Shkup, 19 qershor NOA - Propozimi për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Maqedonisë dhe Serbisë vetëm me letërnjoftime ka nxitur debate midis qarqeve analitike dhe sektorit civil shqiptar në Maqedoni.
Analistët politik vlerësojnë se ideja e kësaj nisme e bërë nga ministri i brendshëm serb, Ivica Daçiç është një tendencë për të minimizuar dhe anashkaluar idenë e “mini-shengenit” ballkanit të propozuar nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Analisti politik, Nijazi Muhamedi tha se propozimi serb nuk është i rastësishëm dhe se ai vjen në një periudhë për të nënvlerësuar dhe injoruar çdo nismë rajonale që vjen nga Republika e Kosovës.
“Ka disa muaj ku nismëtare ishte pikërisht Kosova e cila së bashku me Shqipërinë artikuluan nismën për mini-shengenin ballkanik, por kjo iniciativë u prit në heshtje si nga Maqedonia ashtu edhe nga Serbia. Dhe tani këto dy vende dalin dhe i quajnë nisma të tyre”, ka deklaruar Muhamedi.
Sipas tij, Shqipëria gjithashtu si ideatore e “mini-shengenit” për lëvizjen e lirë duhet të propozojë një nismë të tillë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj dhe atyre të Maqedonisë vetëm me letërnjoftime dhe pa pasaporta.
“Tash Shqipëria, prapë mund ta konkretizojë këtë e para, kuptohet, pasi të ketë kryer formalitetet dypalëshe me Maqedoninë, por edhe vendet tjera të rajonit”, nënvizoi analisti Nijazi Muhamedi.
Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska ka theksuar pas takimit të djeshëm me homologun serb se nismat e lëvizjes së lirë me Shqipërinë, por edhe Kosovën akoma nuk janë shqyrtuar nga Qeveria e Maqedonisë dhe dikasteri i Ministrisë së Brendshme.
Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet e rajonit që praktikojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve vetëm me letërnjoftime, ndërsa e njëjta praktikë zbatohet mes Malit të Zi dhe Serbisë.
NOA/INA