English

Kosovë, feston gëzimin familjar me gjuajtje me armë zjarri, përfundon në pranga

Prishtinë, 20 shtator, NOA – Dëshira e shfrenuar për të shprehur gëzimin familjar edhe me gjuajtje me armë zjarri bën që një person të bierë në prangat e policisë së Kosovës.

Burime nga kjo polici thonë për agjencinë NOA se ngjarja ndodhi gjatë fundjavës kur në lokalet e stacionit policor të Veriut në Prishtinë u raportua për një rast gjuajtje me armë zjarri, në fshatin Shkabaj në komunën e Prishtinës.

Policia me të mbërritur në vendin e ngjarjes kuptoi se bëhej fjalë për gjuajtje me armë zjarri dhe arsyeja e gjuajtjes në ajër ishte për një gëzim familjar.

Policia njoftoi se, pronari i shtëpisë, D. Gashi, i dyshuar edhe si autori i gjuajtjes në ajër, kishte deklaruar se kishte ndodhur një ngjarje shumë e rëndësishme në familje.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe hetuesit policorë dhe ata të kriminalistikës, të cilët bënë fotografimin e armës më të cilën ishte qëlluar në ajër, gjithashtu janë fotografuar të gjitha dëshmitë në vendngjarje.

Policia mandej ka konfiskuar armën dhe dëshmitë e tjera, ndërsa personi i dyshuar është marrë në pyetje në stacionin policor të Prishtinës dhe pas konsultimit me prokurorin është liruar për procedurë të rregullt.

mit/NOA
KOMENTE