English

Ish ekspozita, PS: Berisha dhe Ruli gënjyen për të maskuar privatizimin

Tiranë, 21 shtator, NOA – Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Eduard Shalsi ka vijuar sot akuzat për korrupsion dhe kapje të shtetit nga qeveria lidhur me privatizimin e ish ekspozitës “Shqipëria Sot”, për të cilin ai zbuloi në konferencën e radhës për shtyp, faktin e ri të dokumentuar.

“Ka ende një proces gjyqësor për një pjesë të sipërfaqes tek ish-Ekspozita “Shqipëria Sot”, proces gjyqësor midis një institucioni publik dhe një privati, një pretenduesi prone. Një fakt të cilin Genc Ruli dhe Sali Berisha e kanë mbajtur të fshehur për të maskuar të gjithë këtë proces”, deklaroi për mediat deputeti Shalsi.

Zoti Shalsi theksoi se sipërfaqja nën objekt, prishja e kontratave, pandryshueshmëria e çmimit, fillimi i procesit të privatizimit, fshehja e gjyqit nuk do të kishin ndodhur sikur në mars të vitit 2008, kompania e Tartarit dhe e Selmanllarit, e njohur si “Vizion Construction”, të mos kishin nënshkruar një kontratë.

Duke denoncuar faktin e ri të një procesi gjyqësor mes një qytetari dhe një institucioni publik, me pretendimin mbi pronësinë mbi një pjesë të truallit, tashmë i privatizuar, deputeti socialist, pohoi se “Privatizimi i kësaj pjese të truallit ndërkohë që palët ndodhen ende në një proces gjyqësor përbën një shkelje flagrante të ligjit”.

Edhe në këtë dalje publike, Shalsi tha se elementi me flagrant i kësaj afere korruptive është shitja e pothuajse 3000 metrave katrorë truall publik me një çmim dy deri në tre herë më të ulët, se ai i zonave përreth ekspozites; çmim, për më tepër ishte lënë i pandryshuar me VKM, ndërkohë që çmimi i trojeve në zonat përreth ishte rritur.

Prej disa ditësh selia rozë i ka kujtuar ish ministrit të Ekonomisë, me prova për procesin e privatizimit të ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot” mbi shitjen e 2900 m2 truall publik.

Duke iu referuar pyetjeve të drejtuara dhe kundërpërgjigjeve të ministrit Ruli, deputeti Shalsi shtoi sakaq se “tashmë është e qartë për të gjithë skema se privatizimi dhe shitja e truallit publik prej 2984 m2, është realizuar duke prishur fillimisht kontratat në mënyrë të njëanëshme me subjektet, që operonin me qera në ish-Ekspozitën “Shqipëria Sot”, gjë që shënoi në të njëjtën kohë fillimin e procesit të privatizimit.

Ndërkohë, ai përmendi edhe rastin flagrant që dëshmoi se nga shkurti deri në nëntor të vitit 2008, qeveria kishte trefishuar çmimet e trojeve përpara, pas dhe anash ekspozitës, ndërkohë që u mbajt i fiksuar dhe i pandryshuar çmimi i truallit te ekspozita.

Kjo sipas deputetit socialist, Eduart Shalsi përbën edhe skemën e projektuar, ideuar dhe realizuar mbi privatizimin e trojeve publike, të shitura nga qeveria e Sali Berishës në bashkëpunim me ish ministrin Genc Ruli.

mit/NOA
KOMENTE