English

Akuzat e PS, Financat: Ju shisni mosrealizimet e bashkisë si dështime të administratës fiskale

Tiranë, 20 shtator, NOA - Ministria e Financave përgënjeshtroi sot si të pavërteta dhe demagogji politike të rradhës deklaratat e fundit të deputetit socialist, Ilir Beqja për gjendjen e ekonomisë së vendit dhe financave publike.

Zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Eva Simoni në një konferencë për shtyp, deklaroi se “i vetmi zë që rezulton me mosrealizim të të ardhurave dhe madje nën faktin e 8 mujorit të vitit 2009, janë të ardhurat e Pushtetit Vendor dhe të bashkisë së kryetarit të zotit Beqja, të cilat kanë një defiçit prej 10 milionë dollarësh, siç deklaron ai që dëmton shërbimet që bashkitë duhet të ofrojnë për qytetarët, investimet, për infrastrukturën, pastrimin e qyteteve, funksionimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave”.

Andaj sipas Ministrisë së Financave, kriza e deklaruar nga opozita disa herë ka të bëjë thjesht me zhvillimet në oborrin politik të Edi Ramës. Gjithashtu zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Simoni bëri një panoramë të të ardhurave të buxhetit për tetë muajt e shkuar, të cilat janë rritur 6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas Simonit, muajt e fundit trendi i ekonomisë së vendit po shënon rritje të shpejtë.

“Dëshmi e kësaj është dhe fakti që në muajin gusht ekonomia e vendit ka rritur pagimin e detyrimeve ndaj buxhetit të shtetit me 20 % krahasuar me gushtin e vitit 2009”, tha zëdhënësja Simoni.

Ky trend i rritjes së ekonomisë, siguron, sipas MF-së, përmbushjen e plotë të objektivave të qeverisë, të miratuara në Kuvend për ligjin e buxhetit.

Zëdhënësja e MF-së, Eva Simoni foli edhe për qarkullimin e mallrave, që për këtë tetëmujor është 9.6 % më i lartë se 1 vit më parë, ndërkohë që inflacioni, dhe rritja e çmimeve vijon të jetë ndër më të ultat në rajon 3-4%.

Përkundër akuzave të opozitës se Shqipëria është në humnerën e krizës ekonomike, zëdhënësja e dikasterit të Financave ka vijuar të mbrojë, rritjen ekonomike në vend, që vijon të mbetet më e larta në rajon, si dhe që është bërë promotor i punësimit të rreth 14 mijë punonjësve të rinj.

mit/NOA
KOMENTE