Tiranë, 20 Shtator 2010 NOA Update - Kryetari i Bashkisë së Tiranës organizoi një takim publik me përfaqësues të njësive bashkiake të kryeqytetit, qytetarë e aktorë të ndryshëm të fushës, lidhur me procesin e administrimit të përbashkët të ndërtesave, nevojat dhe vështirësitë e hasura në krijimin e strukturave komunitare.
Diskutimi i hapur u zhvillua në ambientet e Qendrës Multifunksionale “TEN”, një hapësirë e re sociale e komunitare për kryeqytetasit
“Administrimi i Përbashkët i Ndërtesave” është projekti i radhës i Bashkisë së Tiranës për komunitetin, i cili i udhëzon qytetarët dhe i orienton ata drejt këtij procesi të gjerë dhe gjithpërfshirës.
Mentaliteti i të jetuarit brenda “mureve të shtëpisë” ka krijuar shumë probleme dhe konflikte në komunitetin tonë. Mosmarrëveshjet, në të shumtën e rasteve janë zgjidhur në rrugë gjyqësore, ose në rastet më të këqija me vetëgjyqësi. Kjo ka sjellë konflikte të panumërta dhe përkeqësim të stokut të banesave në Tiranë.
Bashkëjetesa në komunitet është një çështje e cila së fundmi është rregulluar ligjërisht. Tashmë, shumë qytetarë janë në dijeni se se prej dy muajsh, ka nisur shpërndarja e materialeve sensibilizuese dhe udhëzuese, në çdo ndërtesë të qytetit tonë. Qytetarët e Tiranës janë ndërgjegjësuar se ky lloj organizimi është tashmë i domosdoshëm dhe në interesin e të gjithëve, sepse bashkërisht do vendosin mbi mirëmbajtjen e banesave dhe mjediseve përreth tyre, zgjidhjen e shqetësimeve të panumërta dhe përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së jetesës nëpërmjet:
Ndërtesave të mirëmbajtura;
Ndërtesave të pastra;
Ndërtesave të mbrojtura;
Ndërtesa të ndriçuara;
Hapësirave për parkim;
Hapësirave për argëtim dhe sipërfaqe të gjelbëruara;
Sistemeve funksionale të furnizimit me ujë, kanalizime, energji, telefoni, citofoni, Internet;
Rregulla të njëjta dhe të barabarta bashkëjetese, ndërmjet të gjithë banorëve
Bashkia e Tiranës ka ofruar asistencë teknike dhe ligjore si për qytetarët (Asambletë dhe Kryesitë e tyre), ashtu dhe për Administratorët e këtyre objekteve, duke i udhëzuar për mënyrën, afatet, kushtet, etj që duhet të plotësojnë këto struktura, për të qenë ligjërisht funksionale.
e.r/NOA
Lexoni fjalën e plotë të z.Rama