Nju Jork, 21 shtator, NOA - Procesi i përbashkët i integrimit dhe forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi si dy vende të rajonit të Ballkanit u diskutuan në takimin që ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto pati me homologun e tij malazez, Milan Rocen.
Takimi i dy shefave të diplomacive ballkanase u zhvillua në Nju Jork, ky dy homologët do të marrin pjesë në punimet e Sesionit të 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Dy ministrat vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe shprehën vendosmërinë për ecjen përpara me projektet e bashkëpunimit në fushat me interes reciprok, veçanërisht në infrastrukturë, transport, bashkëpunim kufitar dhe energji.
Madje ata theksuan se nevojitet bashkëpunim ndërkufitar për lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit me karta biometrike identiteti deri në arritjen e integrimit si një akt i plotë për të gjithë qytetarët e të dy vendeve.
Ministri Rocen shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të vendit të tij në strukturat Euroatlantike si një kontribut në stabilitetin e Malit të Zi e rajonit në përgjithësi.
Në përfundim, Ministri Rocen e ftoi Ministrin Haxhinasto për një vizitë zyrtare ne Podgoricë, në një kohë sa më të afërt, ftesë e cila u prit me kënaqësi.
mit/NOA