English

Tërhiqet Jeremiç?

Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, ka dhënë dorëheqje pas bisedës që pati me presidentin Tadic. Siç njoftohet jozyrtarisht, arsyeja kryesore për këtë lëvizje të tij është rezoluta për Kosovën në Kombet e Bashkuara, megjithëse realisht e gjithë politika e jashtme e Serbisë e udhëhequr nga Jeremic , e nën patronazhin e Tadic, muajve të fundit pësoi fiasko në skenën ndërkombëtare.

Për atë se çfarë politike u udhëhoq ndaj vendeve në rajon, dhe në çfarë mënyre Jeremic kultivoi marrëdhënie me fqinjët e parë të Serbisë nuk duhet folur shumë, sepse, përveç me Banjallukën, mezi që pati kontakte të tjera me shtetet e krijuara nga ish-Jugosllavia. Sipas portalit boshnjak bhdani.ba, i cili thirret në burime diplomatike, Jeremic dha dorëheqje pas konsultimeve me presidentin e Serbisë, Boris Tadic, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nga disa media beogradase, pas kthimit të tij nga New Yorku. Gazeta ‘Danas’ ishte e para që njoftoi për këtë gjë, megjithëse vetëm një ditë më vonë të gjitha gazetat e tjera njoftuan se dënimi i Jeremic ndërlidhet me pamundësinë e kandidimit për zëvendëskryetar të Partisë Demokratike (DS), e jo me braktisjen e postit të kreut të diplomacisë. Sa për përkujtim, dorëheqjen e Jeremic e kërkuan partitë opozitare serbe LDP dhe NS, ndërkohë që i pari i Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Tomislav Nikolic, pohonte se, në rast të mposhtjes së rezolutës serbe në OKB, do të kërkojë që kryeministri, Mirko Cvetkovic, dhe ministri i Brendshëm, Ivica Dacic, të japin dorëheqje. Gjatë mbajtjes së seancës së Kuvendi të Serbisë, më 26 korrik, Vuk Jeremic deklaroi se është i gatshëm të “bart konsekuencat” nëse deputetët e kërkojnë këtë gjë. Në mbrojtje të tij asokohe u ngrit presidenti Tadic, duke pohuar se politika shtetërore për Kosovën krijohet në kabinetin e tij. Dhe se ai ishte i kënaqur me performimit e ministrit të jashtëm serb. Por në tre muajt e fundit politika e jashtme e Serbisë shfaqi tërë paaftësinë e saj, duke turpëruar publikisht Serbinë në skenën ndërkombëtare. Fillimisht ishte rasti Ganic, gjatë të cilit u pranua haptas se bëhej fjalë për një tregti të pistë politike, e pastaj edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, kur pohohej se gjykata nuk ishte përgjigjur në pyetjen kryesore, e cila as që ishte parashtruar, ndërkohë që poshtërimi i fundit erdhi në formën e rezolutës së fundit në OKB. Vuk Jeremic aktualisht ndodhet për vizitë zyrtare në Kili. (e-Novine)

KOMENTE