Tiranë, 20 shtator, NOA/Milena Selimi- Helena Paparizou do të performojë live të shtunën, më 25.09.2010 në Stadiumin"Qemal Stafa" në Tiranë. Koncerti fillon në orën 19.30 me artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Rumania.
Helena Paparizou ka lindur dhe është rritur në Gutenberg të Suedisë nga prindër grekë të cilët ishin emigrantë.
Talenti i saj artistik nuk do të ishte mbajtur i fshehtë për një periudhë të gjatë kohore pasi që kur ajo ishte vetëm një vajzë e re i pëlqente të këndonte, të vallëzonte dhe të aktronte. Interesi i saj për artin ishte aq i madh sa ajo gjatë mësimeve të shkollës merrte dhe leksione muzike.
Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, së bashku me shokun e saj të fëmijërisë Nikos Panagiotidis formojnë grupin "Antique". Ata nënshkruan një kontratë me shtëpinë diskografike të sapo-themeluar "Bonnier" dhe regjistruan këngën e tyre të parë "Opa Opa", e cila u bë një hit (qëndroi për shumë javë në krye të klasifikimeve).
Ky ishte vetëm fillimi për një karrierë të shkëlqyeshme që vazhdoi me daljen e albumit të tyre të parë në vitin 2001, ata morën pjesë në Festivalin Europian të Këngës dhe me një performancë shumë mbresëlënëse fituan vendin e tretë me këngën "I would die for you". Ky sukses vazhdoi dhe me marrjen e albumit të platinit, me turne në Europë dhe bashkëpunimin e tyre me artistët më të rëndësishëm grekë dhe të huaj.
Në pranverë të vitit 2004 lançon albumin e saj të parë solo titulluar "Protereotita" nga i cili këngët "Andithesis", "Anamnisis", "Katse Kala" dhe "Stin kardhia mu mono thlipsi" janë më të suksesshmet. Më 21 Maj 2005, Helena Paparizou përfaqëson Greqinë për herë të dytë në Festivalin Europian të këngës ku zuri vendin e parë me këngën "My Number One ".
Në tetor të 2007, është lëshuar fonograma për filmin "The Kiss of Life" ku Helena Paparizou këndon këngën për muajit e mjaltit. Kënga menjëherë bëhet më e preferuara në të gjitha radiot greke.
Biletat për koncertin e këngëtares greke Helena Paparizou kushton 500 lekë.
m.s/n.e/NOA