English

KMDLNj: Përshkallëzimi i dhunës në Rahovec, krejtësisht i panevojshëm!

Prishtinë, 20 Shtator 2010 NOA Update - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut tha sot se me kujdes po i përcjell zhvillimet në Rahovec të cilat për pasojë patën ndërhyrjen e Policisë së Kosovës përkatësisht njësitit special të saj.

Përveç sasisë së madhe të gazit lotsjellës në këtë ndërhyrje pati edhe përdorim të shufrave nga ana e policisë si dhe gjuajtje me gurë dhe dëmtim të traktorëve nga ana e atyre që protestuan.

U lënduan rëndë e lehtë mbi 25 persona prej të cilëve janë 11 policë dhe 14 protestues. U arrestuan, me pretekst se organizuan protesta të dhunshme 4 persona të cilët pastaj u liruan.

KMDLNj ka përkrahur protestat e vreshtarëve të Rahovecit të cilët kërkonin që rrushi i tyre të grumbullohej nga bodrumi Stone Castle apo që të gjendet zgjidhje tjetër në mënyrë që atyre t’u kompensohej dëmi nga mosshitja eventuale e rrushit.

Protestat e vreshtarëve të Rahovecit dhe kërkesat e tyre kanë qenë shumë të drejta dhe të realizueshme dhe ato kanë filluar si protesta paqësore prandaj ata që kanë urdhëruar përdorimin e forcës kundër vreshtarëve është dashur ta kenë parasysh këtë fakt andaj është dashur të tregohen të përmbajtur.

Çdo shtet me ligj i mbron interesat e prodhuesve të vet nga konkurrenca e jashtme jokorrekte dhe kështu është dashur të veprojë edhe Qeveria e Kosovës.

Në njërën anë flitet për domosdoshmërinë e stimulimit të prodhuesve vendorë e në anën tjetër ofrojnë treg dhe kushte favorizuese për prodhimet e shteteve tjera duke i diskriminuar prodhuesit e vendit!

Në rastin konkret Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të ofrojë zgjidhje për vreshtarët e Rahovecit duke intervenuar nga fondet rezervë dhe duke e krijuar një infrastrukturë ligjore që i mbron prodhuesit vendorë.

Kjo mund të bëhet duke e forcuar mekanizmin e doganimit të mallrave që importohen nga shtetet e tjera ashtu siç veprojnë edhe vendet e rajonit ndaj Kosovës. Madje këto shtete kanë qasje krejt diskriminuese ndaj prodhimeve të Kosovës.

Policia e Kosovës në këtë situatë nuk duhet të intervenojë sepse prodhuesit vendor po kërkojnë realizimin e të drejtave elementare të njeriut, të jetojnë dhe të zhvillohen nga puna dhe djersa e tyre, - përfundon deklarata nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut.

a.b/NOA

KOMENTE