English

Haxhinasto-Vashadze: Shqipëria dhe Gjeorgjia, së shpejti dialog politik dhe bashkëpunim ekonomik

Nju Jork, 21 shtator, NOA – Shqipëria dhe Gjeorgjia do të nisin brenda këtij viti konsultimet për dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe për çështjet e sigurisë.

Në këtë mendje kanë rënë dakort dy ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve respektive, Edmond Haxhinasto dhe Grigol Vashadze gjatë takimit të tyre në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Sesionit të 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në këtë kontekst MPJ, bën të ditur se do të fillohet pa vonesë me konsultime në nivel ekspertësh për plotësimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit duke përgatitur marrëveshjet në fushat e eliminimit të taksimit të dyfishtë, mbrojtjes së ndërsjellë të investimeve, marrëveshjes në fushën konsullore për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike e të shërbimit, etj.

Në njoftimin për shtyp të MPJ-së, thuhet se në drejtim të zgjerimit të dialogut politik, dy homologët, ranë dakord për ecjen përpara duke filluar me konsultimet në nivel drejtorësh politikë e duke ecur gradualisht drejt shkëmbimit të vizitave të Ministrave të Jashtëm. Madje, ministri gjeorgjian Vashadze njoftoi mbi planet e tij për emërimin e një Konsulli Nderi të Gjeorgjisë në Shqipëri, ose emërimin fillimisht të një të Ngarkuari me Punë të Ambasadës së Gjeorgjisë në Tiranë.

Ministrat Haxhinasto dhe Vashadze shkëmbyen në takim edhe mendime lidhur me ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendeve përkatëse dhe proceset e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencës në fushat e integrimit evropian e euroatlantik.

Në këtë kontekst ministri i Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë shprehu mbështetjen e plotë të vendit të tij për synimin e Shqipërisë për të marrë kryesinë e radhës së OSBE-së.

Gjatë takimit, zoti Vashadze shprehu kënaqësinë për nivelin e bashkëpunimit midis dy vendeve në kuadrin e organizatave ndërkombëtare dhe falenderoi në mënyrë të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria tregoi, së fundmi, gjatë votimit të rezolutës së paraqitur nga vendi i tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.

Ministrat Haxhinasto e Vashadze ranë dakord për të shkëmbyer vizita në vendet respektive, për vënien në jetë të impenjimeve të marra diplomatike.

mit/NOA
KOMENTE