English

Jasin Kadi i kullave binjake në Tiranë, fiton gjyqin kundër tij në SHBA

Dhjetorin e kaluar dha një vendim edhe Gjykata e Krimeve të Rënda

Nju Jork, 19 Shtator 2010 NOA – Akuzat për terrorizëm që lidheshin me ngjarjen e 11 shtatorit 2001 në SHBA, kanë rënë për Jasin Kadi (Yassin Kadi) pasi gjykata ka rrëzuar pretendimet e organit të akuzës.

Sheiku i cili është pronar dhe në kullat binjake që gjenden në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ka dërguar sot një material për media ku demonstron vendimin e gjykatës.

Sipas vendimit që shpalli gjykatësi George Daniels dhënë më 13 shtator në gjykatën e Nju Jorkut, është pezulluar çështja civile e ngritur nga familjarët e viktimave të 11 shtatorit.

Sipas akt-padisë, Kadi bën pjesë në njerëz të kompanive dhe qeverive të botës myslimane, që janë cilësuar si të lidhur me Al Kaedën, prandaj në mënyrë direkte apo indirekte, ata kanë qenë përgjegjës për ngjarjen e 11 shtatorit 2001.

Përmes çështjes së hapur, kërkohej dëmshpërblimi tre miliardë USD si shpërblim dëmi të shkaktuar në ngjarjen e 11 shtatorit,

Paditësit i referuan faktit se Kadi është cilësuar nga Shtetet e Bashkuara, si një terrorist botëror bazuar në mbështetjen e tij ndaj Al Kaedas.

Kadi, ndodhet që nga 17 shtatori 2001 në listën OKB-së, si i dyshuar për financimin e terrorizmit.

Por gjykata e ka pezulluar çështjen duke evidentuar se pretendimet e ngritura ishin të pamjaftueshme.

Lidhur me vendimin ka dalë me një qëndrim sot edhe z.Kadi: “Unë jam një njeri i pafajshëm. Gjithmonë më janë dhënë mundësi të ndershme nga shteti dhe në këtë rast unë kam pasur mundësinë të vërtetoj që këto akuza janë të pavërteta”.

Më tej, ai ka shtuar: “Në biznesin tim, ose në aktivitete që lidheshin me bamirësinë, unë kurrë nuk kam mbështetur apo kam pasur ndërmend të jepja mbështetje për Osama Bin Laden ose grupin Al Kaida”.

Në këtë kuadër, Kadi tha edhe se: “Unë i dënoj pa hezitim, veprimet e Al Kaedës, po kështu edhe ato të 11 shtatorit 2001 dhe ndaj të njëjtën bindje me popullin amerikan dhe atë saudit, që terrorizmi i përfaqësuar nga Al Kaeda duhet luftuar”.

Kurse këtu, ka shtuar: “Gjithsesi beteja kundër terrorizmit nuk ka për t’u fituar kurrë, nëse të drejtat bazike njerëzore injorohen, nëse njerëzve iu mohohet e drejta për të demonstruar pafajësinë e tyre dhe nëse shënjestrohen njerëz të pafajshëm si unë”.

Në vijim z.Kadi ka shprehur dhe pakënaqësi për dëmtimin financiar që i është bërë: “Unë dhe të tjerë njerëz në pozicionin që ndodhem unë, jemi viktima të një “Guantanamoje” financiare që duket sikur nuk do të përfundojë asnjëherë”.

Kadi u mbrojt nga avokatët David Geneson dhe Guy Martin, Cameron Doley dhe Maitre Saad Djebbar.

Edhe në Shqipëri, Qeveria shqiptare e ka listuar në “black list” Al Kadinë. Sipas autoriteteve shqiptare, Kadi ka shfrytëzuar sipërmarrjen e tij për të ndihmuar më shuma parash Al Kaedan.

Për këtë, prona e tij, dy kullat binjake 18 katëshe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë janë sekuestruar nga shteti në mënyrë konservative. Një pjesë e ambienteve janë marrë për zyra shteti dhe pjesa tjetër janë shitur e pjesë-pjesë dhënë me qira. Nuk dihet sa është përqindja e saktë e Kadi në këto kulla.

Më 22 dhjetor të vitit 2009 Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 4 vjet burgim administratorin e Yassin Kadisë, Hamzeh Abu Rayyan për veprën penale të “fshehjes së fondeve dhe pasurive të tjera që financojnë terrorizmin”.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, u shpreh atëherë se nga hetimet e kryera i ka shkaktuar shtetit dëm ekonomik prej 80 mijë euro kur ushtronte detyrën si administrator i shoqërisë “Lloxhall”, sh.p.k. me pronar Yassin Al Kadi.

Argumentimi që kishte bërë Prokuroria e Krimeve të Rënda ishte ky: “Kjo shoqëri, nën administrimin e Hamzeh Abu Rayyan, në kundërshtim me kërkesat e ligjit, prej kohësh ushtronte aktivitetin e biznesit nëpërmjet dhënies me qira të pasurive të paluajtshme. Nga hetimi gjyqësor është provuar se vetëm në Tiranë, shoqëria “Loxhall” sh.p.k. ka 19 objekte të dhëna me qira, dhe pagesat për këto aktivitete ishin kryer me para në dorë, duke mos kaluar nëpërmjet sistemit bankar”.

r.n/e.r/NOA

KOMENTE