Prishtinë, 21 shtator, NOA - Të drejtat e njeriut për persona me aftësi të kufizuar shkelen në mënyrë të vazhdueshme në Kosovë. Dhe nëse e bëjmë një analizë qoftë edhe sipërfaqësore, atëherë do ta shohim se të gjitha nenet e cituara më lart të Deklaratës Universale, shkelen në raport me statusin e personave me aftësi të kufizuar.
Kështu pohon Këshilli i Mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në një deklaratë të tij, duke sqaruar sesi personat me aftësi të kufizuar e kanë lirinë e lëvizjes të kufizuar dhe në jo pak raste, edhe të pamundur.
Kjo dukuri vërehet sidomos në ndërtesat publike, prandaj kanë probleme të konsiderueshme të sigurojnë qasje të papenguar.
“Në asnjë rrugë të Kosovës nuk ka shteg (pjesë e rrugës ) të veçantë në të cilin PAK do të lëviznin lirisht dhe ku nuk do të rrezikoheshin nga automjetet. Gjithashtu, edhe në vendkalimet nuk ekzistojnë semaforë që do të rregullonin kalimin e papengueshëm dhe të sigurt të rrugës për PAK”, citon deklarata.
Duke shtuar se mungojnë politikat qeveritare që do të krijonin vende të reja të punës për PAK, ndërsa në sektorin privat numri i të punësuarve nga radhët e PAK është i vogël. Por edhe në vendimmarrje, numri i personave me aftësi të kufizuar është jashtëzakonisht i vogël, citojnë drejtuesit e Këshillit të Mbrojtjes së të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë.
Si përfundim, ata shtojnë se personat me aftësi të kufizuar nuk kanë nevojë për mëshirën e shoqërisë e cila mbështetet ekskluzivisht në paragjykime, por kanë nevojë për përkrahje të institucioneve të Kosovës të cilat duhet t’i përmbushin detyrimet kushtetuese ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos diskriminohen siç po veprohet me PAK. “Ndryshimi i vetëdijes sonë dhe ndërgjegjësimi për eliminimin e diskriminimit do të ishte ndihma më e madhe për PAK. Sepse, krejt në fund, personat me aftësi të kufizuar kanë nevojë që t’u sigurohet një hapësirë ku do t’i shpalosin aftësitë e tyre dhe ku do të kontribuojnë për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, si pjesë aktive e saj, pa iu nënshtruar diskriminimit dhe paragjykimit”, pohon Bexhet Shala, drejtor ekzekutiv i KMDLNJ.
n.e/NOA