Tiranë, 20 shtator, NOA – Pas mbledhjes së sotme të grupit kuvendor socialist, Partia Socialiste ka deklaruar se do të diskutojë në seancën plenare të së enjtes dekretin e presidentit për ligjin e pronave të ndryshuar, i rrëzuar javën e shkuar në kuvend nga mazhoranca.
Deputeti i PS-së, Eduart Shalsi menjëherë pas mbledhjes së grupit të PS-së, deklaroi për mediat se grupi kuvendor vendosi që në seancën plenare të datës 23 Shtator të diskutojë edhe pse jashtë rendit të ditës, për mënyrën e rrëzimit të dekretit të presidentit Bamir Topi për ligjin e pronave, një votim i cilësuar si antikushtetues pasi u ripërsërit, një votim ky i dyfishtë që autoritetet e Parlamentit e arsyetuan përmes një kërkese pa emër të paraqitur në seancë.
“Shprehim të gjithë indinjatën tonë për këtë akt të paprecedentë dhe të pafalshëm. Siç u pa qartë edhe nga të pranishmit, në sallë mazhoranca nuk i kishte numrat e mjaftueshëm për ta miratuar këtë ligj”, deklaroi deputeti Socialist.
Ai nënvizoi se votimi në fjalë, i një ligji mjaft të rëndësishëm për shqiptarët, si ai i pronave, është një dhunim i vazhdueshëm i procedurave në Kuvend.
Zoti Shalsi e vlerësoi vendimin në fjalë jo vetëm si antikushtetues, por edhe si një ngjarje, që nuk do të kalohet lehtë nga opozita.
Lidhur me votimin e dyfishtë të ligjit të pronave të ndryshuar i risjellë në kuvend për tu diskutuar pasi shkelte kushtetutshmërinë e pronës, autoritetet e Kuvendit mohuan të ketë patur ndërprerje të votimit të dekretit të presidentit, në seancën e 16 shtatorit.
Zyra e shtypit e kuvendit, madje të nesërmen e votimit nxori një njoftim sqarues ku thuhej se procedura e votimit është zhvilluar konform rregullores, në mënyrë specifike neneve 56, 57, 58 dhe 61 të saj”.
Sipas njoftimit u mësua se gjatë procedurës së votimit të dekretit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, me kërkesë, është pezulluar votimi dhe është ribërë ai si pikë e fundit e rendit të ditës.
Dekreti i Presidentit, për rishqyrtimin e ligjit për kompensimin dhe kthimin e pronës i ndryshuar u rrëzua nga mazhoranca me shumicën e nevojshme të kërkuar, dhe vetëm me votimin e dytë mazhoranca mori 71 votat e kërkuara për rrëzimin e dekretit.
Votimin e dekretit e abstenoi ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe kryetari i Partisë Republikane, një parti e rreshtuar kah idesë se prona duhet të shkojë tek i zoti, pra tek pronarët e ligjshëm dhe jo ata që kanë përfituar pronë, përmes ligjit 7051.
mit/NOA