English

Mblidhen në Shqipëri 60 ish-bursantë të Gjermanisë nga Ballkani

Tiranë, 21 shtator, NOA - Programi i bursave të Komitetit Lindor të Ekonomisë Gjermane për Ballkanin Perëndimor mbledh në një takim të tretë rajonal gjatë datave 22-26 shtator 2010, në Vlorë dhe Tiranë 60 ish-bursantë nga Ballkani Perëndimor.

Ata janë nga Serbia, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Që nga viti 2004, Komiteti Lindor i Ekonomisë Gjermane në bashkëpunim me Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim realizon programin e bursave të Ekonomisë Gjermane Ballkanin Perëndimor. Ky program, i cili fillimisht ka nisur në Serbi si “Programi i bursave Zoran Djindjic”, është shtrirë nga viti 2007 në të shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Çdo vit, në kuadër të këtij programi, 50 të rinj, studentë dhe të diplomuar, zhvillojnë praktika tre deri gjashtëmujore në kompani gjermane.

Ky program është një shembull i shkëlqyer i bashkëveprimit të angazhimit ekonomik dhe politikave për zhvillim në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kompanitë gjermane pjesëmarrëse angazhohen duke u ofruar praktikantëve jo vetëm një vështrim në proceset e ekonomisë së tregut në Gjermani, por dhe në punën e menaxhimin e kompanive gjermane.

Në këtë mënyrë, bursantët përfitojnë nga përvoja e mbledhur gjatë praktikës në Gjermani të cilën vënë në jetë pas kthimit në Shqipëri.

Disa prej tyre, pas kthimit janë punësuar në kompani gjermane dhe kontribuojnë në mënyrë aktive në forcimin e marrëdhënieve ekonomike me rajonin. Që nga viti 2004, 280 bursantë kanë kryer praktikën në rreth 60 kompani gjermane lider. Ata janë pjesë e një rrjeti kuadrosh të rinj e të kualifikuar nga fusha të ndryshme, të cilët ndërtojnë ura të rëndësishme për të zhvilluar më tej në të ardhmen shkëmbimin që i kalon kufijtë dhe pajtimin rajonal.

n.e/NOA

KOMENTE