English

Akuzat për koncesione, Meta: Opozita t’i çojë në prokurori, garantoj bashkëpunim

Tiranë, 20 shtator, NOA – Pas akuzave dymujore të opozitës lidhur me aferat korruptive të ministrisë mbi lejet koncensionare, akuzat të artikuluara ndaj ish ministrit Dritan Prifti, ministri i sapoemëruar i Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta deklaroi se opozita mund t’i drejtohet për akuzat e saj prokurorisë dhe jo atij si ministër.

I pyetur nga gazetarët rreth këtyre akuzave, që mund të kenë çuar pse jo edhe në largimin e ministrit Prifti nga detyra, ministri i Ekonomisë, theksoi se “si në rastin konkret, nuk është as etike dhe për mua është edhe e papranueshme. Por, absolutisht opozita i ka të gjitha mundësitë institucionale dhe është ftuar me kohë që të ndjekë rrugët ligjore, rrugët institucionale”.

Ministri Meta siguroi opozitën se përveç arsyes tashmë të bërë publike, “mundësia e re edhe nga ana fizike, pra ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës është shumë pranë edhe selisë së Partisë Socialiste, është shumë pranë edhe Bashkisë së Tiranës, kështu që në çdo rast, për çdo çështje që ata kanë, unë jam shumë i hapur për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive, në mënyrë transparente, dhe për të marrë në konsideratë mendimet dhe opinionet e tyre për çështje të rëndësishme të politikave ekonomike të vendit, të politikave energjetike”, nënvizoi ministri i Ekonomisë dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta.

Ndërsa lidhur me rritjen e çmimit të energjisë, zoti Meta tha se “Çështja e tarifave dhe e çmimeve është kompetencë e Entit Rregullator të Energjisë”.

Në këtë kontekst ai shtoi se “është ende herët për mua që të jap një opinion konkret, por çdo gjë besoj se do të bëhet transparente dhe çdo vendim do t’i bëhet i ditur opinionit publik, do t’i bëhet i ditur operatorëve, por në radhë të parë konsumatorëve”.

Këto deklarata ministri i Ekonomisë i bëri gjatë takimit me punonjësit e Korporatës Elektroenergjitike shqiptare, ku ministri i Ekonomisë kërkoi angazhimin e Korporatësnë në garantimin e sigurisë së plotë, të furnizimit pa ndërprerje të sistemit energjetik, në mënyrë të veçantë të prodhimit të energjisë nga hidrocentralet në kaskadën e Drinit.

“Së dyti, duhet të kemi parasysh që KESH-i nuk është më operatori i vetëm në këtë treg të ri, që po ristrukturohet ndaj dhe koordinimi i veprimeve me të gjithë aktorët e tjerë të tregut energjetik, për të siguruar plotësimin e kërkesës pa ndërprerje me energji, veçanërisht gjatë dimrit, mbetet një prioritet”, tha ministri Meta.

Ai kërkoi të zbatohet me përpikmëri absolute dhe pa përjashtime rregullorja për shkarkimin e prurjeve të tepërta, sidomos në kaskadën e Drinit, si një prioritet i përditshëm.

Meta sakaq tha se duhet të realizohen pa asnjë vonesë investimet e huaja në proces apo të programuara, sidomos të projekteve që kanë lidhje me infrastrukturën gjeneruese të KESH-it, ku interes të veçantë për qeverinë paraqet projekti i sigurisë së digave.

Madje ministri Meta nënvizoi se “Duhet të vazhdojnë dhe të respektohen me rigorozitet të gjitha masat teknike adimistrative për të rritur sigurinë në punë të pajisjeve në hidrocentrale, dhe në mënyrë të veçantë të veprave hidro-teknike, pra portet e shkarkimit dhe portet e remontit, të cilat lidhen me aspektet e sigurisë së digave.

Sipas Metës, KESH-i duhet të vazhdojë të gjithë hapat e nevojshëm për të përshtatur strukturat e tij pikërisht në funksion të rritjes së efiçencës në punë si dhe në funksion të zhvillimeve të reja të tregut të energjisë elektrike në vendin tonë dhe në rajon.

Në lidhje me TEC-in e Vlorës, Meta tërhoqi vëmendjen për një qëndrim konseguent të KESH-it në raport me kontraktorin, me qëllim që të adresohen të gjitha përgjegjësitë për mosrealizimin në kohë të projektit dhe të merren të gjitha masat për të minimizuar kostot e shkaktuara nga vonesat në implementimin e projektit.

“Deviza jonë në raport me të gjithë kontraktorët, me të gjithë investitorët, me të gjithë donatorët, duhet të jetë plotësim absolut i detyrimeve nga ana jonë, nga ana e KESH-it, dhe nga ana e qeverisë dhe e shtetit shqiptar, dhe njëkohësisht plotësim absolut i të gjithë detyrimeve të tyre, sepse çdo tolerencë pastaj shndërrohet në një problem serioz për të ardhmen dhe për funksionimin e këtyre veprave kaq të rëndësishme”, tha ministri i Ekonomisë, Ilir Meta.

mit/NOA

KOMENTE