Londër, 19 shtator, NOA - Policia angleze ka liruar gjashtë të arrestuarit të cilët dyshoheshin për planifikim atentati ndaj Papës.
Lajmi konfirmohet nga autoritetet angleze të cila theksojnë se 6 të arrestuarit janë liruar pasi nuk përbënin kërcënim, raporton BBC.
Sipas BBC, 6 punonjësit e një firme pastrimi u arrestuan pasi u përgjua biseda e tyre. “Duhej hetuar ndaj një kërcënimi real”, thekson Scotland Yard-i pas kontrollit të 8 shtëpive në veri të Londrës.
Policia shton gjithashtu se nuk do ketë ndryshim niveli alarmi për vizitën e Atit të Shenjtë në ishull.
Ndërkohë që Papa Benedikti XVI do të përmbyllë sot vizitën e tij në Britaninë e Madhe pas 4 ditësh qëndrimi.
Pontifikati sot realizon udhëtimin e fundit brenda Britanisë, pikërisht në Birmingham në qendër të Anglisë ku do të bekojë Kardinalin Xhon Henri Njuman, një nga personat më të njohur në Angli që është konvertuar nga Anglikanizmi ne Katolicizëm.
Të shtunën, gjatë meshës në Katedralën e Vestminsterit në Londër, Papa Benedikti u kërkoi falje viktimave të abuzimit seksual nga priftërinjtë e Kishës Katolike.
Papa tha se shpreson që “kjo dhimbje e shkaktuar” të kontribuojë për shërimin e viktimave dhe pastrimin e Kishës.
a.k/NOA/RFE