English

Zgjedhjet, dhunë dhe parregullsi

Afganët u janë drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur kandidatët e tyre për Parlamentin e ri. Talibanët kanë nisur një varg sulmesh në qendra votimi në zona të ndryshme, duke u munduar që ta pengojnë procesin Nga Muhammad Tahir & Charles Recknagel Derisa afganët po votojnë, talibanët po bëjnë mjaft që të pengojnë procesin votues. Militantët radikalë islamikë kanë kryer një seri sulmesh në qytete të krahinave të ndryshme, mirëpo ende nuk është raportuar zyrtarisht për viktima.

Megjithatë, dy punonjës zgjedhorë janë lënduar pas një sulmi që talibanët ndërmorën në një qendër votimi në krahinën Khost. Në kryeqytetin Kabul, një sulm me raketë u krye në afërsi të Ambasadës Amerikane dhe shtabit të forcave të NATO-s. Ende nuk është e qartë nëse dhuna e nisur që në mëngjes do të ndikojë në përqindjen e afganëve që do t’u drejtohen qendrave të votimit. Në kryeqytet, që konsiderohet si vendi më i siguruar në tërë Afganistanin, ardhja e votuesve ka qenë e kënaqshme, që kur u hapën qendrat e votimit në orën 7 të mëngjesit. Votuesit afganë, njëjtë sikurse Sajed Ahmed Xhamal Murabez, shpresojnë që vota e tyre të ndihmojë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin e tyre. “Natyrisht, një votë mund të ndryshojë fatin e një kombi, nëse qeveria zgjidhet në bazë të votave të popullit”, thotë votuesi Murabez. Përpos dhunës, procesi votues po karakterizohet edhe nga ankesat e votuesve lidhur me fshirjen e ngjyrës, e cila e verifikon që një person e ka shfrytëzuar të drejtën për të votuar. Disa votues afganë ishin mbledhur në korridorin e një prej qendrave të votimit për të debatuar rreth kësaj çështjeje. “Problemi është se unë erdha sot për të votuar, mirëpo pasi votova, i pastrova duart dhe vërejta që ngjyra u hoq. Ka edhe njerëz të tjerë që thonë se edhe atyre u ka ndodhur e njëjta gjë”. “Përpos kësaj, në këtë qendër votimi nuk kanë pajisje të veçantë që të bëjnë një shenjë në kartelën time të regjistrimit dhe për këtë arsye, kartelat priten pak me gërshërë”, shprehet votuesi Torilaj në Kabul. Përdorimi i ngjyrës dhe bërja me shenjë e kartelave regjistruese janë një masë e ndërmarrë për të evituar që një person të votojë dy herë. Sidoqoftë, siç deklaron për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Fondacionit për Zgjedhje të Lira dhe Fer, Xhandad Spinghar, çështja e sigurisë është më e ndjeshme. “Shqetësimi kryesor është siguria. Në ato vende ku nuk ka siguri sa duhet, atëherë natyrisht që Komisioni Zgjedhor nuk do jetë në gjendje që të verifikojë paanshmërinë e stafit të saj. Mungesa e paanshmërisë nga ana e stafit nëpër qendra të votimit mund të ofrojë mundësi të shumta për manipulime të ndryshme”, thotë Spinghar. Zgjedhjet presidenciale afgane që u mbajtën në vitin 2009 u karakterizuan nga manipulime të mëdha në raundin e parë. Hamid Karzai u rizgjodh vetëm pasi kundër-kandidati i tij u tërhoq nga raundi i dytë duke thënë se një proces fer i votimit nuk ishte i mundshëm. Zgjedhjet parlamentare shihen si shumë të rëndësishme pasi roli i parlamentit është fuqizuar së fundi duke pasur të drejtën që të mos aprovojë ligjet e qeverisë, e as kabinetin qeveritar të nominuar nga Karzai. RFE

KOMENTE