English

E ardhmja kulturore e Ballkanit – Një frazë boshe?

Berlin, 20 shtator, NOA – Në fokusin e Festivalit të Letërsisë në Berlin është sivjet Evropa Lindore. Aty ka lexime dhe një sërë debatesh rreth zhvillimeve kulturore. Njëri prej tyre u zhvillua të dielën për të ardhmen kulturore të Ballkanit.

A mund të presim një ribashkim, një afrim të ri sot 20 vjet pas shpërbërjes së Jugosllavisë? Një përgjigje të kësaj pyetjeje kërkoi drejtor i zyrës beogradase të fondacionit gjerman Heinrich-Boell, Wolfgang Klotz, nga të ftuarit e tij në debatin “E ardhmja kulturore e Ballkanit”zhvilluar të dielën në kuadër të festivalit të letërsisë në Berlin. E këta ishin shkrimtarja kroate Dubravka Ugreshiç, dramaturgia nga Beogradi, Borka Paviçeviç dhe shkrimtari kosovar Beqë Cufaj.

“Jo”, u përgjigj Beqë Cufaj duke folur të paktën për veten e vet si shqiptar. “Mund të ketë ndoshta një të ardhme kulturore mes ish popujve sllavë të ish-Jugosllavisë, por jo edhe me shqiptarët. Sidomos me shqiptarët e Kosovës ekziston një realitet i ri, e ky duhet të mbërrijë deri tek këta popuj, me të cilët shqiptarët kanë jetuar më parë. E ky realitet fillon me vetë faktin, thjesht që brezat e rinj nuk e flasin më serbishten.”

Kultura nuk është si politika

E ardhmja kulturore e Ballkanit - një frazë ideologjike, mbas të cilës fshihet vetëm dëshira e Bashkimit Evropian për pajtim ndëretnik? Dhe kërkesa që kultura të luajë një rol konstruktiv në këtë drejtim? Dubravka Ugreshiç e ndan kulturën nga politika. Kultura as nuk pajton e as nuk përçan, tha ajo. Sipas Ugreshiç kultura është gjithmonë në shërbim të ideologjisë ekzistuese. E sot në Ballkan dominon nacionalizmi. Por as Evropa nuk ofron ndonjë mundësi për ta korrigjuar këtë ideologji, ka konstatuar eseistja 61-vjeçare. Përpjekja e njerëzve të kulturës për të shërbyer sa më shumë tregje nacionale kthehet në skicofreni, tha Ugreshiç. Një shembull i mirë për këtë shpërbërje është ndarja e serbokroatishtes në tre gjuhë të ndryshme, artisti nuk di as në cilën gjuhë të flasë.

Elitat të varfra në kulturë

Dramaturgia nga Beogradi Borka Paviçeviç foli për një varfëri kulturore të elitave politike të përbëra nga përfituesit e pasluftës në Serbi. Vetëm pasi të jenë marrë me veten e tyre popujt e Ballkanit mund t'i rikthehen kulturës së përbashkët, tha Paviçeviç.

Në se kultura kosovare do ta ketë të nevojshme të përfshihet në këtë dialog, ai do të jetë në kontekstin evropian, parashikon Cufaj. 39-vjeçari dha si shembull tendencën globale që vihet re qysh tani në Festivali Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar në Prizren, ku marrin pjesë filma nga e gjithë bota, përfshirë dhe nga rajoni. Në se aty fiton ndonjë film serb, kjo nuk ka pasur të bëjë me rigjetjen e gjuhës së përbashkët në kaudër të ish-Jugosllavisë. “Më shumë prioritet për mua si autor shqiptar është integrimi në relacionin Prishtinë Tiranë, e Prishtinë Shkup, sesa Prishtinë Beograd, a Prishtinë Zagreb”, tha Cufaj.

Deutsche Welle

KOMENTE