Tiranë, 21 shtator, NOA – Përmes operacionit të koduar policor “Korridori lirë” policia e shtetit ka prangosur një person, i cili u kishte dhënë ndihmë disa shtetasve shqiptarë për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin përdrejt vendeve të BE-së.
Burime nga policia e shtetit thanë se bëhet fjalë për 53 vjeçarin Besim Ibrahim Bala, i cili u arrestua nga policia në vijim të operacionit “Korridori i lirë” që ka nisur hetimet qysh prej vitit 2008.
Falë hetimeve disa mujore Drejtoria Kundër Krimit Fianciar, dje bëri të mundur arrestimin në flagrancë të Besim Balës.
Sipas policisë ky shtetas në periudha të ndryshme kohore, në bashkëpunim me persona të tjerë, disa prej të cilëve janë arrestuar gjatë operacionit të mëparshëm policor, ka transportuar, shoqëruar dhe realizuar kontrabandimin e disa shtetasve shqiptarë duke kaluar në mënyrë të paligjshme kufijtë e Shqipërisë dhe Greqisë, për t’i çuar në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.
Nga hetimet e kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit ka rezultuar se shtetasi Besim Bala ishte pjesë e një grupi kriminal ndërkufitar në këtë fushë.
Arrestimi i tij u krye pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 872 të datës 16.09.2010 vendosi masën e sigurisë “Arrest në Burg” për veprën penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve.
Strukturat e policisë së shtetit po vazhdojnë hetimet për vënien para drejtësisë të personave të tjerë të implikuar në këtë çështje.
mit/NOA