English

Tiranë, zbulohet një varr antik i shekullit të tretë

Tiranë, 20 Shtator 2010 NOA - Një varr antik është zbuluar në oborrin e një banese private në fshatin Baldushk gjatë gërmimeve për hapjen e një pusi. Varri ishte i ndërtuar nga 5 pllaka prej guri të periudhës romake dhe zbulimi i tyre bëri që pronari i tokës të ndërpresë menjëherë punimet e të njoftojë Institutin e Arkeologjisë.

Besnik Bali tha për tv Klan se gjatë gërmimeve për një pus, u vunë re këto pllaka, dhe shtoi “Ndërpreva punimet dhe u lidha me Institutin e Arkeologjisë dhe vendosa që pusin të mos e ndërtoj më këtu”.

Sipas vlerësimit të parë të arkeologëve, Stelat e Varrit me përmasa të përafërta 1.5 me 0.5 metra i takojnë shekullit të dytë ose të tretë pas Krishtit. Ato janë transportuar nga një qytet romak siç mund të jetë Durrësi, rreth vitit 225.

Arkeologu Skënder Muçaj pohon: “Kemi të bëjmë me 5 stela varri të periudhës romake. Ato janë të importuara nga një qytet tjetër dhe ky proces është i njohur për arkeologët. Gjendja e gurit gëlqeror na bën të mendojmë se kanë qëndruar në zonë bregdetare”.

Brenda varrit janë gjetur edhe disa armë lufte, të cilat dëshmojnë se varri i takonte një banori të zonës i cili ka shërbyer si luftëtar. Zbulimet në Baldushk nuk janë surprizë për arkeologët edhe pse kjo zonë është pothuajse e paprekur nga ekspeditat.

e.r/NOA

KOMENTE