallimet politike, për t’ mos lejuar një vijë të ashpër politike të bëhet vota e artë për krijimin e qeverisë së ardhshme suedeze. Madje, duhet theksuar se ka një pëlqim nga të gjitha forcat politike, te majta dhe të djathta, të cilat, duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet demokratike, komunikimin me opinionin, mediat, elektoratin, të luftojnë dhe të bëjnë të pamundshme futjen e kësaj lëvizje në parlamentin suedez. Sondazhet e javës së fundit, treguan se kjo lëvizje është duke shkuar drejt parlamentit suedez, pasi që ndodhet mbi 4 % e duhur. Dhe pikërisht kjo situatë e paqartë dhe ky rrezik me të cilin ballafaqohet Suedia, ka ndikuar që në sondazhin e fundit të prezantuar nga gazeta Svenska Dagbladet me datën 14 shtator, e të monitoruar nga Sifo, afërsisht 42% e të anketuarve të deklarohen se janë në gjendje të tërhiqen nga përcaktimet e tyre të para politike-pra votuesit besnik, sipas këtij sondazhi do të votojnë për njërën parti tjetër brenda bllokut politik, për ta ruajtur unik dhe kështu, në të njëjtën kohë, synojnë të pengojnë Demokratët suedez të hyjnë në parlament. Këta votues, janë në gjendje, sipas sondazhit në fjalë, të votojnë parti tjera që nuk i parapëlqejnë, në të mirë të interesit kombëtar, për të penguar kështu qe Demokratët suedez të bëhen rrezik për ekuilibër politikë në parlament dhe në vend. Kjo votë, është quajtur si votë taktike dhe qëllimi i kësaj është që duke votuar për parti të vogla, të cilat mund të rrezikohen te dalin nga parlamenti, të ndihmohen blloqet respektive politike dhe në të njëjtën kohë Demokratët suedez, të pengohen të hyjnë në parlament. Kjo votë, e quajtur mençur, si taktike, shkon në të mirën e Aleancës së djathtë apo Bllokut të majtë dhe kësisoj, është në të mirë të interesave kombëtare suedeze. Kjo filozofi politike dhe kjo formë e reagimit qytetar, në raport me politiken, sipas shpjegimit të gazetës në fjalë, nuk është diçka e re në politiken suedez. Pra, sa herë që cenohet interesi kombëtar, suedezët dinë të veprojnë në mënyrë strategjike, për ta mbrojt atë dhe për ta sforcuar atë karshi tendencave tjera që paraqesin rrezik. Populli suedez, elita, mediat dhe politika, me shumë urtësi, me mençuri dhe qetësi publike, dinë të tejkalojnë dallimet e vockla, për hir të mirës së përbashkët. Ky shpjegim dhe kjo formë e reagimit qytetar suedez, nuk ka sesi të mos zgjojë vëmendjen e një vrojtuesi të jetës politike suedeze dhe asaj shqiptare.

Zgjedhjet në Suedi dhe shqiptarët

A mund të përfitojmë diçka nga zgjedhjet në Suedi ne si komb? Përgjigja, pa asnjë dyshim se është po. Konsideroj se nga kjo formë e reagimit qytetar dhe politikë, mund të përfitojmë ne si komb, në këto kohë kur jemi duke u konsoliduar si komb. Nga kjo filozofi kombëtare, mund të përfitohet dhe kjo është më se e dobishëm kombin shqiptar. Teksa lexoja artikullin në gazetë, menjëherë mendja më shkoj te kombi shqiptar, te shtetet tona, në të cilat politika është pikë e pesë, e në të cilat, e mira e përbashkët dhe interesi kombëtar nuk ekziston. Apo, është vetëm formë e jashtme me abuzua me lehtë më pushtetin.

Për shumicën e popullit suedez, nuk është më rëndësi nëse fiton e djathta apo e majta, përkundrazi, për ta, është më rëndësi të funksionon sistemi suedez dhe populli të kenë qeveri stabile dhe unike, në të mirë të shtetit dhe imazhit të tij ndërkombëtar.

Sigurisht se në botën e sotme, kur rrjeti i informacionit është si kurrë më parë i zhvilluar dhe kur varshmëria prej njëri tjetrit, është bërë e dobishme dhe e domosdoshme, njohja me këto lëvizje dhe trende politike të përbotshme, është në interes kombëtar. Mendoj se nga kjo filozofi politike suedeze, kombi ynë mund të mësoj shumë. Duke e kuptuar se shteti dhe interesat kombëtare, janë gjithmonë mbi dallimet e ulëta fisnore dhe partiake primitive, ne arrijmë të krijojmë një shoqëri të konsoliduar, unike dhe stabile e pa tensione. Nga kjo filozofi dhe nga ky reagim i mençur qytetar, shqiptarët mund të mësojnë se si, atëherë kur vjen në shprehje interesi kombëtar, duhet të veprohet si një trup i përbashkët, për të ruajt dhe për të sforcuar substancën e përbashkët. Dhe kurrsesi, me luftua me ja nxjerr sytë njëri-tjetrit, për interesa dytësore, personale dhe nga xhelozia banale.

Politika shqiptare asnjëherë s’ka treguar deri me sot vetëdije qytetare për interesa madhore kombëtare. Ajo, asnjëherë nuk ka arrit të bëjë kompromise fundamentale për atë që është interes kombëtar. As politika dhe as populli, nuk kanë dëshmuar aftësi, guxim dhe përcaktim me dëshmue me fuqi dhe bindje bashkimin, atëherë kur e ka kërkua koha, për qëllime të mëdha.

Cila parti politike shqiptare është në gjendje të tërhiqet nga interesat ditore politike për një ideal më të madh? Gjendja e politikës shqiptare, analizat e shumta që bëhen rreth saj, me tërë komedinë e saj, dëshmojnë pikërisht të kundërtën. Duhet vite dhe shteti shqiptar nuk arrin të bëjë një kompromis për zgjedhjet e fundit, të cilat janë shndërruar në një komedi politike. Aspak më mirë nuk është gjendja në Kosovë, ku hasmëria mes partive është në rrafshe banale dhe ku populli është më i përçarë se kurrë, mbi baza ideologjike, fisnore, rajonale, etj, etj.

Përveç standardeve europaine për integrim, ne duhet të mësojmë dhe t’i shfrytëzojmë, mbi të gjitha parimet mbi të cilat funksionon shoqëria perëndimore. Kombi ynë, ka nevojë të edukohet në frymë të idealeve të përbashkëta, të jetë e aftë dhe në gjendje sakrifikohet për interesa kombëtare, madje, kur është nevoja edhe duke hequr dorë nga përcaktimet e ngushta politike, fisnore, rajonale, etj.

As atëherë kur kërkohet një unitet politik nga Bashkimi Evropian për t’i sendërtuar interesat dhe harmonizua qëllimet, politika kombëtare në Shqipëri nuk bashkohet. As në këtë kohë kur shteti i Kosovës është duke marr këmbët, populli dhe politika nuk është e bashkuar. Njësoj është situata me shqiptar në vende tjera.

Për çdo lëvizje të rëndësishme politike, mbi qeveritë tona, partitë shqiptare, duhet të bëjë presion faktori ndërkombëtar, me krijua kompromis. Ky është turp kombëtar.

Të duash integrimin, do të thotë, përveç tjerash, të përfitosh, ta shfrytëzosh modelin, sidomos në pikat e dobishme.

Është koha që edhe ne të vetëdijesohemi e të kuptojmë, çfarë është interes kombëtar e çfarë jo. Duke u vetëdijesuar për këtë, rruga jonë drejt zhvillimit, mirëqenies dhe integrimit do të jetë më e shkurtër dhe më e sigurt.

(*) Dërguar nga autorja, publiciste

KOMENTE