English

Asambleja e OKB, politika shqiptare fluturon drejt Nju Jorkut

Nju Jork, 20 shtator, NOA – Përfaqësia më e lartë diplomatike e politikës shqiptare, e përbërë nga presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto do të jetë e pranishme gjatë punimeve të sesionit 65 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

E ndërsa kryeministri Berisha, në kuadrin e zhvillimit të këtij aktiviteti, është nisur që dje për në Nju Jork, bëhet me dije se për atje niset sot edhe ministri i Jashtëm, ndërsa presidenti Bamir Topi pritet të niset nesër.

Ndërkaq, bëhet me dije se në këtë sesion të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të jetë i pranishëm edhe delegacioni i Republikës së Kosovës, me të cilin kryeministri Berisha nga ana e tij, do të ketë edhe një takim të veçantë.

Sikundër bëhet me dije se gjithashtu gjatë qëndrimit në Nju Jork, kryeministri Berisha do të marrë pjesë në takime të ndryshme, si në takimin Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit, në samitin e Liderëve të Ballkanit, në hapjen e punimeve të Forumit Klinton etj.

Por ky qëndrim në SHBA do të shfytëzohet prej tij edhe për takime me përfaqësues të diasporës, të cilët kanë dhënë dhe japin kontribut në shoqërinë amerikane.

n.e/NOA

KOMENTE