English

Ndryshimet që i lipsen kryeqytetit

Sot që përgjithësisht qytetarët dhe familjet kryeqytetase ia kanë dalë të krijojnë kushte të reja brenda shtëpisë, domosdoshmëria për të pasur kushte të reja edhe në hapësirat e përbashkëta, ku njerëzit banojnë, është më e madhe

Nga Edi Rama

Nuk ka qytetarë dhe nuk ka familje në Tiranë që të mos jetë në një mendje kur është fjala për t’i dhënë një cilësi të re bashkëjetesës në godinat e banimit, bashkëjetesës qytetare bazuar në domosdoshmërinë për kushte tërësisht të tjera nga kushtet që të gjithë ne kemi parasysh përditë dhe që u prekën edhe në materialin e përgatitur nga ekipi që po punon për të vënë në jetë bazën ligjore të administrimit të përbashkët të godinave të banimit.

Unë jam i bindur se sot që Tirana është e pastër, është në një proçes gjelbërimi të vazhdueshëm, është e mirëmbajtur në tërësinë e infrastrukturës së saj, të gjithë janë shumë më të ndjeshëm se sa disa vite më parë, lidhur me kontrastin e madh mes asaj që është bërë dhe bëhet përditë në hapësirën publike dhe degradimit që vazhdon përditë në hapësirat e përbashkëta të godinave të banimit.

Pa dyshim, këtu bëhet fjalë për një standard tërësisht të munguar, që ka të bëjë në radhë të parë me ndjeshmërinë dhe vetëdijen e banorëve, që sot besoj se është më lartë se asnjëherë më parë, pasi kontrasti mes asaj që njerëzit ndeshin në çdo kat dhe shkallë të godinave të banimit, me atë që njerëzit shohin dhe prekin në tërësinë e hapësirës publike të kryeqytetit që po rindërtohet e rigjallërohet dita - ditës, është një kontrast shumë i fortë. Dhe po ashtu, sot që përgjithësisht qytetarët dhe familjet kryeqytetase ia kanë dalë të krijojnë kushte të reja brenda shtëpisë, domosdoshmëria për të pasur kushte të reja edhe në hapësirat e përbashkëta, ku njerëzit banojnë, është më e madhe.

Sigurisht që problematika e kësaj situate është shumë komplekse dhe sistemi që ne duam të ndërtojmë do të marrë vite e vite të tëra për t’u shtrirë në të gjithë territorin e kryeqytetit dhe për t’u kthyer në një sistem funksional në çdo hapësirë të përbashkët të godinave të banimit, në çdo hyrje, por është koha për të filluar ngritjen e këtij sistemi, duke ndërtuar një proçes, një proçes të koordinuar mes Bashkisë dhe njësive bashkiake, mbi bazën e legjislacionit ekzistues dhe një proces të bashkërenduar me komunitetet e qytetarët, duke synuar ngritjen e modeleve funksionale, duke synuar krijimin e shembujve të parë të kësaj bashkëjetese qytetare në godinat e banimit, që pa dyshim do të tërheqin pastaj të tjerë, për t’u futur në këtë rrugë dhe për të marrë të gjithë ato të mira sa të përbashkëta, aq edhe për secilën familje që rrjedhin nga futja në këtë rrugë.

Ne e shohim ligjin për bashkëpronësinë që është miratuar vetëm pak kohë më parë, në rast se mund të quhet kështu harku i një viti, si një bazë të mjaftueshme për të filluar e për të ngritur strukturat e parashikuara në ligj, të cilat do të bëjnë të mundur ndërtimin e këtij kuadri të ri bashkëjetese në godinat e banimit, por, pa dyshim fakti që ato që sheh e përcakton ligji, ngritjen e asamblesë së bashkëpronarëve, emërimin e administratorëve të godinave, regjistrimin e këtyre asambleve dhe administratorëve në regjistrin e asambleve dhe administratorëve në Bashki, nuk është futur në rrugën e jetësimit tregon se ky ligj rrezikon të mbetet tërësisht formal, si shumë ligje në Republikën tonë, që janë thjesht dhe vetëm copa letrash a broshurash në bibliotekën e Kuvendit apo arkivën e Shtetit, por nuk kanë impakt në jetën e përditshme qytetare.

Për këtë arsye, ne e kemi marrë këtë nismë dhe për këtë arsye, ne kemi rënë në një mendje edhe me njësitë bashkiake të interesuara për këtë proces, që të fillojmë një punë kolosale, jashtëzakonisht të vështirë dhe komplekse por po aq edhe të domosdoshme, për ta vënë në jetë këtë ligj, për t’i kthyer në fakte të prekshme në bashkëjetesën qytetare në godinat e banimit ato që parashihen në këtë ligj dhe për t’i hapur rrugë një transformimi rrënjësor kulturor, në raport me të jetuarin në një qytet, të gjithë komunitetit tonë.

Jemi të vetëdijshëm se ky është një proces që kërkon në radhë të parë, një komunikim intensiv me qytetarët. Ka një numër të madh qytetarësh që e mirëpresin dhe janë të gatshëm për t’u përfshirë në këtë proces, ka një numër tjetër po aq të madh qytetarësh, që janë indiferentë ndaj këtij procesi dhe nuk kanë vullnetin apo besimin se diçka mund të dalë nga kjo përpjekje. Ky është një indiferentizëm dhe skepticizëm i natyrshëm dhe legjitim, po të kemi parasysh kushtet në të cilat njerëzit bashkëjetojnë në godinat e banimit prej shumë vitesh dhe mungesën përgjithësisht shumë të dukshme të forcës së ligjit, të jetësimit të ligjit, të prezencës së ligjit në jetën reale të qytetarëve, por ne jemi të detyruar të shkojmë përpara, në përputhje me vizionin tonë për bashkëjetesën qytetare në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve dhe për rritjen e cilësisë së jetës në komunitetet tona, duke i ftuar qytetarët të bëhen pjesë e këtij procesi.

Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe një fushatë sensibilizimi, që Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë për të paralajmëruar qytetarët për këtë nismë, duke shpërndarë lajmërimet përmes posterave të vendosura në 8000 hyrje në kryeqytet dhe duke përdorur disa rrugë komunikimi falë dhe ndihmës dhe kontributit të medias për ta paralajmëruar fillimin e këtij procesi.

Sot është momenti për t’u futur në një fazë të dytë, në një fazë më konkrete dhe për ta ngritur këtë çështje brenda komuniteteve, duke synuar jo zgjidhjen e menjëhershme të problemit në të gjithë territorin e njësive, por krijimin e shembujve dhe eksperiencave pozitive, të cilat do t’i shërbejnë dhe të tjerëve për të parë dhe kuptuar se nga njëra se kjo është plotësisht e mundur dhe nga ana tjetër, se kjo pa dyshim sjell të mira të përbashkëta. Nuk ka asnjë qytetar apo familje në Tiranë që nuk do donte një shkallë të pastër, të mirëmbajtur, me ndriçim, një sistem rrjetesh shërbimi të mirëmbajtur dhe të sigurtë dhe në tërësi, një bashkëjetesë të garantuar nga bashkëpunime ndërveprimi mes të gjitha familjeve, por pa dyshim kemi përballë një mur të lartë skepticizimi dhe indiference të cilin duhet ta kapërcejmë, duke filluar të ndërtojmë ura bashkëpunimi pjesë – pjesë, hap pas hapi dhe duke u shtrirë në territor përmes ngritjes të shembujve pozitivë.

Për këto arsye, ne kemi planifikuar një cikël bashkëbisedimesh publike me qytetarë të interesuar, pasi përmes një bashkëpunimi intensiv me njësitë bashkiake do të identifikojmë ato blloqe banimi apo më saktë ato hyrje, ku ka një shumicë qytetarësh dhe familjesh të interesuara për t’u bërë pjesë e këtij procesi e kështu shkallë - shkallë të shtrihemi në territor, duke i ndërtuar këta shembuj dhe duke ndihmuar ne vetë konkretisht, qoftë si njësi, qoftë si bashki, qoftë me asistencën juridike, qoftë edhe me mbështetjen financiare, për krijimin e këtyre strukturave të parapara nga vetë ligji dhe për jetësimin e atyre normave të parashkruara në legjislacionin tonë, lidhur me administrimin e godinave të banimit.

Unë jam shumë besimplotë, se pavarësisht masës së jashtëzakonshme të vështirësisë që ka ky proces, pavarësisht kompleksitetit dhe ndërthurjes së 1001 gjërave në këtë proces, ka një shpirt qytetar të rilindur në Tiranë, ka një vetëdije qytetare të ringritur në Tiranë, që është një pikë shumë e rëndësishme referimi për suksesin e këtij procesi. Vullneti dhe eksperienca e drejtuesve të njësive bashkiake do t’i vlejë jashtëzakonisht këtij procesi, duke bërë të mundur që të krijohet një hapësirë bashkëpunimi dhe koordinimi i energjive dhe kontributeve që do të na sjellë shumë shpejt, në krijmin e shembujve të parë pozitivë.

Shembujt pozitivë, modelet e reja të bashkëjetesës në godinat e banimit do të na ndihmojnë pa dyshim që të tjerë qytetarë, të tjera familje, të tjera pallate, hyrje dhe blloqe banimi të përfshihen në strukturimin e këtij modeli të ri bashkëjetese dhe të bëjnë të mundur, që të kalojmë në një fazë të re të bashkëjetesës qytetare në tërësinë e vet, ku si në çdo vend europian, si në çdo shoqëri të emancipuar dhe strukturuar, të fillojmë të kemi atë raport të domosdoshëm të përgjegjësive, mes institucioneve publike dhe vetë publikut, pa të cilin është e pamundur të ndërtohet një qytet ku demokracia është tërësisht funksionale, pasi qytetari është jo thjesht objekt i punës së institucioneve, por subjekt i veprimtarisë së përditshme në territor, të të gjitha proceseve, nismave dhe veprimtarive që bëjnë organet e pushtetit vendor.

Sot ne kemi në Tiranë, një provë shumë të prekshme të asaj çka mund të bëjnë institucionet, kur i vihen në dispozicion vendit dhe qytetarit. Pak vite më parë, askush nuk mund të imagjinonte se në kaq pak kohë Tirana do të kishte pastërtinë që ka sot dhe do të kishte gjelbërimin që ka sot në të gjitha akset rrugore, por jam i bindur se askush sot nuk e përfytyron dot se në shumë pak vite, ajo çka ka ndodhur në Tiranë në tërësi, do të ndodhë me komunitetet në veçanti, me blloqet e hyrjet, deri në njësitë e domosdoshme të këtyre problemeve dhe për këtë arsye unë e quaj një moment shumë të rëndësishëm takimin e sotëm. Nuk është një takim si të gjithë të tjerët, por është një takim për të startuar një proces që ka vite që e dëshirojmë të gjithë bashkë, por që vetëm sot kemi ardhur në pikën kur mund ta shohim si një proces të realizueshëm, edhe pse si në çdo gjë që kemi bërë në të gjithë këto vite, në start jemi pak që besojmë që kjo është e mundur, ndërkohë që në ecje e sipër do të jemi gjithnjë me shumë dhe në fund fare, të gjithë së bashku do të themi që edhe kjo u bë, sepse vërtet jetojmë në Tiranë!.

***

Aktiviteti i organizuar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës organizoi një takim publik me përfaqësues të njësive bashkiake të kryeqytetit, qytetarë e aktorë të ndryshëm të fushës, lidhur me procesin e administrimit të përbashkët të ndërtesave, nevojat dhe vështirësitë e hasura në krijimin e strukturave komunitare. Diskutimi i hapur u zhvillua në ambientet e Qendrës Multifunksionale “TEN”, një hapësirë e re sociale e komunitare për kryeqytetasit

“Administrimi i Përbashkët i Ndërtesave” është projekti i radhës i Bashkisë së Tiranës për komunitetin, i cili i udhëzon qytetarët dhe i orienton ata drejt këtij procesi të gjerë dhe gjithpërfshirës.

Mentaliteti i të jetuarit brenda “mureve të shtëpisë” ka krijuar shumë probleme dhe konflikte në komunitetin tonë. Mosmarrëveshjet, në të shumtën e rasteve janë zgjidhur në rrugë gjyqësore, ose në rastet më të këqija me vetëgjyqësi. Kjo ka sjellë konflikte të panumërta dhe përkeqësim të stokut të banesave në Tiranë.

Bashkëjetesa në komunitet është një çështje e cila së fundmi është rregulluar ligjërisht. Tashmë, shumë qytetarë janë në dijeni se se prej dy muajsh, ka nisur shpërndarja e materialeve sensibilizuese dhe udhëzuese, në çdo ndërtesë të qytetit tonë. Qytetarët e Tiranës janë ndërgjegjësuar se ky lloj organizimi është tashmë i domosdoshëm dhe në interesin e të gjithëve, sepse bashkërisht do vendosin mbi mirëmbajtjen e banesave dhe mjediseve përreth tyre, zgjidhjen e shqetësimeve të panumërta dhe përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së jetesës nëpërmjet:

Ndërtesave të mirëmbajtura;

Ndërtesave të pastra;

Ndërtesave të mbrojtura;

Ndërtesa të ndriçuara;

Hapësirave për parkim;

Hapësirave për argëtim dhe sipërfaqe të gjelbëruara;

Sistemeve funksionale të furnizimit me ujë, kanalizime, energji, telefoni, citofoni, Internet;

Rregulla të njëjta dhe të barabarta bashkëjetese, ndërmjet të gjithë banorëve

Bashkia e Tiranës ka ofruar asistencë teknike dhe ligjore si për qytetarët (Asambletë dhe Kryesitë e tyre), ashtu dhe për Administratorët e këtyre objekteve, duke i udhëzuar për mënyrën, afatet, kushtet, etj që duhet të plotësojnë këto struktura, për të qenë ligjërisht funksionale.

KOMENTE