Prishtinë, 21 shtator, NOA/ Ilir Muharremi - Motive mjaftë interesante që ngritën në kulmin e magjisë së pikturës, dominojnë në pesëdhjetë e dy piktura të punuara me teknika të ndryshme të artistit nga Shqipëria Mehmet Baçit, të cilat u ekspozuan në galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë.
Krijimtaria e këtij artisti është e veçantë, të bën për vete, të mban në kërshëri të madhe, të fut në thellësi me horizonte ngjyrash të ndezura, duke u nisur nga e kuqja e ngrohtë, e deri tek e kaltra e ftohët, të cilat burojnë nga ndjenjat e kontrolluara mjeshtërisht të këtij artisti.
Tek portreti i titulluar “Dritare” paraqitet një vajzë nudo, e cila kokën e ka të mbuluar me të kuqe të pastër dhe gjysmën e fytyrës me të kaltër, trupi i saj i zhveshur dhe paksa qëllimisht i deformuar, i kufizuar me të kuqen, të kaltrën, të zezën, na paraqet një botë të brendshme të sinqertë femërore, e cila edhe pse nuk buzëqesh mistershëm, ajo me heshtjen e saj, na tregon subjektin e pastër e të bardhë engjëllor.
Autori influencohet, nga kubizmi i Pikasos, impresionizmi, ekspresionizmi i Vinsent Van Goguht dhe nga arti modern.
Krijimtaria e tij, na jepet edhe me nuanca romantike e këtë e vërejmë në ciklet “Dritë për të tjerët”, “Vetmi”, “Hapësirë e lakuar” etj.
Tek portreti “Vetmi”, një vajzë në gjendje depresive mban kokën në drejtim të tokës, ana depresive e saj pasqyrohet përmes ngjyrës së kaltër dhe të zezë, kurse shpresa për të jetuar paraqite me ngjyra më të ndezura si: e verdhë dhe portokalli të vendosura në disa qime të flokëve të saja, kurse fytyra është e mbuluar me të kaltrën, e cila i ngjan një migrene të fortë me plot dhembje. Ndërkaq, edhe prapavija është e pushtuar me betejën e shpresës dhe depresionit dhe fitimtare është shpresa ngase kjo vajzë jeton në vetminë e saj.
Me mjeshtri janë realizuar portretet monotipe duke na futur në një botë reale subjektive. Ndërkaq, peizazhet janë me çlodhëse, por edhe në të njëjtën kohë frymëzuese. Hapësira dhe cilësia artistike e tyre është tërheqëse, nganjëherë edhe poetike, janë të ndriçuara edhe në netët me të errëta, dhe këtë e vërejmë në ciklin “Mbrëmje në pyll”.
Por edhe peizazhet: “Gjurmë kalërimi”, “Pranverë në Borak”, janë shpërthyese dhe të lirojnë nga e keqja, të fusin në labirinte të çuditshme të ngjyrave, ato sikurse kanë tinguj dhe burojnë nga ndjenja e pastër duke u shoqëruar me egon e autorit.
i.m/n.e/NOA