Tiranë, 21 shtator, NOA/Milena Selimi - Kanë nisur xhirimet e filmit “Amnistia”një produksion shqiptaro-grek. Një kronikë në shtyp dhe një histori dramatike bëhet shkas për të shkruar skenarin e një filmi.
Regjisori Bujar Alimani niset nga një histori reale dhe në filmin “Amnistia” rrëfen historinë e Elsës dhe Shpëtimit, që takohen një ditë në rrjedhën e jetës së mërzitshme, që bëjnë në dy qytete të Shqipërisë së tranzicionit.
Një rrëfim për demokratizimin e burgjeve dhe lejimin e dhomave intime për bashkëshortët.
Të dy kanë bashkëshortë të dënuar me burg.
Njohja, marrëdhënia dhe kuptimi, që i japin lidhjes së tyre ndodh gjatë këtyre vizitave. Janë dy njerëz që krijojnë një marrëdhënie, e cila për shoqërinë quhet "e paligjshme". Aktorët, Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi, Mirela Naska, Omer Hamitaj, Orest Arapaj etj, janë kasti i përzgjedhur nga regjisori Alimani, të gjithë aktorë të rinj.
“Më e vërtetë se e vërteta”, shfaqja më e fundit në Teatrin e Metropolit, duket se i ka sjellë fat aktores Luli Bitri.
Ka mjaftuar roli i Cloe-s për të “shënjuar” rolin kryesor në filmin “Amnistia”.
Nuk është e rastësishme përzgjedhja e aktorit Karafil Shena, i cili prej disa vitesh jeton dhe punon në Greqi dhe vjen në këtë film pas rolit në “Balkan Pazar” të regjisorit Edmond Budina.
"Amnistia" është një prodhim i shtëpisë filmike shqiptare "90 Production" e mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike, në bashkëpunim me shtëpinë filmike greke "Fantasia Audiovizual", që financon me 35% të prodhimit dhe shtëpinë filmike franceze "Arizona Film" me 15% të mbështetjes financiare të prodhimit.
Shtatorin e kaluar, projekti u aprovua nga Eurimages (Fondi i Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane) dhe u mbështet me 120.000 euro.
Para pak muajsh u miratua edhe nga Bordi i Qendrës Kinematografike, që vendosi ta mbështesë financiarisht në kategorinë e filmit të gjatë alternativ, me vlerën 27. 816.000 lekë.
Kjo është vepra e parë e gjatë artistike e Alimanit.
Ai është autor i disa filmave të shkurtër: "Katoi", "Gaz", "Busulla" etj., realizuar në një hark kohor prej dhjetë vitesh, ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë vendi ku emigroi dhe jeton prej viteve '90.
Xhirimet e "Amnistisë" vazhdojnë në Tiranë deri më 7 tetor.
Më 8 tetor, ekipi niset drejt Pogradecit dhe do të punojë aty deri më 30 tetor.
m.s/NOA