“Të gjithë ju që jeni të pranishëm, e dini shumë mirë se kërkohet progres konkret, sidomos në forcimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike; gjithashtu në lidershipin politik, fleksibilitetin dhe gatishmërinë për të bërë ndonjëherë kompromise të dhimbshme, por shumë vendimtare kur është e nevojshme për interesin publik”
Nga Helene Hayman
Është një kënaqësi dhe nder për mua të vizitoj Shqipërinë për here të parë dhe jam tejet mirënjohëse për mikpritjen e ngrohte që më është bërë jo vetëm nga Ju Zonja Kryetare, por nga gjithë kolegët tuaj që kam takuar sot, dhe nderin për takimin me Presidentin. Jam prekur veçanërisht nga ngrohtësia dhe falënderimi për mbështetjen e MB gjatë 20 viteve të fundit kur populli shqiptar ka bërë një tranzicion kaq të jashtëzakonshëm, nga një periudhe kaq e erret e historisë së tyre, si dhe nga dëshira për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Pres me shumë dëshirë, jo vetëm të mësoj si e shihni ju rrugën që vendi dhe rajonin juaj kanë përpara, dhe veçanërisht parlamenti tuaj; por gjithashtu, pres me shumë dëshirë të shoh pak nga vendi juaj i bukur, prej të cilit deri tani kam mundur të shoh një pamje nga Saranda që përtej kanalit të Korfuzit.
Për njerëzit e brezit tim, Shqipëria deri vonë ka qenë një libër i mbyllur. Një vizitë nga Kryetarja e Mbretërisë së Bashkuar ishte e paimagjinueshme 25 vite më parë. Por ajo kohë ka ikur. Është e vështirë të mendosh kohet e errëta të regjimit të vjetër në këtë sallë te rikonstruktuar. Tani grupet e miqësisë Shqipëri-MB janë në lulëzim, siç janë dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve tona në nivel biznesi, atë kulturor, dhe sportiv.
Parlamenti ka një rol kryesor në shtetin demokratik. Pavarësisht mënyrës së zgjedhjes, ose ndryshimeve ne mënyrën se si punojmë (Unë përfaqësoj një dhomë të emëruar të një parlamenti dy-dhomësh) ndajmë mjaft parime të rëndësishme. Dhe të jesh një anëtar parlamenti është në të njëjtën kohë privilegj dhe përgjegjësi për secilin prej nesh. Ndoshta më e rëndësishmja nga të gjithë këto përgjegjësi është t’i kërkosh llogari qeverisë përmes pyetjeve, debateve, dhe kontrollit të detajuar të politikave dhe propozimeve legjislative. Në mënyrë që këtë përgjegjësi ta përmbushim mirë, ne si parlamentarë duhet të zhvillojmë ekspertizën tonë veçanërisht në punën e komisioneve, siç e di se po e bëni. Kjo kërkon mbështetjen e një stafi permanent, profesional të të gjithë parlamentit dhe jo atë të ndarjeve politike.
Parlamenti është forumi i kombit. Është aty ku pikëpamjet e ndryshme të një shoqërie artikulohen haptazi dhe ku bëhen rezoluta, shpesh shoqëruar me debate te nxehta dhe pasiononte. Në këtë kontekst, mënyra sesi ne si parlamentar sillemi është tejet e rëndësishme, veçanërisht pasi –me te drejtë – mediat moderne i japin mundësi qytetarëve të shohin përfaqësuesit e tyre në punë. Por sjellja e mirë është e rëndësishme për arsye të tjera gjithashtu. Ato do të thotë të dëgjosh më respekt pikëpamjet e atyre, me të cilët nuk jemi dakord dhe në fund të debatit të pranosh vendimet e maxhorancës, sado të papëlqyeshme qofshin ato.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e kryetarëve, dhe ndryshe nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, unë nuk kam kompetencë të mbaj qetësi. Pozicioni im, që në emër është shumë i vjetër, është faktikisht shumë e re. Ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve ka një traditë të hershme Kryetarësh të pavarur, për shekuj, Kancelari i Dhomës së Lordëve – një ministër në qeveri – kryesonte Dhomën e Lordëve. Kjo ndryshoi katër vite më parë, kur krijuam një Gjykatën e Lartë për të parën herë, atëherë kur unë u zgjodha Kryetare e Dhomës se Lordëve nga e gjithë Dhoma. Por një traditë u ruajt – Dhoma mban qetësinë vetë – ndonjëherë jo në mënyrë perfekte, më duhet ta pranoj. Por në përgjithësi anëtarët e trajtojnë njeri-tjetrin me respekt dhe krijojnë aleanca për çështje të caktuara, shpesh pavarësisht grupit politik të cilit i përkasin.
Dhe përgjegjësia e parlamentarëve t’i kërkojnë llogari qeverisë ndonjëherë, mund të përbëjë vështirësi për një deputet të forcës qeverisëse pasi besnikëria ndaj partisë dhe besnikëria ndaj parimeve vetjake duket sikur janë në konflikt. Dhe anëtaret e opozitës, kur është në interes të kombit ato mbështesin një politikë të veçantë të një qeverie, të cilën në përgjithësi ato e kundërshtojnë, mund të gjinden në një konflikt të ngjashëm. Interesi kombëtar është shumë më i rëndësishëm se partia, dhe institucioni i parlamentit është më i rëndësishëm sesa njerëzit (ndarjet) në të. Në Britaninë e Madhe partia më e madhe opozitare njihet si “Opozita Besnike e Madhërisë së Saj”. Ky koncept, i bërjes opozitë në të njëjtën kohë duke synuar të mirën e përbashkët, është në zemrën e traditës së Uestminster.
Që kur jam bërë Kryetare e Dhomës së Lordëve unë, nëpërmjet pjesëmarrjes ne konferenca të Këshillit të Evropës dhe Kryetarëve të Parlamenteve të Bashkimit Evropian, kam kuptuar vështirësitë me të cilat janë përballur shtetet e ish Bllokut të Lindjes, ndërsa janë përpjekur të rikrijojnë një traditë demokratike dhe parlamentare, ose në disa raste kanë krijuar një demokraci të re. Prej dekadash ju përpiqeni të arrini atë që demokracitë e tjera janë përpjekur ta arrijnë ndër shekuj dhe pavarësisht kësaj jemi akoma larg ideales.
Unë jam e vetëdijshme për detyrat që keni. Me të vërtetë, unë ndonjëherë mund t’iu kem zili angazhimin për të filluar nga fillimi pa bagazhin e akumuluar ndër shekuj. Në të vërtetë unë e di se sa e lodhshme duket kjo detyre hera-herës.
Si kryetare e Dhomës së Lordëve, unë nuk marr më pjesë në politikën partiake. Më kërkohet të jem e paanshme, mbi partitë. Unë nuk flas për Qeverinë e Britanisë së Madhe. Por unë e di që Qeveria jonë dëshiron të shohë Shqipërinë dhe vendet e saj fqinje në rrugën pa kthim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç ka thënë Sekretari ynë i Jashtëm së fundmi në Sarajevë: “Një Bashkim Evropian pa Ballkanin Perëndimor do të kishte një hendek zhgënjyes dhe të pakëndshëm në qendër të saj”
Por të gjithë ju që jeni të pranishëm, e dini shumë mirë se kërkohet progres konkret, sidomos në forcimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike; gjithashtu në lidershipin politik, fleksibilitetin dhe gatishmërinë për të bërë ndonjëherë kompromise të dhimbshme, por shumë vendimtare kur është e nevojshme për interesin publik.
(*) Fjala e Kryetares së Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Madhe, Baronesha Helene Hayman në Kuvendin e Shqipërisë