English

PD: Rama të mos fshihet pas fustanit të grave, por të zbulojë skemën e 20 %-it

Tiranë, 20 shtator, NOA – Selia blu i ka kërkuar sot kryetarit të Bashkisë Edi Rama, të njohur nga demokratët si kryetari i bllokmenëve të rinj apo edhe me nofkën Zoti 20 përqind, që të mos fshihet më, por të deklarojë publikisht skemën mafioze të marrjes për çdo leje ndërtimi në Tiranë për 12 vjet, të një gjobe prej 20 përqind përfitim në xhepin e tij.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjergji Papa deklaroi në një konferencë për shtyp se “Edhe sot Kryetari i bllokmenëve të rinj u fsheh pas fustanit të grave, ai, që me dorën e vet ka shkruar se është i pastrehë, me dokumente publikë na del se vetëm në njërin prej rasteve me leprin e tij është aksioner prej 20%”.

Deputeti Papa riartikuloi akuzat e përditshme nga ana e PD-së, se “Edvin Kristaq Rama që me dorën e tij ka firmosur se nuk ka shtëpi, vetëm në kontratën e liqenit përmes leprit të tij përfiton mijëra metra katror ndërtim”.

Deputeti demokrat i rikujtoi kryebashkiakut Rama se vetëm me kontratën e një investitori si Vizion Construction nën siglimin e Leprit, fitimi i Ramës arrin në 100 milion euro.

Duke iu referuar deklaratës së gënjeshtërt të pasurisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që deklaron se 12-vjet në krye të qeverisjes së kryeqytetit ka kursyer vetëm 3000 mije euro, deputeti demokrat Papa e ftoi kryebashkiakun të mos fshihet më, por të zbulojë publikisht skemën e përfitimit të 20 përqind fitim për çdo leje ndërtimi.

“Ftoj me dashamirësi Zotin Rama. U bë gjatë duke u fshehur pas grave. Ka ardhur koha te dalësh nga kutia e leprit e të shpjegosh para Shqiptareve, skemën mafioze te 20%”, tha zoti deputeti Gjergji Papa, duke nënvizuar se me këtë skemë, vetëm në njërin prej projekteve Rama fut në xhepin e tij plot 100 milion euro.

mit/NOA
KOMENTE