English

14 shtatori, si shkollë e ardhjes në pushtet

Sigurisht, veprimi i Ramës për të bllokuar turmën për të kryer veprime të paligjshme është korrekt, por nuk ka asnjë vend në standardet tona, ku protesta në rrugë të sjell në pushtet. Ndaj, kur edhe Sali Berisha e thotë këtë, ka të drejtë. Vetëm se nuk e thotë fjalinë e plotë. E cila është: nuk ka protesta paqësore në rrugë, që të sjellin në pushtet. Për këtë, mjaft të kujtoni 14 shtatorin

Nga Sokol Balla

Pas emisionit TOP STORY, shfaqur këtë javë mbi ngjarjet e 14 shtatorit, ka patur reagime të shumta: nga ata të sapokthyer nga pushimet, që më thanë se emisioni u kishte shkaktuar dhimbje në stomakun e sapoqetësuar; nga ata që kishin harruar akuzat ndaj Nanos dhe të çuditur më pyesnin pse vrasja e Azemit cilësohet ende politike. Por reagimi më interesant, e që ia vlen ta ndaj në këtë shkrim, ishte i një deputeti të opozitës, të cilit i kishin ardhur shumë mesazhe, me të njëjtin thelb: “E patë TOP STORY-n? Merrni shembull nga Berisha, kështu vihet në pushtet”. Natyrisht, deputeti që i përket së resë në PS, nuk ndante të njëjtin mendim me këto mesazhe që i vinin nga baza, por druaj se ai është më i paqartë sesa votuesit e tij për 14 shtatorin. Deputetët e PS-së, me në krye kryetarin e tyre, u bindën me zor të heqin dorë nga pacifizmi budisto-politik dhe të fillojnë protestat, pasi prej vitit 2008 kishin planifikuar një ardhje në pushtet në rrugë perëndimore, pra me votën e shqiptarëve. Por kjo nuk ndodhi. Mund të thuhen shumë gjëra, por një është e vërtetë. Në kushtet aktuale që jeton vendi, në stadin e çoroditur të demokracisë xhenuine dhe jakobine tonën, 14 shtatori është shkolla e vërtetë sesi mund të vish në pushtet me vota, pasi të rrëzojnë prej tij me armë. Dhe këtë nuk e them vetëm sepse, duke iu referuar të gjitha literaturave mbi atë që quhet teori e insurgency apo counterinsurgency in the 21-rst century (kush të dojë mund t’i referohet literaturës dhe internetit me këto dy terma), 14 shtatori, padyshim, ishte një kryengritje. Ajo kishte një motiv – vrasjen e një lideri të opozitës – një arsye – përfshirjen e strukturave shtetërore, aktivisht apo pasivisht në vrasjen e tij – si dhe qëllimet e saj. I pari ishte rrëzimi i qeverisë Nano dhe i dyti ringjallja e idesë së rikthimit të PD-së në pushtet, me të gjitha mënyrat. Qëllimi i parë synonte rrëzimin që Nano të perceptohej si fajtori apo, së paku, përgjegjësi i ngjarjes dhe i dyti, duke lidhur kështu këtë ngjarje me dhunën e vitit 1997, të ngrinte moralin e mbështetësve të mpakur dhe të frikësuar të opozitës, drejt një balancimi të forcave në publik. Kjo, sepse lëvizja e 14 shtatorit kishte edhe justifikimin e saj: kryengritjen e armatosur për rrëzimin e qeverisë së PD-së, dalë nga zgjedhjet e deformuara të 26 majit 1996 dhe fajtore për humbjen e qindra miliona eurove në skemat piramidale. Por 14 shtatori dhe dhuna e tij, rregulloi në psikozën e mbështetësve të opozitës edhe atë që instiktivisht quhej edhe si disfatë në luftën e forcës: përplasjen fizike mes vullnetarëve të armatosur të Veriut, me kryengritësit e armatosur të Jugut. Në orët e vona të 14 shtatorit, kur ushtria dhe policia ia mbathën me të katërta, me bisht ndër shalë, nga disa demonstrues me pak armë dhe shumë bishta çadrash, Berisha është ndjerë njeriu më i lumtur në botë, duke dhënë urdhër për tërheqje, që ndodhi brenda më pak se një ore. Balanca “ushtarake” ishte arritur. Tani kishte ardhur momenti i fazës së dytë. Në ballkonin e selisë blu, ai ju drejtua mbështetësve, të cilët kishin lënë armët dhe tani tundnin vetëm bishtat e çadrave, me një shprehje në gojë që nuk u shkonte fare: “Zgjidhje politike, zgjidhje politike!” Menjëherë Azem Hajdari dhe vrasja e tij u shndërruan vetëm në një motiv politik të strategjisë së opozitës, për të përdorur vrasjen e tij dhe kryengritjen 24-orëshe për të nisur rrugën e rikthimit në pushtet. Këtë e them pa asnjë ngarkesë, pasi çdo parti politike duhet të vepronte në të njëjtën mënyrë. Kush vepron ndryshe, së paku në vende me stadin e Shqipërisë, nuk e njohin mirë atë dhe është i destinuar të humbasë, siç do ta shpjegojë pak më vonë. Kështu, pas 14 shtatorit erdhi dorëheqja e Fatos Nanos. Në kryengritje kishin bashkëpunuar pasivisht dhe aktivisht struktura shtetërore dhe një pjesë e mirë e kabinetit qeveritar. Poli i ri i pushtetit, i krijuar rreth “Grupit Zjarri” të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, spostoi ish- liderin e Bënçës, duke krijuar kështu mëri tek ai dhe mbështetësit e tij jo të pakët. Kjo krijoi bindjen tek nanoistët, se rrëzimi pas 14 shtatorit ishte përgjegjësi e Klosit, e Gjinushit, e Meidanit, gati-gati po aq sa e Berishës. Dhe ndërsa lëvizja e Berishës ishte e justifikuar si kundërshtar, kjo e brendshmja u quajt e ulët, ndërsa përpjekjet për rikthim të moralshme. Kështu, fiks pas një viti, në shtator të 1999-s, Nano nisi fushatën e rikthimit. Fillimisht në parti, me kongresin e Nëntorit, e më pas edhe në qeveri, një betejë kjo që zgjati më shumë, ishte më e ashpër – falë Ilir Metës – dhe sigurisht më konsumuese. Rrëzimi i kryeprokurorit Arben Rakipi, – ku Berisha bashkoi votat me Metën – dhe shkarkimi i Fatos Klosit, – ku Berisha bashkoi votat me Nanon, si dhe marrëveshja që i dha atij presidentin, ishin hapat e tjerë të rikthimit të Berishës në pushtet. Korriku 2005 ishte thjesht një formalitet. Nano iku i gëzuar nga pushteti, pasi sipas tij kishte eleminuar gjithë armiqtë e brendshëm dhe ishte pajtuar edhe me Berishën, i cili në shkëmbim ia fali “vrasjen” e Azem Hajdarit. Edhe sot e kësaj dite, gëzimi i ikjes së Nanos nga pushteti, provohet nga fakti se ish-Kryeministri i kërkoi stafit të tij në shtator të 2005-s, hartimin e një protokolli festiv për dorëzimin e zyrës, ku do të merrte pjesë edhe vetë. Një plan që ekziston akoma edhe sot, i shkruar e zeza mbi të bardhë, por që nuk u pranua nga Berisha, i cili nuk donte në asnjë mënyrë të lindte dyshimi, se në marrjen e pushtetit kishte dikush tjetër meritë veç tij. Dhe kishte të drejtë. Merita ishte vetëm e tij dhe e 14 shtatorit, ditën kur u brumos projekti i ardhjes në pushtet të PD-së. Ndaj ata socialistët e thjeshtë që morën deputetin e tyre në telefon për t’i thënë të mësonin nga Doktori i Tmerrshëm sesi vihet në pushtet, kishin të drejtë. Ata nuk mund të honepsnin vrasjen e Fatmir Xhindit, por edhe mënyrën sesi krerët e PS-së reaguan pas këtij akti ende të pazbardhur, siç janë rëndom vrasjet politike. Ata e quajnë të papranueshme sesi kreu i PS-së në vend që të mblidhte protestën më të madhe të opozitës, bëri bodigardin e Jozit, që kërkonte me çdo kusht të futej dhe të qante ditën Fatmir Xhindin e vrarë natën. Kështu shpjegohet edhe frustrimi i tyre në mitingjet para Kryeministrisë, ku më i ashpër ndaj tyre, nuk është Gjergj Jorgo, por Edi Rama, që nuk i lejon ata, të vendosin në vend balancën e prishur të forcave. Sigurisht, veprimi i Ramës për të bllokuar turmën për të kryer veprime të paligjshme është korrekt, por nuk ka asnjë vend në standardet tona, ku protesta në rrugë të sjell në pushtet. Ndaj, kur edhe Sali Berisha e thotë këtë, ka të drejtë. Vetëm se nuk e thotë fjalinë e plotë. E cila është: nuk ka protesta paqësore në rrugë, që të sjellin në pushtet. Për këtë, mjaft të kujtoni 14 shtatorin.

Marrë nga revista MAPO

KOMENTE