English

Kosovë, AAK: Ligji për Prishtinën peng i lojës politike

Prishtinë, 19 shtator, NOA – Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar sot dy partitë e koalicionit, PDK-në e Thaçit dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës se ligji për Prishtinën është peng i një loje politike që pushtetarët bëjnë me qytetarët prishtinas, për të zvarritur ligjin, që do të sillte një menaxhim dhe fiunksionim edhe më të mirë të kryeqytetit të Kosovës.

Madje AAK ngulmon edhe më tej duke theksuar se janë pikërisht mosmarrëveshjet e koalicionit PDK-LDK për këtë ligj që kanë çuar në humbjen e më se 30 milionë eurove.

Lidhur me vonesën e miratimit të këtij ligji, anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se kjo lojë politike ka bërë që Prishtina përgjatë këtyre viteve të përjetojë një kolaps të vërtetë, që nuk e ndihmon aspak jetën e qytetarëve të kryeqendrës kosovare.

Tahiri tha më tej se “ky ligj, i cili po shkon me shumë vonesë për tu debatuar në Komisionin Parlamentar, është një ligj i politizuar,dhe që për inatet politike mes PDK-së dhe LDK-së, ka bërë që Prishtina të jetë e vetmja kryeqendër në Evropë pa ligj”.

Sipas zotit Tahiri janë mbi 30 milionë euro që kanë humbur më kot vetëm për këtë periudhë kohore.

Ai tha se 14 milionë euro kanë humbur për Pallatin e Rinisë dhe 16 milionë euro kanë humbur nga granti 4%, që duhej t’i takonte Prishtinës.

AAK pas analizave të bëra mbi draft-ligjin për Prishtinën, i rekomandoi dy partive të koalicionit PDK-së dhe LDK-së, përcaktimin në ligj që kryetari i Komunës së Prishtinës të mos jetë edhe kryesues i Asamblesë, sepse kjo përgjegjësi sipas Tahirit, bie drejtpërdrejt ndesh me parimet e demokracisë dhe sepse ka të bëjë me dispozitën e Ligjit për përqindjen e buxhetit”.

Në këtë kontekst anëtari i AAK-së, nënvizoi se në ligj nuk ka një përcaktim të saktë sa i takon ndarjes së buxhetit, ndërkohë që një tjetër çështje e papërcaktuar mirë është edhe se Qendra e Rinisë nuk është e përfshirë në këtë ligj, një pikë kyçe sipas Tahirit që ka përbërë edhe debatin lidhur me këtë ligj.

AAk tha ndër të tjera se Komisioni për Administratën Publike dhe Pushtetin Lokal do të bëjë seancë dëgjimore publike lidhur me mendimin e projektligjit p?r qytetin e Prishtinës, e cila për herë të parë do të rregullojë me një ligj të veçantë qeverisjen dhe menaxhimin e kryeqendrës së Kosovës.

mit/NOA
KOMENTE