“Sali Berisha të japë faktet e tij që vërtetojnë se ne jemi përgjegjës për akuzat që na ka bërë, ose të japë arsyet pse zgjodhi që të ishim ne autorë të gjithë krimeve të rënda që ishin kryer gjatë qeverisjes së tij të parë, 1992-1996”
INTERVISTA/ Orik Shyti flet pas librit që publikoi kohët e fundit, “Ne, Hakmarrja për Drejtësi dhe…”, pjesë të të cilit u zbardhën dhe u transmetuan nga agjencia NOA. Tregon si libri po shitet dhe pse pjesërisht mbahet poshtë rafteve.
Vlerëson se “nëse faktet e paraqitur në libër nuk e kanë dhënë përgjigjen pse u përfshimë ne si autorë të vendosjes së bombës tek Supermarketi “VEFA”, në vrasjen e drejtorit të Burgjeve dhe si autorë të gjithë krimeve të tjerë, atëherë unë nuk kam përgjigje, sepse nuk janë komentet apo hamendjet tona ato për të cilat ka nevojë opinioni”.
Konsideron se “opinioni ka nevojë për fakte” dhe siguron se “ne i kemi dhënë faktet tona”. Kurse apelon se “e ka radhën Sali Berisha të japë faktet e tij që vërtetojnë se ne jemi përgjegjës për akuzat që na ka bërë, ose të japë arsyet pse zgjodhi që të ishim ne autorë të gjithë krimeve të rënda që ishin kryer gjatë qeverisjes së tij të parë, 1992-1996”.
Libri juaj: “Ne, Hakmarrja për Drejtësi dhe…”, pjesë të të cilit u transmetuan te NOA, ka disa muaj në tregun e librit. Përshtypja është se ju keni shkruar në të gjithçka që ka ndodhur në jetën tuaj, duke filluar nga data 16 tetor 1996, madje dhe më parë. Si ju lindi ideja?
Libri ynë ka rreth tre muaj që ndodhet në librari dhe, megjithëse një pjesë e librarëve e mbajnë poshtë banakut, jemi të kënaqur nga interesimi që tregohet për të. Ideja ndoshta ka lindur më herët, por po pranojmë atë që u shqiptua nga Learti, im vëlla, korrik 2004. Në atë kohë nuk ishim bashkë, banonim në shtete fqinjë. Unë i nisa dorazi vendimin e Gjykatës Federale të Zvicrës për mosekstradimin tim dhe Learti ia kishte nisur me faks avokatit në Shqipëri. Në sqarimet që jepte, shprehej edhe për mundësinë e shkrimit të librit. Më kishte dalë nga mendja kjo rrethanë, por ma kujtoi një intervistë që Learti dha në një të përditshme gjatë kohës që po prisnim botimin e librit.
Si çdo punë, edhe shkrimin e nxit nevoja. Ishte nevoja për t’i dhënë mundësi opinionit të gjykojë mbi ato fakte që kanë gjykuar edhe gjyqtarët e komanduar nga Sali Berisha. Duheshin bërë bashkë, duheshin lidhur në një, të paktën ato më të rëndësishmet. Kjo ishte arsyeja kryesore.
Ne besonim, dhe besojmë edhe më shumë tani, se faktet që përmban libri i japin mundësi opinionit të gjerë të gjykojë për ne që jemi të akuzuarit, për akuzuesit dhe për gjithkënd tjetër që i ka kontribuar “Hakmarrjes për Drejtësi”, pavarësisht nga motivet që e kanë nxitur.
Me pyetjen tuaj, ju thoni se kemi hedhur në letër të gjitha ato çfarë kanë ndodhur në jetën tonë, duke filluar nga 16 tetori i 1996. Më vjen mirë që libri ju ka krijuar këtë përshtypje, por ne nuk kemi synuar këtë, megjithëse dëshironim të jepnim një tablo të përgjithshme.
Ato që kanë ndodhur në jetën tonë, gjatë këtyre viteve dhe përjetimet e përftuara prej tyre, do donin shumë volume të përshkruheshin. E vërteta është se jemi rezervuar me vetëdije në këtë drejtim, por jo thjesht nga pamundësia për të përshkruar në një libër të vetëm “pasurinë” e pakufishme të jetës.
Në radhë të parë, na ka rezervuar synimi. Synimi ynë nuk ka qenë të prekim ndjenjat e të tjerëve, por t’u vëmë në dorë provat që, duke u bazuar në to, të kenë mundësi të mendojnë.
Libri është një galeri e vërtetë personazhesh, duke filluar nga Presidenti i periudhës kur u akuzuat dhe vazhdon me figura të tjera politike, prokurorë, gazetarë e deri tek gjyqtarët që kanë dhënë vendime për ju. Mund të quhet kjo si hakmarrja juaj për ata që ju kanë akuzuar dhe dënuar? Nuk kemi akuzuar askënd ose, të paktën, nuk kemi pasur për qëllim që të akuzojmë persona konkret. Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi se kush është përgjegjës për dëmet që na janë shkaktuar.
Megjithatë e kemi respektuar (më shumë me heshtje) mendimin e disa miqve tanë, që kanë arsyet e tyre ta duan Berishën, të votojnë për të, të besonin dhe, ndoshta, të besojnë edhe sot se ai ishte apo është dorëjashtë.
Për një kohë, dy-tre nga këta miq kanë ngulur këmbë që, në një formë a në një tjetër, t’i bëhej me dije Sali Berishës se procesi ishte i falsifikuar.
Njëri nga këta, mik i Leartit, ishte shumë i bindur se Saliun e gënjejnë “do hajnë”, se ai nuk e di se ç’djem jemi ne, se po ta merrte vesh se procesi ishte i falsifikuar do t’u tregonte vendin falsifikatorëve etj. Mirësia e tij e shtynte të besonte aq shumë në këto që thoshte, saqë i dha edhe një numër telefoni dhe lutej që t’u thoshim familjarëve të tij të njiheshin me falsifikimet, kur ndonjë gazetë të botonte dokumente që shqyrtonte gjykata.
E përsëris se nuk kemi akuzuar, por kemi radhitur ato që ish-presidenti, ish-kryetari i opozitës dhe kryeministri i sotëm, Sali Berisha ka thënë për ne, duke na akuzuar se kemi kryer krime, se kemi vjedhur vota për t’i shkaktuar humbje në zgjedhje, se kemi vënë pasuri me parat e krimit dhe të drogës, siç shprehej etj. Krahas këtyre kemi cituar edhe një pjesë të akuzave që ai u ka bërë personave të tjerë publik sikur ata ishin përkrahësit tanë ose të lidhur me ne dhe me krimet që ai përsëriste vazhdimisht, qysh nga 16 tetori i 1996, se i kishim kryer. Të gjithë të akuzuarit prej tij ishin politikanë dhe funksionarë të lartë të shtetit, të cilët e kundërshtonin politikisht ose nuk i bindeshin për të bërë atë që ai u kërkonte të bënin kundër nesh apo kundër dikujt tjetër.
Këto përmban libri. Në qoftë se ato që ka thënë vetë Saliu përbëjnë akuzë për të, nuk ka logjikë që këto të quhen si akuza të bëra nga ne. Në çdo rast që kemi cituar deklaratat e tij akuzuese, të ngritura mbi shpifje, kemi saktësuar burimin (mediat) nga i kemi marrë. Ai ka kryer shumë krime ndaj nesh, prandaj jemi të bindur se nuk do t’i përgënjeshtronte shpifjet që ka bërë. Jemi të bindur se as nuk mund të thotë: “i kam thënë, por nuk i kam thënë për ata, i ngatërroni gjërat ju që më pyesni, i kam thënë për x”, gjë që e ka bërë kur ia ka dashur interesi, për të mos përdorur shprehjen: kur kokën ia kanë zënë me derë. Me një fjalë, në rastin e “Hakmarrjes”, nuk i vlen as paturpësia, që e ka bërë pjesë të pandashme të identitetit vetjak.
Këtë praktikë kemi ndjekur edhe ndaj një a dy gazetarëve dhe dy a tre botuesve. Kemi cituar në libër atë që ata kanë shkruar dhe kanë botuar. Nëse nuk i kemi cituar saktësisht, atëherë ne i kemi akuzuar padrejtësisht dhe do t’u kërkonim të falur. Në të kundër, as këta nuk duhet ta kërkojnë shëmtinë tek pasqyra, domethënë tek libri ku po shohin dhe u shohin fytyrën, por tek vetja.
Akuza nuk kemi bërë as për gjyqtarë, prokurorë dhe policë. Kemi cituar nga vendimet e tyre, nga letërporosi dhe dokumente të tjerë. Edhe këta e kanë të lehtë të na përgënjeshtrojnë, nëse nuk kemi pasqyruar atë që ata kanë shkruar në dokumente apo që kanë thënë para gjykatës. Le të thotë, fjala vjen, gjyqtari Dhimitër Lara se nuk është shprehur në vendimin e tij ashtu siç ne e citojmë, apo le të thotë ish-prokurori i Përgjithshëm, Th. Sollaku se nuk u ka shkruar autoriteteve të huaja se Orik Shyti i zuri pritë makinës së tij në bulevard dhe i vrau shoferin, e kështu me radhë. Kemi dashur t’i shmangim gjykimet tona. Ne kemi dhënë faktet, gjykimin le ta bëjnë lexuesit.
Për të mos e lënë pa përgjigje të drejtpërdrejtë pjesën e dytë të pyetjes tuaj, po përsëris në një farë mase, atë që sapo thashë. Pra, ne kemi paraqitur faktet, pa na shkuar mendja se kështu po hakmerremi ndaj personave që janë protagonistë të ngjarjeve që kanë ndodhur. Shpresojmë që nga faktet të mësojnë të gjithë. Por nuk do më vinte keq në qoftë se libri vlerësohet si hakmarrje ndaj mbartësve të padrejtësive.
Në libër përmendni se keni hyrë disa herë në Shqipëri gjatë kohës që ishit në kërkim, por nuk jepni hollësi si kalonit në kufi. Në libër nuk del qartë kur dhe si u arratisët nga Shqipëria. A mund të thoni si mundeshit t’i shmangeshit kapjes nga policia? Asnjë vështirësi nuk ka pasur të hyje dhe të dilje në Shqipëri nga viti 1991 deri në vitin 2003, kur unë jam larguar përfundimisht. Vështirësi nuk ka pasur as në vitet që pasuan. Shqiptarët që përdorin dokumente false në 20 vjetët e fundit nuk janë vetëm ata që janë në kërkim, por me dhjetëra mijëra të tjerë që kërkonin një vend pune apo banim të përhershëm në një vend tjetër, veçanërisht në Greqi ngase, fatkeqësisht, nëpunësve të atij vendi u duken më të pranueshëm shqiptarët “vorioepiriotë”.
Për këto arsye, nuk mendoj se lexuesit e sotëm janë kureshtarë si hyhet dhe dilet me dokumente false, sepse, edhe nëse nuk kanë përvojë personale, njohin përvojën e të tjerëve. Ndoshta lexuesve të pas 20 vjetëve këto do t’u duken të çuditshme dhe prandaj mund të kenë edhe interes. Në libër kemi shkruar se jemi larguar me traget në muajin shtator të vitit 2003. Kështu është. Ne u larguam njëri pas tjetrit me një diferencë prej tri ditësh dhe në datën 5 shtator u bashkuam në Itali. Data e largimit tim nga Shqipëria ka qenë e njohur për prokurorinë.
Ju shpreheni qartë në libër se nuk keni lidhje me vrasjen e Drejtorit të Burgjeve Bujar Kaloshi dhe me auto-bombën që shpërtheu tek supermarketi “Vefa”, por si ndodhi që u akuzuat ju për to? Keni ju ndonjë informacion për këtë ngjarje?
Nuk mendoj se jemi ne që kemi shkruar qartë se nuk kemi lidhje me dy ngjarjet e rënda që përmendni ju. Ne jemi përpjekur t’i japim mundësi opinionit të gjerë të njihet me faktet dhe janë faktet ato që flasin qartë. Dhe faktet flasin me të njëjtën forcë si për këta dy krime, ashtu edhe për krimet e tjerë. Faktet e pafajësisë nuk i kemi paraqitur ne, por prokuroria, më së shumti në gjykimin e parë. Në gjykimin e dytë veçoi mjaft prej fakteve, duke e përligjur këtë me pushimin e disa akuzave për disa krime të dorës së dytë, në dukje. Por kjo nuk u solli atë që dëshironin, sepse krimet ishin “lidhur” “shkencërisht”, pak ditë pas 16 tetorit 1996, në formë të ndërsjellë sikur të ishin kryer të gjitha nga ne. Nga ana tjetër, falsifikimet ishin të pranishme edhe në rastin e krimeve që “kishim kryer” ne, po aq sa në ato krime që prokuroria “zbuloi” pas 8 vjetëve se nuk i kishim kryer ne. Pavarësisht veçimeve të bëra nga prokuroria dhe refuzimit të gjykatës për t’i shqyrtuar disa nga faktet (gjatë gjykimit të dytë), pothuajse të gjitha provat ishin dhe mbetën në dosjen e gjykatës.
Ne nuk kemi informacion se kush i ka kryer dy krimet që ju veçoni dhe as për krimet e tjera. Por në dosjen e gjykatës ka informacion, një pjesë e të cilit është përfshirë në libër. Nuk kemi marrë dhe nuk marrim përsipër të themi se në ato informacione gjendet e vërteta e kulluar. Ndërmjet këtyre informacioneve, ka edhe prova të siguruara nga gjykata, siç quhen nga ligji procedural, por që gjykata e Krimeve të Rënda bëri sikur mbylli sytë për të thënë: “Aty janë, por nuk kam të drejtë t’i vlerësoj, se nuk i shqyrtova”.
Ajo që dihet nga të gjithë është fakti se janë pyetur nga gjykata më shumë se 250 dëshmitarë të prokurorisë. Shumica e këtyre i kanë parë autorët e ngjarjeve dhe asnjëri nga ata nuk ka thënë se ka njohur ndonjërin prej nesh. Madje, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë karakteristika që të jenë të përafërta me tonat. Për ta zhvlerësuar këtë fakt, njerëzit e Sali Berishës janë përpjekur të përhapin si të vërtetë një gënjeshtër. Sipas tyre autorët kanë qenë të maskuar dhe dëshmitarët nuk mund t’i njihnin. Por e kundërta është e vërtetë. Janë me dhjetëra ata dëshmitarë, që, të pyetur menjëherë pas ngjarjeve, kanë deklaruar se autorët nuk kanë qenë të maskuar dhe se ishin në gjendje t’i njohin po t’ua paraqisnin.
Por prokurorët, që e dinin se përse ishin ngritur akuzat ndaj nesh, nuk ua krijuan kurrë këtë mundësi dëshmitarëve okularë, as duke na paraqitur fizikisht para tyre dhe as me fotografi. Dëshmitarët që kanë parë ngjarjen e vrasjes së të ndjerit Kaloshi dhe ata që kanë parë personin që la makinën-bombë tek Supermarketi, të cilët kanë komunikuar me ta, kanë pohuar se autorët nuk kanë pasur asnjë lloj maskimi. Vetëm në dy ngjarje (vjedhje), dëshmitarët që kanë parë ngjarjet kanë thënë se autorët ishin me maska dhe në tre raste të tjera kanë deklaruar se autorët kanë pasur paruke. Kuptohet se paruka nuk e maskon fytyrën dhe nuk e pengon njohjen. Ata që dinë t’i përcaktojnë autorët, në bazë të metodës që përdorin për të kryer krimet, kanë thënë se 26 krimet e “kryera” nga ne, janë kryer nga 4 grupe të ndryshme.
Nëse faktet e paraqitur në libër nuk e kanë dhënë përgjigjen e pyetjes suaj: pse u përfshimë ne si autorë të vendosjes së bombës tek Supermarketi “VEFA”, në vrasjen e drejtorit të Burgjeve dhe si autorë të gjithë krimeve të tjerë, atëherë unë nuk kam përgjigje, sepse nuk janë komentet apo hamendjet tona ato për të cilat ka nevojë opinioni. Opinioni ka nevojë për fakte, ne i kemi dhënë faktet tona. E ka radhën Sali Berisha të japë faktet e tij që vërtetojnë se ne jemi përgjegjës për akuzat që na ka bërë, ose të japë arsyet pse zgjodhi që të ishim ne autorë të gjithë krimeve të rënda që ishin kryer gjatë qeverisjes së tij të parë, 1992-1996.
Si arritët të fitonit azil politik në Zvicër në kushtet që etiketoheshit, por edhe akuzoheshit si një ndër kriminelët më të rrezikshëm? Kudo në botë njerëzit i deklarojnë fajtorë gjykatat në bazë të ligjeve dhe provave. Askush nuk mund të deklarohet fajtor pa vendim gjykate, thotë edhe ligji shqiptar. Por mua fajtor, dhe jo një fajtor dosido, por kriminelin dhe terroristin më të rrezikshëm të Ballkanit, më ka deklaruar Sali Berisha. Kjo ka ndodhur shumë kohë përpara se të jepej një vendim gjykate, madje edhe më përpara se prokurorët e urdhëruar prej tij t’i kërkonin gjykatës arrestimin tim. Le t’i vendosim gjërat në radhën e tyre:
Në tetor 1996, ai deklaroi se Learti kishte krijuar, qysh në vitin 1992, një organizatë kriminale me emrin “Hakmarrja Shqiptare e Drejtësisë”; pastaj deklaroi se e kisha krijuar unë dhe se kisha rekrutuar dhjetëra njerëz, të gjithë me arsim të mesëm e të lartë, midis tyre edhe profesorë dhe doktorë të shkencave të ndryshme, të gjithë me moshë më të madhe nga unë, rekrutuesi 14-vjeçar; se kisha kryer të gjitha krimet që ishin kryer në Shqipëri gjatë viteve 1992-1996; se kisha planifikuar të vrisja Presidentin e vendit, domethënë vetë Sali Berishën, Kryetarin e SHIK-ut e të tjerë zyrtarë të shtetit, por “specialistët” e pushtetit të tij ma kishin ndalur dorën në çastin e duhur dhe plani i vrasjes kishte dështuar. Katër ditë rresht i bombardoi me të tilla lajme të trilluara shqiptarët që i kishte ftuar të votonin në zgjedhjet e 20 tetorit. Lajmet i shoqëronte me pamje të armëve, të eksplozivave, të planeve, kodeve, platformave kriminale që kinse ia kishte kapur organizatës kriminale. Njëkohësisht, rrëmbeu nga banesa e tyre, ndaloi dhe arrestoi më shumë se 120 njerëz që nga Shkodra gjer në Vlorë. Gjykimi përfundoi rreth shtatë vjet më vonë. Gjykata më deklaroi të pafajshëm mua dhe “anëtarët” e “Hakmarrjes”. Në çast Sali Berisha deklaro se isha kriminel dhe kurrsesi i pafajshëm. Përsëriti njëpërnjë akuzat që kishte bërë më 1996. Ndërsa gjyqtarët i deklarojë anëtarë të “Hakmarrjes”.
Në libër kemi dhënë kronologjinë e akuzave që na janë bërë nga Sali Berisha dhe efektet që kanë prodhuar ato për drejtësinë dhe për ne.
Ndalemi tek azili, si e fituat ju atë?
Para se të fitonim të drejtën e aziliantit politik u bë një gjyq në gjykatën e Lartë të Zvicrës. Njëra palë ishim ne, pala tjetër ishte ministria e Drejtësisë. Gjykata shqyrtoi provat e paraqitura nga ministria e Drejtësisë, të cilat vinin nga Shqipëria dhe provat e paraqitura nga ne, që ishin kryesisht prova të shqyrtuara nga gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Konkluzioni i vendimit të Gjykatës së Lartë (Federale) është cituar në kapakun e librit, ashtu si dhe konkluzioni kryesor i vendimit për dhënien e azilit. Ndërsa në brendësi të librit jemi përpjekur të japim një pamje sa më të plotë të hapave të hedhur dhe të rezultateve të arritura.
Jeta jonë këtu është ndërtuar ashtu si jeta e çdo emigranti, por me veçoritë që krijohen nga intrigat që vazhdon të bëjë në errësirë, por edhe hapur Sali Berisha.
Si i përjeton një person akuzat për ngjarje të rënda? Cilat kanë qenë pasojat për ju dhe të afërmit tuaj të qenit për shumë vite “persona në kërkim”? Nuk e di se si i përjeton akuzat një person i akuzuar me të drejtë, por në rastin tim akuzat, të shoqëruara me dhunë fizike dhe verbale, shkaktuan dhimbje. Shkaktuan edhe shqetësime. Shqetësime për pasojat ekonomike dhe morale që erdhën menjëherë, por që nuk ishte vështirë të parashikoje (herë qartë dhe herë turbullt), se të tjera do të vinin. Duke qenë se akuzat ishin të pavërteta ato injoroheshin dhe, si çdo gjë groteske, herë pas here nxisnin edhe humor, sidomos gjatë viteve të para, gjatë të cilave ne e përjashtonim në mënyrë absolute dënimin.
Çfarë ka ndodhur saktësisht në kohën e arrestimeve, nëse e mbani mend?
Në kohën kur janë bërë arrestimet unë nuk kam qenë në Shqipëri. I kam mësuar më vonë ato që kanë ndodhur në shtëpinë time në kohën që u arrestuar vëllai. Po kështu, edhe torturat që u janë bërë të arrestuarve në komisariate, në dhoma të fshehta dhe në pyje. Më vonë kam mësuar edhe për kontrollet e panumërta të banesës tonë dhe të banesave të shumë njerëzve tanë të afërt. Kontrollet bëheshin me pretekste të nënkuptuara, herë se kërkonin mua, herë se kërkonin “thesarin” e organizatës, herë se kërkonin arkivin e familjes etj. Por qëllimi i kontrolleve në mesnatë, duke rrethuar me policë të shumtë banesat në një perimetër të gjerë, ishte që të krijonin klimën e terrorit para zgjedhjeve të 20 tetorit që Saliu duhet t’i “fitonte” në atë masë që “fitoi” zgjedhjet e 26 majit të të njëjtit vit.
Nuk është e lehtë të harrohen, megjithëse do dëshiroja t’i harroja. Ju pyesni dhe mua menjëherë më pushton një neveri e pamatshme. Neveri e pamatshme për disa njerëz të poshtër, që e shkelnin ligjin për t’i shërbyer Sali Berishës në këmbim të plaçkave që u jepte. Nuk mund ta harroj dhunimin në mesnatë të banesës së një kushëririt të babait, kardiolog i njohur. Personi që udhëhiqte “operacionin”, ua kalon në poshtërsi bashkëpunëtorëve të tij në krim (emrin e ka në libër, këtu nuk po ia përmend, sepse menjëherë do t’i bënin favore më të begata nga ato që i kanë dhënë deri tani). Ky ish-oficer i sigurimit, i vënë në shërbim të pushtetit të ri për shkak të veseve të tij, kishte qenë fqinjë me fëmijët e mjekut në fjalë, në Tiranë të Re. E dinte shumë mirë se unë isha në Greqi, por i duhej të bënte një rrugë e dy punë. Kishte rastin që Saliut t’i tregonte sa i gatshëm ishte për t’i shërbyer, ndërsa bashkëmoshatarëve t’u tregonte vlerësimin që i kishte bërë pushteti për inteligjencën e lartë, që ata ia kishin shpërfillur qysh në rininë e hershme.
A vazhdon beteja juaj me drejtësinë shqiptare?
Beteja jonë nuk është me drejtësinë shqiptare, sepse drejtësia është vënë në shërbim të Sali Berishës. Këtë po e thonë të gjitha raportet e ndërkombëtarëve. Ne do të ndjekim radhën që është vendosur me ligj. Tani na ka mbetur ta kërkojmë të drejtën në Gjykatën Kushtetuese, sepse Gjykata e Lartë kishte vendosur të mos e kalonte çështjen për gjykim. Vendimi qenkësh marrë në mes të muajit korrik. Kohë e mirë që publiku të mos informohet. Askush nuk e mori vesh. Ne, falë “transparencës”, e mësuam në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë. Duke mos e gjykuar çështjen, Kolegji Penal shkelmoi ligjin dhe Kushtetutën, por shpëtoi nga shkelmat e Saliut. Nuk është aspak e çuditshme kur dëgjon se, si për të shpërndarë çdo dyshim për mungesë burrërie, nën zë thuhet: “presioni qe i madh”. Sa për nderin profesional, ky është i garantuar nga shqiptimi me zë të plotë i parullës së dalë boje: “gjykata është e pavarur”. Nëse, për modesti, parullën nuk e shqiptojnë vetë, për “korrektësinë” e tyre bëhet garant me be vetë Kryeministri dhe jo me dorë mbi ndonjë nga librat e shenjtë, por mbi “kodin e nderit” personal.
Presim që të marrim vendimin që, si gjithnjë për ne, del me vonesë. Dhe pastaj? E kemi bërë të qartë se nuk do ta ndalim luftën tonë për të vënë të drejtën në vend. Do paguajmë çdo çmim për të marrë atë që na takon.
FUND
Lexoni pjesë nga libri