Shkup, 20 shtator, NOA - Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Resul Ulema H.Sulejman ef. Rexhepi, në një konferencë për shtyp deklaroi se besimtarët myslimanë, brenda dhe jashtë vendit janë të shqetësuar nga veprimet e pa kontrolluara të kundërligjshme të cilat ushtrohen nga individë radikal vehabist, në Maqedoni.
Rexhepi tha se, sot ka zhvilluar një takim me të gjithë përfaqësuesit (hoxhallarët) që BFIM i ka dërguar në shtetet e Evropës dhe Amerikës dhe prej tyre drejtpërdrejtë është informuar lidhur me aktivitetet e tyre në qendrat islame atje.
“Besimtarët myslimanë brenda dhe jashtë vendit janë të shqetësuar dhe i bëjnë ftesë partive politike shqiptare, qeverisë së RM, institucioneve shtetërore si dhe të gjitha subjekteve të akredituara në Maqedoni në veçanti ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe asaj të Unionit Evropian me seli në Shkup, që të përkrahin Institucionin e BFI-së dhe të marrin masa të duhura kundër këtyre individëve radikalë qëllimi i të cilëve është dëmtimi i Islamit si fe, a njëherit rrënimi i imazhit të popullit tonë dhe pengimi i të njëjtit për integrimin në NATO dhe në Unionin Evropian”, deklaroi Rexhepi bazuar në informacionet përfaqësuesve të BFIM-së.
Ai tha se, në takimin e lartpërmendur është njoftuar gjithashtu edhe për problemet me të cilat ballafaqohen si dhe shqetësimet lidhur me çështjet tona me vlerë fetare edhe kombëtare.
“Nga përfaqësuesit të cilët ishin jashtë vendit u informova se besimtarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në diasporë kanë shprehur interesimin dhe gatishmërinë e tyre për mirëmbajtjen e Medresesë Isa Beu dhe Fakultetit të Shkencave Islame të cilat janë celula kryesore për edukimin dhe arsimimin e drejtë të gjeneratave tona të ardhshme”, shtoi ai.
NOA-INA