English

Sllovaki, dështon referendumi për reformimin e parlamentit

Bratislavë, 19 shtator, NOA – Pjesëmarrja e vogël e votuesve ka çuar në dështimin e referendumit të mbajtur sot në Sllovaki, një referendum i kërkuar nga një parti e qendrës së djathtë për të reformuar parlamentin sllovak.

Autoritetet e institucionit të zgjedhjeve në Sllovaki njoftuan se në votimet e sotme morën pjesë vetëm 22.84 përqind e 4.3 milion votuesve sllovakë, që sipas zyrtarëve bëri që referendumi të dështonte, pasi pragu i nevojshëm i përcaktuar në kushtetutën e vendit për reformimin e parlamentit duhej të ishte 50 përqind e votuesve.

Referendumi për reformën në Parlamentin e Sllovakisë ishte iniciativë e partisë së qendrës së djathtë “Liria dhe Solidariteti”.

Një nga pikat reformuese që kjo parti kishte kërkuar ishte zvogëlimi i numrit të parlamentarëve dhe ulja e privilegjeve për politikanët.

Por, në kundërshtim me kërkesat e kësaj partie në referendum ishin qeveria e SaS, e cila e mori pushtetin në Korrik të këtij viti dhe opozita sllovake.

Në Sllovaki qëkurse vendi fitoi pavarësinë në vitin 1993 janë mbajtur plot 6 referendume, por vetëm njëri arriti të mbledhë votat e sllovakëve, referendumi i vitit 2003 që vendosi që Sllovakia t’i bashkohej Bashkimit Evropian.

mit/NOA
KOMENTE