English

Takohen në Nju Jork, Sarkozi i konfirmon Berishës: Do të vij në Shqipëri!

Nju Jork, 20 shtator, NOA – Së shpejti, do të vijë në Shqipëri për një vizitë zyrtare vetë presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, fakt ky i cili është konfirmuar prej atij vetë para kryeministrit Sali Berisha gjatë një takimi që pati me të në kuadrin e punimeve të takimit "Objektivat e Sfidave të Mijëvjecarit", në Nju Jork.

Lajmi bëhet me dije për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime pranë delegacionit shqiptar të pranishëm në OKB, ndërsa ato pohojnë se kreu i qeverisë shqiptare është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kouchner.

Në veçanti, gjatë takimit të përbashkët mes dyshes Berisha-Sarkozi, biseda u përqendrua tërësisht në vizitën e presidentit francez në Shqipëri.

Në këtë kontekst, bëhet me dije se presidenti Sarkozi i rikonfirmoi kryeministrit Berisha dëshirën dhe vendimin e tij për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen, duke u shprehur se për të është një kënaqësi e madhe.

Ndërkaq, mësohet se gjatë ditës së sotme, në kuadrin e punimeve të takimit "Objektivat e Sfidave të Mijëvjeçarit", në selinë e Kombeve të Bashkuara kryeministri Berisha u takua me personalitete të tjera botërorë si ai me kryeministrin belg Yves Leterme, kryeministrin bullgar Boyko Borissov, kryeministrin e Portugalisë Jose Socrates dhe me kryeministren e Bangladeshit.

Pa harruar as takimet me presidentin e Turqisë Abdullah Gül, presidentin e Timorit Lindor Jose Ramos-Horta, si dhe me drejtues të delegacionit të Kenias; me ministrin e Jashtëm të Spanjës dhe me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite.

Në këto takime, bëhet me dije se kryeministri u fokusua në njohjen e republikës së Kosovës.

Ndërkaq, mësohet se kryeministri Berisha do të mbajë diskutimin e tij në seancën e datës 22 shtator dhe në fjalën e tij, do të fokusohet në shembullin e Shqipërisë në përballimin e sfidave dhe në përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për arritjen e objektivave të mijëvjeçarit, të vendosura nga OKB.

n.e/NOA

KOMENTE