Tiranë, 19 shtator, NOA Milena Selimi - Marilu quhet vajza e kantautorit Frederik Ndoci dhe këngëtares Alisa Baraku. Vogëlushja ka ardhur në jetë më 14 shtator me këngë dhe të qeshura, që s’kanë pushuar nga dy artistët deri në momentin e lindjes.
Kantautori Frederik Ndoci ka asistuar në lindjen e vajzës së tij. Burime afër çiftit të njohur thanë për Agjencinë NOA se këngëtari shkodran e ka pritur me këngë ardhjen në jetë të vajzës së tij, gjë e pazakontë për stafin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe dy mjekët që kanë asistuar në lindjen e vajzës Ilir Bylykbashi dhe Erlin Kurti.
Lidhja e dashurisë mes këngëtarit të njohur shkodran Frederik Ndoci dhe Alisa Barakut është bërë më e fortë me lindjen e fëmijës së tyre.
Vetë këngëtari ka qenë pranë të dashurës së tij në sallën e operacionit kur ka ardhur në jetë Mariluja. Artisti dhe në këto momente të veçanta të jetës së tij ka zgjedhur të mos heq dorë nga profesioni i tij.
Foto ekskluzive të siguruara nga Agjencia NOA tregojnë Frederik Ndocin që në momentin e ardhjes në jetë të vajzës së tij ka marrë në dorë mikrofonin dhe ka kënduar.
Kantautori prej disa kohësh bashkëjeton me këngëtaren Alisa Baraku. Marilu është vajza e tyre e parë. U urojmë artistëve jetë të gjatë dhe të lumtur vajzës së tyre!
m.s/NOA