Transparenca e zgjedhjeve të vitit 2009 do të vijojë të qëndrojë si një shkëmb në rrugën që do të ndjekin zhvillimet politike të vjeshtës. Vendi nuk do të hedhë dot asnjë hap real përpara pa i dhënë zgjidhje krizës që ka prodhuar refuzimi i transparencës nga Qeveria. Për fat të keq, Shqipëria humbi një vit pa bërë asgjë konkrete
Nga Preç Zogaj Ishte krijuar përshtypja se rezoluta e fundit e Parlamentit Europian për hetimin e zgjedhjeve të qershorit 2009, e kishte mbledhur Qeverinë shqiptare; se më në fund, pas shumë dështimesh, shumica dhe opozita do ta gjenin kompromisin e munguar për hetimin e zgjedhjeve. Por, KQZ-ja ka menduar për t’i ndezur fitilat. Katërshja qeveritare në këtë institucion të politizuar me ligj pritet të votojë në një prej ditëve të ardhshme një projektvendim për djegien e fletëve të votimit. Për këtë është parashikuar blerja e 500 litrave benzinë! Unë nuk e di se për djegien e fletëve të votimit kërkohet doemos benzinë dhe jo një lëndë tjetër djegëse apo një mënyrë tjetër asgjësimi. Ndoshta s'ka rrugë tjetër. Ndoshta ka dhe rrugë të tjera, por dikush ka menduar me djallëzi këtë zgjidhje tontonamakutësh. Sido që të jetë e vërteta, në rastin e dhënë "benzina" ka një tingëllim fatal. Vetiu të shkon mendja se 500 litrat e planifikuara do të përdoren jo vetëm për të djegur fletët, por edhe për t'iu vënë zjarrin urave të dialogut dhe komunikimit midis opozitës dhe qeverisë, pra disa gjërave shumë të mëdha, që lidhen me demokracinë dhe integrimin e Shqipërisë në Europë. Kush ka ëndërruar përplasjen në shtëpi dhe ftohjen me miqtë nuk mund të gjente në këtë periudhë një zgjidhje më ideale se djegia e fletëve. Formalisht, arsyeja pse merret ky vendim është lirimi i kutive të votimit për t'i bërë gati për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Kësisoj, KQZ-ja duket sikur sheh punët e veta, nuk di ç'bëhet rreth e rrotull dhe nuk "merret me politikë"! Por, kush mund ta besojë këtë përrallë, kur dihet se ishte pikërisht shumica në KQZ që shkeli hapur nenet 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor për rinumërimin, duke e futur politikën shqiptare në një ngatërresë që nuk i duket ende fundi! Nga ana tjetër, kush nuk e di se Shqipëria është ndërkombëtarisht në krizë dhe në ngërç, pikërisht sepse opozita, BE-ja dhe OSBE-ja nuk janë marrë vesh me qeverinë për fatin e fletëve! Është e qartë se paralajmërimi për djegien e fletëve është një provokacion dhe një sfidë. Në radhë të parë, ndaj Parlamentit Europian që i ka kërkuar Shqipërisë në mënyrë solemne hetimin e materialeve elektorale të zgjedhjeve të kaluara. Në radhë të dytë, ndaj OSBE-së që ka kërkuar ruajtjen e fletëve të votimit gjatë procesit të hetimit parlamentar. Në radhë të të tretë, ndaj opozitës shqiptare që është përfshirë që prej një viti në një përpjekje historike pa precedent për të garantuar zgjedhjet e lira në Shqipëri nëpërmjet transparencës së zgjedhjeve të kaluara. Guxim i madh për katër komisionerë të hedhin sfida kaq të mëdha me pasoja të pallogaritshme. Por, ata që kanë guxuar të shkelin Kodin Zgjedhor në dëm të opozitës dhe në dobi të qeverisë, nuk kanë asnjë problem "ta zbatojnë" Kodin në funksion të debatit të ditës! Po të mos ishin shërbëtorë të verbër të qeverisë, partia që i ka zgjedhur duhej t'i kishte marrë në analizë qëkurse prokuroria zbardhi manipulimet e turpshme të Ruzhdijes, manipulime të cilat këta komisionerë i kishin kaluar si verdikt të zgjedhësve. Asnjë masë nuk është marrë, gjë që tregon se për hesapet e qeverisë ata nuk kishin gabuar, por thjesht ishin kapur. Kjo është arsyeja që vendimet me impakt politik të KQZ-së nuk i konsideron kush vendime të një institucioni të pavarur, por si vendime të shumicës së zotit Berisha. Edhe projektvendimi për djegien e fletëve në kulmin e debatit për fletët kështu lexohet. Qeveria nuk po arrin ta përligjë me argumente logjikë dhe juridikë pozicionin e vet platonik në lidhje me hetimin e zgjedhjeve. Sidomos pas publikimit të rezolutës së Parlamentit Europian, qeveria ka dalë fare zbuluar në përpjekjen e vet për të penguar e sabotuar transparencën. Në këto kushte, duke shfrytëzuar shpalljen e zgjedhjeve lokale nga Presidenti i Republikës, hidhet në lojë varianti "ligjor" i 500 litrave benzinë për të djegur fletët. Ky vendim, nëse do të vihej në jetë, do ta mbyllte vërtetë ragbinë e stërzgjatur për hetimin e zgjedhjeve. Por do ta mbyllte në mënyrën me të keqe të mundshme. Ai do t'i hidhte benzinë zjarrit. Opozitës do t'i mbeteshin vetëm sheshet, vetëm protestat. Kësaj radhe, opozita nuk do të ndalohej më nga ndërkombëtarët. Kurse mazhoranca dhe kreu i saj do të humbnin përfundimisht opozitën e tyre, që është një humbje nga më të rëndat e të pariparueshmet në demokraci. Asnjë opozitë normale dhe demokratike nuk mund të shkojë në zgjedhje "si cjapi te kasapi". Nuk ka vallë zgjidhje të tjera, përveç benzinës? Sigurisht që ka. Një zgjidhje është blerja në kohën e duhur e kutive të reja për zgjedhjet e ardhshme vendore. Një zgjidhje tjetër është fillimi pa humbur kohë i hetimit parlamentar. Po të ketë vullnet të mirë nga qeveria, hetimi mund të përparojë me shpejt se sa mendohet. Në rastin më të keq hetimi mund të kërkojë shtyrjen pak ditë të zgjedhjeve lokale, ndërkohë që mungesa e hetimit e vë në pikëpyetje të plotë mbajtjen e atyre zgjedhjeve. Kjo është e vërteta. Transparenca e zgjedhjeve të vitit 2009 do të vijojë të qëndrojë si një shkëmb në rrugën që do të ndjekin zhvillimet politike të vjeshtës. Vendi nuk do të hedhë dot asnjë hap real përpara pa i dhënë zgjidhje krizës që ka prodhuar refuzimi i transparencës nga Qeveria. Për fat të keq, Shqipëria humbi një vit pa bërë asgjë konkrete. Qeveria gjithnjë ka dashur të fitojë kohë, duke synuar të lodhë opozitën, me qëllim që lëvizja e saj të bëhet sa më vulnerable dhe të humbasë mbështetjen nga publiku. Kjo ka qenë një betejë e gjatë, por opozita ka treguar se nuk lodhet. Mendoj se zgjidhja finale nuk do të mund të shtyhet përtej vjeshtës. Asnjë alibi nuk vlen më.