English

Selmani, niset për vizitë në SHBA

Uashington, 20 shtator, NOA – Kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani, dje ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjatë javës do të qëndrojë në Uashington dhe Nju Jork.

Selmani udhëtoi për SHBA me ftesë të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), i cili në Nju Jork organizon mbrëmjen-gala tradicionale, ku si mysafir marrin pjesë personalitetet më të shquara të jetës politike dhe komunitetit të biznesit shqiptar, si dhe politikanë të lartë dhe lobistë amerikan dhe botëror për kauzën shqiptare. Këtë vit evenimenti do të nderojë Nënën Terezë për arritjet e saja jetësore në 100-vjetorin e lindjes së saj, si dhe ish-sekretarin e shtetit amerikan, Nicholas Burns.

Sot dhe nesër, bëhet me dije se Selmani në Uashington do të takohet me përfaqësues të Kongresit Amerikan dhe lobistë të shquar në raportet shqiptaro-amerikane, ndërsa të mërkurën në Nju Jork do të merr pjesë në Biznes-Forum ku do të marrin pjesë edhe shumë përfaqësues të lartë të politikës dhe biznesit nga rajoni dhe bota.

Përndryshe, kreu i DR-së Selmani është lideri i vetëm i një partie politike shqiptare nga Maqedonia i cili merr pjesë në këto evenimente.

n.e/NOA

KOMENTE