Durrës, 18 Shtator 2010 NOA – Aktori i mirënjohur Mirush Kabashi ka shkaktuar orë paniku sot në Durrës pasi u zhduk në rrethana të mistershme gjatë një gare noti të organizuar nga një shoqatë e qytetit bregdetar.
Ka qenë paraditja e sotme në ora 11.00 një grup notarësh veteranë dhe të rinj ishin mbledhur për të zhvilluar një garë demonstrative notimi, që synonte rikthimin e një tradite të harruar në Durrës.
Pjesëmarrësit, mes të cilëve dhe Mirush Kabashi, u takuan pranë hyrjes kryesore të portit detar për ta nisur notimin nga kalata 0, pikërisht te vendi i quajtur te feneri, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Ndërsa nisi gara, befas askush nuk po e dallonte dot Mirushin. Të shqetësuar, organizatorët kërkuan ndihmën e policisë dhe kjo e fundit solli në vendngjarjen e supozuar, Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Për më shumë se një orë e gjysmë janë kryer kërkime nga toka dhe deti. Vetëm pasi kanë kaluar më shumë se 90 minuta, Mirush Kabashi është parë tek Shkëmbi i Kavajës, teksa dilte nga deti i lodhur dhe i rraskapitur nga koha e gjatë e qëndrimit në det duke notuar.
Ai është pyetur nga policia dhe ka rrëfyer se edhe pse notarët veteranë dhe djemtë e rinj, brenda të cilëve ishte, duhet të notonin të gjithë në afërsi të Kalatës 0, me destinacion pisten "Iliria" dhe kthimin sërish tek Kalata 0, krejt e kundërta kishte ndodhur me të. Ai kishte vendosur të përshkonte zonën nga porti dhe deri te Shkëmbi i Kavajës, duke theksuar se ishte një sfidë e tij.
Një sfidë, mirë, dakord, por jo e tij përderisa shumë njerëz u alarmuan ngaqë nuk tregoi askund, duke investuar policinë dhe FNSH për orë të tëra.
e.r/NOA