English

Asambleja e OKB, Presidenti Topi fluturon drejt SHBA-ve

Tiranë, 21 shtator, NOA – Pas dekretimit të kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, në krye të në delegacioni zyrtar ka fluturuar përdrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në sesionin e 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet në Nju Jork.

Në kuadër të punimeve të kësaj Asambleje, Presidenti i Republikës do të mbajë një fjalë në prani të kryetarëve të shteteve dhe personaliteteve të larta të politikës botërore pjesëmarrëse në Sesionin e 65-të të AP-së.

Kryetari i Shtetit do të marrë pjesë në drekën zyrtare të shtruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon për nder të Kryetarëve të delegacioneve, si dhe pritet të zhvillojë takime pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe me Kryeministrin e Republikës së Greqisë, Jorgos Papandreu.

Në mbyllje të Debatit të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OKB-së, në sesionin e 65-të, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi do të marrin pjesë në pritjen zyrtare që, Presidenti amerikan, Barak Obama dhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Mishel Obama do të organizojnë për nder të kryetarëve të delegacioneve pjesëmarrëse në këtë Asamble dhe bashkëshorteve të tyre.

Axhenda e qëndrimit të Presidentit Topi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikon një vizitë në Miçigan, ku Presidenti Topi do të marrë pjesë në një ceremoni të posaçme në shenjë nderimi në monumentin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe në Monumentin e Nënë Terezës.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi do të takohet dhe me përfaqësuesit e të gjithë komuniteteve fetare dhe shoqatave shqiptare atje në Miçigan, si dhe do të vizitojë Qendrën Islamike Shqiptare.

mit/NOA
KOMENTE