Shkup, 21 shtator, NOA – Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, ka theksuar se ka ardhur koha për propozim përfundimtar për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë.
“Koha është për propozim përfundimtar për zgjidhjen e kontestit të emrit, por ky propozim patjetër duhet të përgatitet me shumë kujdes”, deklaroi Nimic pas takimit të zhvilluar mbrëmë me shefin e diplomacisë greke Dimitris Drucas në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Shefi i diplomacisë greke, Drucas në këtë takim ka përsëritur pozicionet greke, të cilat sipas tij, janë konsistente, reale dhe të sinqerta, transmeton agjencia greke e lajmeve ANA-MPA.
“Qeveria greke ka vullnet politik për zgjidhjen e këtij problemi në kuadër të linjave të kuqe tashmë të njohura – një emër me përmbajtje gjeografike për përdorim të përgjithshëm. I kam rekomanduar edhe ndërmjetësit Nimic që udhëheqja e Shkupit duhet të vijë në tryezën e negociatave në OKB me një frymë të kompromisit. Për fat të keq deri tani nuk kemi parë gatishmëri të tillë”, deklaroi Drucas.
Ai ka shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen e kryeministrit Nikolla Gruevski në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku sipas tij, ka ekzistuar mundësia për takim të drejtpërdrejt me kryeministrin Jorgos Papandreu.
Ndërmjetësi Nimic nënvizoi se gjatë viteve të fundit ka dhënë disa propozime, por deri tani nuk ka pasur ndonjë propozim të pranueshëm për të dyja palët.
“Propozimi i ri duhet të përgatitet me shumë kujdes, për shkak se kemi shumë çështje të shtruara në tryezë të negociatave, ku të dyja palët duhet të marrin parasysh ato dhe t`i shqyrtojnë”, deklaroi ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka zhvilluar një ditë më parë një takim me ndërmjetësin e OKB-së, Metju Nimic, për t`u njohur me procesin lidhur me zgjidhjen e kontestit të emrit.
NOA-INA